To top
2 Kor

Arben Shehu zgjidhet kryetar i KLSH, merr zyrtarisht detyrën

Arben Shehu u zgjodh sot me 108 vota pro si Kryetar i KLSH. Në seancën e sotme parlamentare, Shehu gjithashtu u betua para Kuvendit, duke marrë kështu zyrtarisht detyrën.

Arben Shehu shprehu falendime për besimin dhe mbështetjen në këtë detyrë të re.

Shehu u dekretua nga Presidenti Ilir Meta si kandidaturë për kreun e KLSH-së në fillim të muajit qershor, ndërsa u miratua më pas nga Komisioni Parlamentar i Ekonomisë.

Grupi Parlamentar socialist vendosi javën e kaluar që të mbështesë kandidaturën e Shehut, i cili vjen nga bota akademike.

I votuari në këtë post vjen nga bota akademike dhe ka në eksperiencë në fushën e jurispridencës.

Gjatë eksperiencës mbi 16-vjeçare në jetën akademike, Dr. Arben Shehu, sipas vlerësimit të bërë edhe nga presidenti, është një ndër njohësit më të mirë të drejtësisë penale. Shehu është diplomuar gjithashtu edhe në fushën e ekonomisë dega “Administrim Biznesi”, me një eksperiencë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore, por edhe përvojë të spikatur në zbatimin e ligjit, si ushtrues aktiv i profesionit të avokatisë.

Ai është pedagog në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës, te Departamenti i të Drejtës Penale.

Dr. Arben Shehu, si njohës shumë i mirë i legjislacionit, me njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvojën akademike e profesionale mbi 16-vjeçare, vlerësohet kandidat i përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to.

Në vitin 2005 kryen masterin për Shkenca Penale, ndërsa në 2011 merr gradën Doktor i Shkencave me mikrotezën “Krimi i Organizuar dhe legjislacioni ndërkombëtar”. E në 2011 vazhdon ciklin për titullin Prof.Asociuar në Fakultetin e Drejtësisë në universitetin e Tiranës. Shehu në 2003 mori licencën e avokatit.

Ai ka kryer një sërë trajnimesh, kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka një sërë publikimesh në revista shkencore, apo referime në universitete në Shqipëri dhe në shumë shtete të Europës, si në Bruksel, Vjenë, Roterdam, Bukuresht,etj.

Shehu zotëron në mënyrë të shkëlqyer tre gjuhë të huaj: anglisht, frëngjisht dhe italisht.