To top
21 Qer

Besa Petriti: Misioni im sapo ka filluar…

Besa Petriti

Nga Sava Sota
Ajo është një juriste e cila është e apasionuar në profesionin e saj, duke e ushtruar atë që në moshën 20-vjecare. Krahas kësaj, Besa Petriti është vazja e cila këmbëngul deri në fund për të realizuar objektivat që i ka vënë vetes, si dhe për të plotësuar një amanet të familjes së saj…Kështu, e angazhuar dhe në fushën e politikës, në statusin e nënkryetares të FRPDSH-së, Besa na rrëfen për revistën “Elite” se ka një mision shumë të rëndësishëm për të çuar përpara…

 

1-Ju shpenzoni një kohë të konsiderueshme me aktivitetet e Forumit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, dhe keni kontakt të drejtpërdrejtë me rininë e këtij vendi. Si mund ta përkufizoni ju rininë nga pikëpamja e ambicies dhe dëshirës për të kontribuar në cilësinë e jetesës në Shqipëri?

Nëse kërkon në google se cfarë duan më shumë të rinjtë shqiptarë, ajo që del të drithëron, ata duan të ikin nga Shqipëria. Nisur nga kjo t’i sheh çdo ditë sesi është vrarë shpresa në këtë vend. Nëse më pyet për të rinjtë demokratë mund të përdor fjalët “të palodhur” dhe “frymëzues” çdo ditë e më shumë. Edhe pse në një terren të vështirë ku ti sheh se si bëhen pazare nga forcat në pushtet për ti afruar pranë vetes. Ne jemi partia e parë shqiptare që kemi sjellë ndryshimet, që jemi parti frymë e të rinjve e te rejat rritur në këto familje kurrsesi s’mund të trashëgojnë veti të tjera veç dëshirës për një Shqipëri si Europa.
2-Në profesion juriste dhe në statusin e nënkryetares së forumit të PD-së, sa e përmbushur ndjeheni me këto arritje deri më tani?

Përmbushja është një stad mendoj unë kur njeriu e prek dhe është krenar për punën e tij dhe atë që ka ëndërruar. Unë jam shumë e apasionuar në profesionin që kam, kam punuar që 20- vjece si juriste dhe dashuria për drejtësinë është dashuri e perjetshme. Lidhur kjo me politikën, unë di të them që kam trashëguar amanetin e gjyshit tim të dënuar për politikë dhe familjes sime të internuar. Mos rresht së punuari për demokracinë e vendit tim, mos të ndaloj së ngrituri zërin jo për veten time po kur shoh që mund të bëj diçka edhe për të tjerët pse jo, të mos hesht kur shoh padrejtesi. Drejtësia është lufta për të cilën duhet të luftojmë të gjithë. A ndihem e përmbushur?!
Ndihem e privilegjuar që kam punuar për diçka të cilën e besoj dhe e dua, për të cilën s’do pendohem asnjëherë dhe sa më shumë të punoj aq më shumë frymëzohem dhe përmbushem. Kjo më bën të ndihem plot, por misioni im nuk mbaron këtu, ai sapo ka filluar!

3-Cila ka qenë motoja që ju ka shoqëruar në çdo fazë të jetës suaj?

Rrethi më i nxehtë në ferr është për ata që heshtin në kohë krizash sociale, është një shprehje e Dantes. Kjo është një frazë e cila më ka bërë shumë përshtypje. Nëse vrasim frikën për të reaguar kur na mbytin padrejtësitë i kemi shërbyer vetes familjes dhe vendit tonë. Të rinjtë ndoshta mendojnë se nuk kanë asgjë në dorë sepse askush nuk i pyet. Po nëse bëhemi bashkë, refuzojmë të shitemi e të blihemi dhe të mos heshtim, atëherë fitojmë çdo kauzë. Heshtja në të tilla kohë është vrastare.

5-Jemi shumë pranë fushatës elektorale të vitit 2017-të, ku do të jeni ju e fokusuar më së shumti gjatë kësaj kohe?

Angazhimi im, i Forumit Rinor të Partisë Demokratike si dhe çdo demokrati ka marrë një rrugë të rëndësishme për ne dhe për shqiptarët. 18-shkurti ishte dita ku ne vendosëm t’i dalim përballë krimit, vendosëm të ngrinim një çadër nga ku ka të drejtë të vijë çdokush që nuk i degjohet zëri. Një vend nis midis dy godinave ku bëjnë paradë milionat e miliardat e pushtetit, ndërsa ne flasim për bukën e gojës. Ky është destinacioni im dhe i demokratëve, t’i përkasim një vendi europian ku përfaqësuesit e popullit zgjidhen me zgjedhje të lira e te ndershme, ku të rinjtë nuk duan të largohen, ku dëgjohet zëri i tyre. Ku nuk i mohohet askujt dëshira për të studiuar e për të ndjekur ëndrrat. Ky është destinacioni dhe angazhimi im, republika e re në të cilën do duam të jetojmë e do të jemi krenare.