To top
12 Nën

20 milionë eurot e sekuestruara në Tiranë, do të pastroheshin për llogari të “Cosa Nostra”

Skema është po e njëjta, e zbardhur tashmë prej kohësh nga antimafia italiane. Trafik kokaine nga Amerika e Jugut, trafik hashashi nga Afrika, e kapitale të fituara nga trafiku i paligjshëm të investuara në sektorin e ndërtimit.

E kjo skemë përfshin në operacionin e sotëm tre shtetet: Shqipëri, Itali e Zvicër.

RTV ORA e Ora News ka siguruar dokumentin e Prokurorës së Antimafias së Palermos mbi megasekuestrimin e kryer në Shqipëri për llogari të sipërmarrësit Francesco Zummo, 90 vjeç i konsideruar sipërmarrës lokal në dispozicion të mafias siciliane Cosa Nostra qysh në kohën e Totto Riinas e Bernardo Provenzanos e i akuzuar për riciklim parash në sektorin e ndërtimit.

SPAK thotë se ka prova se pjesë e kësaj skeme pastrimi parash është edhe biznesmeni i naftës Rezart Taçi i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa u arrestua kunati i tij, Artur Balla dhe Bledar Lilo, truproja e tij.

Prokororia e Antimafias së Palermos me të cilën gazetarja e RTV Ora në Romë është në kontakt ka informuar se sipërmarrësit Francesco Zumma i janë sekuestruar rreth 20 milionë euro në një bankë të Tiranës e 30 milionë të tjera të mira materiale.

Prokuroria e Palermos e drejtuar nga kryeprokurori Francesco Lo Voi gjatë hetimeve ka vërtetuar tregues serioz riciklimi e pastrim ndërkombëtar parash për llogari të Cosa Nostra nisur qysh më vitet ’70 në territorin e Palermos e lidhur me trafik ndërkombëtar droge zbardhur në operacionin e koduar Pizza Conection.

Hetimet e këtij trafiku janë kryer nga Prokuroria e Napolit nën drejtimin e Prokurorit Giovanni Melillo e zbardhën një trafik ndërkombëtar lënde narkotike me një skemë pastrimi parash mes Shqipëris, Italisë e Zvicrës.

Hetimet e operacionit nisën në qershor të vitit 2020 pas sekuestrimit në portin e Salentos të 17 tonë drogë , prej të cilave 2.884,5 kg hashash e 14.191 kg psikobarna e njohur si droga e ISIS, (kaptagon).

Hetimet zbardhën ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal me bazë në Shqipëri, Itali e Zvicër që importonin sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut e hashash nga Afrika e Veriut.

Fitimet e mëdha të këtij trafiku hynin në një skemë pastrimi parash.

Në hetim kanë marrë pjesë skuadra investigative e Ministrisë së Ekonomisë Zvicerane, Policia Federale e Luganos si dhe Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit e Krimit të organizuar në Tiranë.

Sipas Prokurorisë së Palermos,”SPAK shqiptar ka çuar në arrestimin e disa shtetasve shqiptarë të lidhur me pastrimin e 20 milionëve euro në Shqipëri për llogari të mafias Cosa Nostra siciliane e të sekuestruar sot nga kjo Prokurori

Aktiviteti investigativ e kompleks informon Prokuroria e Palermos, u bë falë bashkëpunimit mes Prokurorive të Palermos e Napolit e me autoritetet kompetente shqiptare e zvicerane.

Sipas dokumentave të zotëruar eksluzivisht nga RTV ORA e Ora News, plot një vit më parë më 1 dhjetor të 2020, Prokuroria e Antimafias së Palermos ekzekutoi urdhërin e parë të sekuestrimit të pasurisë së sipërmarrësit Francesco Zumma me vlerë 150 milionë euro, të cilët iu sekuestruan 11 kompani, qindra llogari bankare, sipërfaqe toke, ferma bujqësore në Palermo e provincën përreth si dhe 5 rezidenca lluksoze në territorin e provincës së Siena.

Në kërkim

– Rezart Taçi

Të arrestuar në Tiranë

-Artur Balla, kunati i Rezart Taçit dhe djali i prokurores së Tiranës Dhurata Balla

-Bledar Lilo, ish-truproja personale e Rezart Taçit

Shtetasit italianë

Në arrest shtëpie

-Francesco Zummo, 90 vjeç

I arrestuar

– Fabio Petruzzella , vëllai i një magjistrati të Palermos

I përfshirë në skemë edhe shtetasi italian Daniele Castagalli