To top
7 Sht

Covid 19/ Nga sot Shqipëria shtrëngon kufijtë. Karantinë për kë vjen nga jashtë

Nuk ka më hyrje të lirë dhe pa kontroll në kufijtë shqiptarë. Përkeqësimi i gjendjes së Covid 19 si dhe përfundimi i fluksit turistik që nihmon ekonominë e kanë shtyrë qeverinë të vendosë një sërë masash shtrënguese si domosdoshmëria për teste apo dëshmi vaksinimi në kufi, mungesa e të cilave çon në karantinim të detyruar.

Duke filluar nga sot, 6 shtator në vendin tonë hyjnë në fuqi masat kufizuese për personat, të cilët hyjnë në territorin e Shqipërisë. Kështu, sipas planit të prezantuar nga ministria e Shëndetësisë të gjithë ata persona të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:

Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Po të njëjtat kushte duhet të plotësojnë edhe ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Ndërsa shtetasit shqiptarë që kanë udhëtuar jashtë për punë,apo për turizëm duhet ti nënshtrohen karantinës.

Ata duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

Edhe në shtetet e BE hyrja nga Shqipëria po vështirësohet. Kështu që prej së dielës Ministria e Jashtme gjermane e vendosi sërish vendin tonë në listën e zonave me rrezik të lartë të virusit, kjo pasi Instituti i specializuar Robert Koch e kategorizoi Shqipërinë si vend me rrezik të lartë, për shkak të numrit në rritje të infektimeve.
Udhëtarët e pavaksinuar apo ata që nuk e kanë kaluar Coronën dhe kthehen nga zonat me rrezik të lartë të virusit, duhet për 10 ditë të futen në karantinë, edhe nëse paraqesin një test negativ të Coronës. Vetëm pas ditës së pestë të karantinës, ajo mund të ndërpritet pas një testi negativ. Të vaksinuarit dhe të shëruarit mund të mënjanojnë karantinën, nëse paraqesin një dokument të vaksinimit apo shërimit nga Corona.