To top
7 Nën

Ambasadorja amerikane në OKB vizitë në Shqipëri, takim me Presidentin Begaj

Presidenti i Republikës Bajram Begaj do zhvillojë një takim me ambasadoren Linda Thomas-Greenfield, përfaqësuesen e SHBA në Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila do të jetë në Shqipëri për një vizitë dy ditore.

Greenfield njihet si një zë i fuqishëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ditën e djeshme Greenfield mbërriti në Shqipëri teksa ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim e prezantoi me kryeqytetin.

Në një reagim në rrjetet sociale, Linda Thomas-Greenfield shkruan se Shqipëria është aleat i palëkundur dhe një partner në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Çfarë kënaqësie të vizitosh sheshin Skënderbej, që mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë. Faleminderit për pritjen e ngrohtë në Tiranë Yuri Kim. Shqipëria është një aleat i palëkundur dhe një partner kritik në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, veçanërisht përballë luftës brutale të Rusisë në Ukrainë”, shkruan ambasadorja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit.

Kujtojmë se ambasadorja Linda Thomas-Greenfield pritet të ketë takime me kryeministrin Rama, Presidentin Bajram Begaj, si edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.