To top
23 Nën

Abigela Voshtina rrëfen programin ambicioz të 2023 në TOB

Abigela Voshtina aktualisht drejtoreshë e rëndësishme, duhet thënë në fakt e një prej institucioneve më të rëndësishme siç është Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit prej pak muajsh u zgjodh në krye të këtij institucioni nga një juri me pjesëtarë ndërkombëtare.

Në këtë rrëfim znj. Voshtina tregon se si ndihet në krye të një institucioni sa të rëndësishëm aq dhe delikat, si dhe objektivat dhe qëllimet që i ka vënë vetes për të drejtuar Teatrin e Operas . “Krijim punësimi nëpërmjet një platforme profesionale si Akademia Teatrale. Vënie në jetë të një projekti kulturor standard, që personifikon Shqipërinë në rajon si dhe rinovimi progresiv i deficitit historik nëpër rrethe. Krijimi i standartit si një model aktual, të qëndrueshëm dhe të vlerësueshëm. Rikthimi, në vendin tonë, të një gjenerate artistësh e barazvlefshme me investimin e bërë. Ulja e numrit të largimit të talenteve kombëtare dhe shtimi edhe me ato ndërkombëtare. Mbushje me përmbajtje artistike të infrastrukturave të ndryshme të pashfrytëzuara. Përfitimi nga kultura si një lidhje me fusha të tjera  arsimi, mjedisi, turizmi dhe punësimi. Lidhja me një qëllim social çdo projekt, duke ndërtuar ura komunikimi për të krijuar një shoqëri më të mirë nëpërmjet sensibilizimit të saj dhe edukimit. Më pëlqen që rezultatet e punës që janë si sezonet e bujqësisë të japin frutet e tyre”, rrëfen drejtuesja më e re cila është sa sport dhe elegante në paraqitje.

Abigeila Voshtina, nuk ishte një emër i padëgjuar më parë se ajo të përzgjidhej si Drejtoreshë e Operas dhe Baletit e cila konkurronte, përballë ish – drejtueses,  Zana Çela. Në cv e saj numërohen mjaft vite eksperiencë në këtë teatër, e ndërsa një vend të konsiderueshëm e zë dhe karriera e saj në skenat prestigjioze si dhe eksperienca që sjellë prej andej. Ftesës së ish drejtorit të atëhershëm artistit të njohur Ilir Kërni, Voshtina ju përgjigj pozitivisht. “Ambicia për të dhënë kontributin tim në vendin që po ecën me hapa energjike drejt vendit që i takon, Evropës”, ishte kjo që e shtynte të kthehej në atdheun e saj. Teatri i Operas, përpos një artiste me eksperiencë dhe vlera kërkon dhe një menaxhuese mjaft të mirë, që të jetë sa më e suksesshme dhe objektive. “Ky pozicion kërkon: Objektiva të qarta, vizion dhe pasion”,  përforcon në këtë rrëfim znj. Voshtina. Pas eksperiencës në skenat ndërkombëtare prestigjioze, ku ka dhënë koncerte në vende të ndryshme  fillimisht Itali, më tej Spanjë dhe SHBA, Znj. Voshtina ndalet disi në këto eksperienca si dhe kujton fillesat e saj hershëm në liceun artistik ku nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç. Një fëmijë e pasionuar dhe e dashuruar, më së shumti pas violinës së saj. “Jeta e ndërtuar jashtë shtetit tonë ka krijuar personalitetin tim dhe kërkesat artistike janë pjesë e shijes dhe bindjeve  të mia. Mendoj që ato kanë influencua dhe do të influencojnë misionin tim. Fillesat e mia. Ka qenë sa i bukur po aq i vështirë, por mendoj që ky është udhëtimi i kujdo. Ajo që ndryshon atë person që ne e shohim në piedestal është me çfarë shpejtësie çohesh pas një rënie dhe sa herë i jep vetes mundësinë të thuash këtë mund t’a bëj më mirë herës tjetër”.

Një nismë që gjithmonë marrin drejtuesit e Operas, është ngjitja në skenë e shfaqeve të rëndësishme si dhe bashkëpunimi me emrat e njohur të huaj apo dhe Shqiptarë për ti kthyer në skenat tona. Sigurisht që kjo është dhe një objektiv i znj. Voshtina. “Që programin tonë të parë sollëm në skenë disa artistë- instrumentistë në orkestër si dhe pianistin me famë botërore, solistin Giuseppe Albanese. Kjo është pika e objektivave. Ajo është dhe do të implementohet madje shkrihet në çdo program artistik, madje edhe më tutje. Fundi i këtij kalendari mbyllet me një nga artistët tanë të dashur Gëzim Myshketa, me galanë operistike “Aspettando Verdi”. Mos harrojmë të gjitha protokollet bashkëpunimit që janë firmosur në kaq, pak muaj si “Open Balcan – Memorandum” midis teatrit Kombëtar të Beogradit dhe të Maqedonisë së veriut, protokolli me konservatorin e Salerno-s, protokolli me Rai-n, protokolli me Orkestrën Simfonike e Forcave të Armatosura, si dhe bashkëpunimet me Kosovën dhe RTSh-në. Të punosh me artistët është sa e vështirë aq dhe e bukur, delikate, impenjative dhe hera herës kapricioze pasi artistët, gjithsecili kërkon të përkëdhelet, por që një drejtues artist di të realizojë më së miri, këto raporte bashkëpunimi.  “Është një ekuilibër i përditshëm i cili merr një pjesë të kohës dhe vëmendjes sime”, shton Voshtina. Vitet e fundit Teatri i Operas pësoi një transformim të dukshëm, në strukturë, dhe rikonstruksion, duke iu afruar parametrave të teatrove, ndërkombëtarë, ku pritet të ketë dhe një kalendarë të ngjeshur fillë pas periudhës së pandemisë. “Kalendari i 4-mujorit të vitit 2022 u formua brenda 2 javësh pas emërimit tim, pasi teatri nuk e dispononte. Pasi kaloi në Bord në datën 18 korrik 2022, një ditë që nuk do ta harroj lehtësisht pasi lindi im bir. Kemi pasur një kalendar të ngjeshur në produkt dhe nivel, por them që kalendari që vjen 2023, i cili është aprovuar nga Bordi do të jetë akoma më i bukur dhe ambicioz”, përfundon drejtuesja më e re e cila së fundmi është bërë dhe nënë e një djali të vogël disa muajsh, e ku shton se pas saj fshihet një skuadër e madhe, për të realizuar atë që publiku ka parë deri më tani, pjesë e së cilës është dhe partneri i saj pa të cilin nuk do të mund të të ndiente qetësinë e të bërit mamanë dhe drejtoreshën njëkohësisht.