To top
26 Jan

Anila Hetoja Empati

Nga Klarita Qosja 

Artistja shumëdimensionale, një emër i njohur tashmë në qarqet e artistëve, vjen në një rrëfim, për jetën profesionale dhe atë personale. Fushat ku ajo aderon së fundmi në arredim, pikturë, trendet dhe arredimet e shtëpive dhe vilave kombinuar me pikturat shumëngjyrëshe të artistes vijnë si një paketë në këtë fillim viti pa anashkaluar stilin, look-un dhe frymëzimin e vet artistes…

Anila, jeni një emër i njohur  në fushën e artit. Sa ka ndikuar fama në jetën tuaj dhe sa e vështirë ka qenë për ju, të realizoni një karrierë të suksesshme?

Unë mendoj se karriera është një angazhim në një eksperiencë pune që përfshin arritje dhe përparime bazuar në një nivel të lartë eksperience në një fushë të caktuar. Në rastin tim konkret, jam fokusuar në fushën e artit dhe  për këtë më është dashur të heq dorë nga profesioni im si ekonomiste. Mendoj se, arti është ajo që dua më shumë dhe ku mendoj se jam më shumë e përfshirë pasi dashuria ime për artin ka lindur së bashku me mua. Këtu me kujtohet një shprehje ku thuhet “Gjëja më e rëndësishme nga të gjitha në jetë është zgjedhja e profesionit”. Kam arritur në përfundimin që produktiv jemi gjithmonë kur bëjmë atë që duam. Por sigurisht që për të arritur deri këtu, nuk ka qenë e lehtë. Në të gjithë karrierën time kam patur ulje e ngritje, por asnjëherë nuk e kam menduar të dorëzohem. Besoj dhe mendoj kjo vlen dhe për të tjerë, që falë punës dhe sigurisht talentit, njeriu mund të realizojë ëndrrat e tij. Unë personalisht, kam akoma dhe shumë gjëra për të krijuar e prodhuar.

Si mund ta përshkruani këtë periudhë për ju, në cilat fusha keni qenë më e realizuar profesionalisht, si piktore apo Interior Design?

Në punën time të dyja ecin paralelisht. Puna si arkitekt i brendshëm më merr një pjesë të mirë të kohës, pasi jam e angazhuar maksimalisht, por nuk lë pas dore dhe punimet e mia në telajo. Jam përpjekur dhe mendoj se më ka shërbyer shumë, që gjatë arredimit të ambjenteve, të fantazoj për pikturat, punimet e radhës bazuar në objektet që arredoj, duke u përpjekur që pikturat të jenë në harmoni me hapësirat, ngjyrat, stilin e mobilimit të ambientit. Më pëlqen të lë gjurmë me artin tim. Ndaj e kam të vështirë ti ndaj të dyja profesionet nga njëra-tjetra. E megjithatë piktura mbetet dashuria ime e parë.

Me çfarë po merreni tani, ku e gjeni frymëzimin për të pikturuar?

Mendoj se jam në fazën time më të mirë përsa i përket krijimtarisë. Kam shumë ide, por më duhet shumë kohë për ti përmbushur ato. Mendoj se në këtë fazë të punës sime më ka shërbyer eksperienca dhe dëshira për të bukurën, për të ecur përpara. Unë  frymëzohem nga natyra, njerëzit e mi më të dashur dhe energjia që më japin dhe marr nga ata. Por edhe muzika, një libër i bukur, sidomos librat me histori të vërteta nga lufta e dytë botërore më tërheqin. Analizoj çdo subjekt libri, periudhën kur janë shkruar, jeta që përshkruhet në to, vërej me kënaqësi evolimin për të arritur deri në këtë periudhë kur teknologjia po avancon në të gjitha fushat e jetës. Por edhe më frikëson kjo kohë e re për të gjithë ne, në fushën e teknologjisë. Ndaj ndjej më shumë siguri duke u mbështetur tek njerëzit e mi më të afërt, aty gjej edhe mbështetjen më të madhe për artin që unë bëj.

Ju si profesioniste në fushën e  arkitekt i brendshëm. Çfarë i sugjeroni lexuesve, cilat janë trendet për 2023?

Trendi për vitin 2023 janë nuancat e blusë, gri, perlë, elementet e  bronzit, bakri, argjendi ose shkëlqimi i artë, kristali. Gjithashtu risi janë letrat murale 3D,  patinimet dekorative të cilat realizojnë pamje 3D. Disa nga stilet më trend në këtë periudhë janë ai kontemporan, neoklasik, industrial. Në stinën e dimrit nuk kemi mundësi  të përdorim larmi ngjyrash, por është e rëndësishme që të ngrohim ambientin me ngjyra të ngrohta pavarsisht trendeve; si blu saks, portokalli, okër. Këto ngjyra më së miri përdoren si pikat kryesore kundër një sfondi neutral në kontrast me ngjyrat e ftohta. Sugjeroj që të mundohemi të krijojmë një ambient me sa më me shumë dritë, pasi kjo lejon dritën natyrale të përshkojë hapësirën e brendshme duke e ngrohur më shumë atë në stinën dimrit dhe rrezatimi krijon linja vizuale të cilat krijojnë ndjesi pozitive.

Ju keni jetuar jashtë vendi për një kohë relativisht të gjatë. Cili është ndryshimi mes vendit tonë dhe ndikimet nga jashtë, përsa i përket modës, si dhe tendencave në arredim?

Jeta jashtë vendit për mua ishte një eksperiencë e vyer, me të mirat dhe vështirësitë e saj. Sa i takon modës, mendoj se ne kemi një qasje evropiane, sesa të Amerikës se Veriut, gjithashtu të njëjtën gjë do thoja edhe për arredimin e brendëshëm.Ndërsa si individ, ka një ndryshim të madh, pasi shoqëria jashtë vendit duket më e hapur, e drejtpërdrejtë, ata jetojnë për vete dhe jo për fasadë. Gjithashtu, atje njerëzit punojnë fort dhe pa asnjë qasje politike siç ndodh në vendet në zhvillim.

Sa i kushton rëndësi pamjes së jashtme Anila?

Për mua paraqitja ka rëndësi, por nuk është çdo gjë. Unë nuk ndjek modën dhe nuk jam e fiksuar pas trendeve, por imazhin tim e krijoj vetë. (Po më kujtohet një shprehje e Vivienne Westwood Nëse vishni rroba që nuk ju përshtaten, ju jeni një viktimë e modës. Ju duhet të vishni rroba që t’ju bëjnë të dukeni më mirë!) Për mua ka më shumë rëndësi se si ndihem unë me veten dhe sa e pavarur jam kundrejt modës dhe shpenzimeve marramendëse, të cilat më duken absurde për kohën që po jetoj. Është shumë e rëndësishme që njeriu të vishet së pari me mirësi.

Si fillon dita për  Anilën?

Dita ime fillon shumë herët, duke organizuar axhendën time. Më pas më pëlqen të shëtis në natyrë sidomos ditët me diell. Studio mbetet vendi ku shpenzoj kohën në pjesën më të madhe të ditës e më pas vizita në show room-e të ndryshme, takime pune, inspektime në objektet që kam për të dizenjuar, si dhe kurset e artit pamor. Mbyllja e ditës vijon pranë familjes, aty ku gjejmë qetësinë dhe dashurinë.

Cilat janë pasionet e tua, si e shpenzon kohën e lirë?

Pasionet e mia, pavarësisht ngarkesës gjatë ditës janë sportet;  tenisi, noti, biçikleta. Nuk mendoj se jam profesioniste, por janë pjesë e jetës time dhe që janë të pandashme. Kam zbuluar dhe një pasion timin që është gatimi. Më pëlqen të gatuaj dhë e adhuroj gastronominë. Nëse s’do të kisha prirje për art, sot do të isha ndoshta një shefe guzhine. Gatimin e shoh si art më vete dhe nëse nuk gatuan me pasion dhe dashuri, më mirë mos fillo të përgatitësh një recetë.

 

Puna juaj është akoma në Galerinë e Artit në Shkodër, si u prit ajo?

Salloni i Vjeshtës, edicioni i XVI-të i Ekspozitës Kombëtare, u prit mjaft mirë nga artëdashësit. Në këtë event morën pjesë shumë artistë të njohur nga i gjithë vendi. Unë mora pjesë me veprën me titull, “Empati” . Përmes saj, më pëlqen të përshkruaj gjendje emocionale ku përputhen emocionet dhe ndjesia e gjithsecilit prej nesh. Më pëlqen ta quaj pasion, dhimbje, të cilat herë-herë udhëtojnë paralel edhe ku ndahen, teksa vendimet merren nga palët. Jam ndalur tek ndjesia e dashurisë e cila rrjedh njëlloj, siç rrjedhin eritrocitet në venat e gjithsecilit, ku burimin e kanë nga palca dhe që transportojnë oksigjen në qelizat e trupit,  kur njeriu ndihet i lumtur dhe i pafuqishëm përballë kësaj ndjesie që e ka emrin dashuri. Kam dashur të shpreh nëpërmjet kësaj vepre një mesazh të thjeshtë por kuptimplotë, të duam më shumë njëri-tjetrin, të jemi më pozitivë dhe të dhurojmë sa më shumë dashuri.