To top
10 Nën

Albana Shtylla, përtej karrierës

Ish-anëtarja e KQZ rrëfen jetën jashtë profesionit së juristes
Me një thjeshtësi dhe maturi profesionale, që e karakterizon si juriste, për herë të parë pas dorëheqjes së saj nga posti i anëtares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Albana Shtylla rrëfen jetën si një nënë, bashkëshorte, duke mos lënë pas edhe përkushtimin në rritjen profesionale në profesionin për të cilin është diplomuar. Tregon me sinqeritet se ka qenë shoqe fakulteti me Lefterie Lleshin, aktualisht në postin e kryetares së KQZ, ashtu siç tregon edhe bisedën me kreun e PS dhe njëherësh kryeministrin e ri të vendit, Edi Ramën për ofertën që ju bë si përfaqësuese e kësaj partie,
në administrimin e zgjedhjeve. Ka diçka që Albana se ka realizuar ende,është pikërisht përfundimi i orientimit të studimeve në organet e pushteit gjyqësor, për të cilën është optimiste se do t`ia arrijë në të ardhem. Një juriste, por dhe një amvisë e shkëlqyer që i pëlqen të eksperimentojë në një fushë që “nuk është diplomuar”, a jo kujdeset edhe për elegancën dhe stilin e veçantë që e karkaterizon si individ. Veshja është një “aset” i rëndëishëm, ashtu siç është dhe stili i një jete modeste në familjen e sa j. Duke qenë një vlonjate, por me orgjinë nga Korça, nuk i ndahet plazhit të Jugut për tu relaksuar në sezonin e pushimeve.
Një karrierë e gjatë në institucionet në vend, si ka ecuar gjithë kjo rrugë për ju?
Po është shumë e vërtetë, tashmë kam mbi supe një karrierë prej 21 vjetësh si juriste dhe profesioniste, të cilën e kam ngritur me shumë mund dhe punë nga ana ime. Prej ditës së pare të punës kam menduar që gjithshka që do dëshiroja të arrija, në aspektin profesional, do ta bëja të mundur vetëm me punë, studim dhe përgjegjshmëri në kryerjen e detyrave. Dhe mund të them, duke lënë mënjanë për pak moment modestinë, që gjatë gjithë këtyre viteve, puna dhe studimi i vazhdueshëm kanë qenë bashkëudhëtare të karrierës time profesionale, por gjithashtu edhe përgjegjshmëria në zbatimin e ligjit në çdo veprim, më kanë udhëhequr në çdo hap të kësaj karriere. Dëshiroj të theksoj që karriera ime ka qenë graduale dhe natyrshëm ka ardhur në rritje, duke marrë në këtë mënyrë edhe sadisfaksion për gjithshka kam investuar tek vetja. Kam një experience të gjatë si tekniciene në detyra të rëndësishme në administratën publike si, Këshilltare juridike në Kuvend, Juriste dhe më tej drejtore drejtorie në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Drejtore Juridike ne Ministrinë e Punës dhe Ministrinë e Drejtësisë, Drejtore Kabineti e Avokatit të Popullit dhe së fundi si Anëtare e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Nuk ka qenë e lehtë për të patur një vazhdim në karrierë, probleme, pengesa ndonjëherë edhe presione gjatë kryerjes së detyrave kanë qenë të pranishme. Ajo çfarë kam bërë në të tilla rrethana ka qenë mbrojtja me këmbëngulje e ligjshmërisë së çdo vendimi të marrë apo veprimi të kryer nga ana ime. Gjatë këtyre viteve, krahas karrierës profesionale një vëmëndje të posaçme i kam kushtuar edhe plotësimit dhe ngritjes së formimit tim profesional, duke kryer studime masteri, apo specializime afatgjata si brenda apo jashtë vendit, duke zhvilluar punime kërkimore apo studime si autore dhe bashkëautore, dhe së fundi jam duke përfunduar studimet për gradën “Doktore e shkencave juridike”, pranë Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë.
Në shtator jeni zgjedhur në një post të rëndësishëm, anëtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ka qenë një vendim i lehtë nga ana juaj?
Në fillim dua të them që propozimin e konsiderova si një vlerësim për karrierën time profesionale, por edhe për përgjegjshmërinë që kisha treguar në kryerjen e detyrave në gjithë këto vite. Vendimarrja për të pranuar këtë pozicion nuk ka qenë e lehtë, duke patur parasysh, rëndësinë që ka ky institucion në tërësinë e organeve të shtetit, ngarkesën politike që shkarkohet shpesh për funksionimin e tij, por edhe rëndësinë që kishin zgjedhjet e vitit 2013 për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ka qenë një vendim i konsultuar dhe i marrë me kujdes nga ana ime, me qëllim që të vlerësoja nëse edhe në këtë detyrë do të mund të jepja më të mirën time. Nga ana tjetër e konsideroja këtë detyrë edhe si një sfidë, ndoshta më e madhja deri në atë moment të karrierës time. Pas gjithë këtyre përsiatjeve dhe konsultimeve, e pranova propozimin e bërë për këtë detyrë, duke u angazhuar që do të jepja maksimumin tim edhe në këtë detyrë. Sa ia arrita, kjo i ngelet publikut që ta vlerësojë.
Nga i’u ka ardhur ftesa për të qenë pjesë e KQZ?
Propozimi më ka ardhur nga përfaqësues të strukturave drejtuese të Partisë Socialiste, duke qënë se sipas Kodit Zgjedhor propozimi im si anëtare do të bëhej nga partia më e madhe e opozitës. Me këta përfaqësues, por edhe me Kryetarin e PS, Edi Rama kam zhvilluar një bisedë njohëse përpara propozimit tim në Kuvend.
Si kanë qenë marrëdhëniet tua ja me 6 anëtarët e këtij institucioni, konkretisht me kryetaren, ku shpeshherë jeni parë edhe në replika ta ashpra?
Gjithmonë kam menduar që ne do të funksiononim si një trupë kolegjiale, në të cilën vendimet do të merreshin në zbatim të ligjit dhe në konsensus ndërmjet të gjithë anëtarëve, pavarësisht se cilat ishin forcat politike që na kishin propozuar në këtë detyrë. Nga ana tjetër, vlerësoja se argumenti juridik, zbatimi i ligjit, do të ishte filli që do të përshkonte të gjitha debatet tona, duke mos përsëritur në sy të publikut shfaqje të pakëndshme që kishin ndodhur më parë në këtë institucion, të cilat fyenin personalitetin e pjesmarrësve të asaj tavoline, apo kapërcenin normat më elementare të komunikimit të një trupe kolegjiale. Personalisht jam kujdesur që këto elementë të ishin në qendër te diskutimeve te mia, duke respektuar kolegët pjesëmarrës në diskutime, si dhe mendimin e tyre. Jo vetëm në mbledhjet e KQZ, por edhe jashtë asaj salle, ndoshta ndryshe nga sa ka qenë fryma e bashkëpunimit deri në atë moment në KQZ, jam përpjekur që ngarkesa e debatit të mos ndikonte në marrëdhëniet njerëzore të vendosura mes nesh. Me Kryetaren e KQZ, znj. Lleshi njihem prej rreth 25 vjetësh, pasi kemi kryer së bashku studimet në Fakultetin Juridik, dhe nisur nga kjo njohje mendoja që komunikimi dhe bashkëpunimi do të ishte më i lehtë. Më duhet të them që ndërmjet nesh shpesh ka patur debate të forta për vendimarrje të ndryshme, të cilat gjithmonë nga ana ime ka në qenë të bazuara në argumente juridike. Personalisht kam ruajtur etikën në komunikim, jo vetëm me kryetaren por edhe me anëtarët e tjerë të KQZ, gjë që me keqardhje e them, jo gjithmonë është respektuar si nga znj.Lleshi ashtu edhe nga anëtarët e tjerë të KQZ.
Gjithësesi kjo eksperiencë zgjati pak muaj, pasi për arsye të situatës politike që u krijua para zgjedhjeve parlamentare në vend ju dhatë dorëheqjen. Ju mbeti ndonjë “peng” nga ai
Mënyra se si precipituan ngjarjet, cënimi nga Kuvendi i ligjshmërisë dhe integritetit të anëtarëve të KQZ, e bën të pamundur vazhdimin e qëndrimit në atë detyrë. Nuk mund të pranohej që të konsideroheshim thjesht si persona pa integritet, dinjitet dhe që mund të cënoheshin në çdo moment, pavarësisht se tashmë ligji nuk e lejonte këtë gjë. “Pengu” i vetëm ndoshta është mosçuarja deri në fund e sfidës së marrë në momentin që pranova këtë detyrë, pra administrimit deri në fund të një procesi zgjedhor.
Si ka ndryshuar axhenda e ditës për ju…. sërish me shumë angazhime?
Kuptohet që ka ndryshuar shumë, nga një person që ka punuar çdo ditë me një ngarkesë të plotë prej përfundimit të studimeve, tashmë gjatë kësaj periudhe kam vazhduar angazhimet e tjera, të cilat i kam patur bashkëshoqëruese në jetën time profesionale, si mësimdhënia dhe studimi. Gjatë dy muajve të mbetur (maj-qershor) të vitit akademik, kam vazhduar punën si lektore e jashtme në Universitete, si pedagoge e lëndëve “E drejta e punës” dhe “E drejta sociale”. Një pjesë të mire të kohës e kam patur të ngarkuar me leximin e materialeve, botimeve të ndryshme, me qëllim përfundimin e temës së doktoraturës. Pra, këtë kohë e kam shfrytëzuar maksimalisht për të përfunduar ato angazhime të cilat për shkak të ngarkesës e kam patur të pamundur t’iu kushtoj vëmëndjen maksimale.
Ku e shikoni të ardhmen pas kësaj eksperience?
Gjithmonë në detyra të lidhura ngushtë me profesionin tim si juriste, por edhe karrierën time profesionale.
Flasim pak për anën tjetër të jetës përveç profesionit, familja…çfarë roli zë ajo? Sa motivuese është për ju familja?
Familja zë një rol shumë të rëndësishëm të ditës time, aty përpiqem të gjej qetësinë e munguar ndoshta gjatë pjesës tjetër të ditës (gjatë punës). Jam e përkushtuar që pavarësisht angazhimeve që kam gjatë ditës, të mos le pas dore familjen dhe detyrimet që gjihmonë kam ndjekur personalisht në të. Bashkëshorti im, gjithmonë ka qenë mbështetësi dhe nxitësi për të vazhduar përpara në karrierën time profesionale. Jam e bindur se pa mbështetjen e tij, por edhe të prindërve të mi, do ta kisha të vështirë të bëja gjithshka kam arritur deri tani.
Sa e vështirë është të jesh nënë e një djali 15-vjeçar në këto kohë?
Të them të vërtetën nuk është e lehtë. Përkushtimi dhe ndjekja e vazhdueshme e studimit apo angazhimeve të tjera të tij, kërkon kohë dhe qetësi. Duke qenë një fëmijë i vetëm është shumë i lidhur me ne, por pavarësisht kësaj unë dhe bashkëshorti përpiqemi të nxisim tek ai pavarësinë, duke u përpjekur ta orientojmë apo ndihmojmë në mënyrën e të gjykuarit por edhe në vendimet që do të marrë. Gjithashtu përpiqemi të jemi edhe shokë të tij, duke bërë shpesh biseda për tema apo çështje, të cilat atë e shqetësojnë gjatë të përditshmes së tij. Është një brez krejt i ndryshëm nga yni në moshën e tij, me interesa, kërkesa dhe zhvillim krejt të ndryshëm, por që natyrshëm kërkon vëmendje makasimale.
Përtej faktit të qenurit një nënë, ju karakterizon një elegancë dhe stil? I kushtoni shumë kohë vetes për të qenë në këtë formë?
Gjithmonë jam përpjekur që të kem një përkujdesje për stilin e veshjes, në përputhje me detyrat dhe pozicionet që kam patur, por dua të theksoj se nuk ka qenë asnjëherë qëllim në vetvete veshja dhe paraqitja e jashtme. Bëj kujdes që edhe në veshje të respektoj etikën zyrtare të detyrës përkatëse.
Nga karakterizohet stili i jetesës suaj?
Një stil i thjeshtë, pa eksese dhe mëse normal si i çdo familje të mesme shqiptare.
Gatimi…a mund të konsiderohet Albana një amvisë e shkëlqyer?
Them se po, prej rreth 16 vjetësh kam kënaqësi të vazhdoj të gatuaj për familjen, duke u përpjekur që t’i kënaq si dhe eksperimentoj edhe receta të reja. Gatimi është një rit thuajse i përditshëm, të cilin e kryej me shumë kënaqësi.
Ka një gjë pa të cilën nuk e nisni dot ditën?
Pirja e një kafe filtri të ftohtë me qumësht, si për t’i dhënë pak ritëm ditës.
Diçka që ju ka mbetur “peng” që se keni realizuar?
Ndoshta mosorientimi pas përfundimit të studimeve në organet e pushtetit gjyqësor. Një eksperiencë e ngjashme me gjyqësorin ishte ajo e KQZ-së, por që mbeti në mes. Megjithatë shpresoj që në të ardhmen ndoshta mund të realizohet.
Duke marrë shkas se jemi në periudhë pushimesh, ku keni vendosur që t`i kaloni? – Çfarë ju tërheq që zgjodhët këtë vend?
Për pushime do të shkoj në bregdetin e Vlorës dhe të Dhërmiut. Eshtë një ritual të cilin e kryej çdo vit, qoftë edhe për pak ditë gjatë muajit gusht, pavarësisht nëse kam kryer pushime në vende të tjera. Kam një nostalgji të veçantë për Vlorën, duke qenë se është vendlindja ime, por edhe në të kam kaluar 18 vite të jetës time.