To top
24 Tet

Domenico Conte: Pulia dhe Shqipëria, dy tokat që mund të realizojnë Europën e Madhe

 

Për çdo qytetar të Palo del Colle, festimet karnavaleske janë jo vetëm në funksion të fillimit të kreshmës, por shënojnë gjithashtu edhe ngjarjen historike me “Palio del Viccio”. Këto festime janë me sfond folklorik, fetar dhe historik. Dikur ishin të lidhura edhe me ritet e ciklit bujqësor, për të shmangur syrin e keq dhe fatin e zi, porse “Palio del Viccio” tani është ngjarje me një vlerë të fortë të identitetit pales (në fakt, çdo kavalier që konkurron simbolizon një familje, një lagje me simbolet e saj).

Kjo traditë daton në periudhën e mbretëreshës Bona Sforza, në nder të së cilës, me rastin e vizitës së saj në kalanë e Palos, disa kavalierë organizuan një turne, i cili më vonë frymëzoi edhe festën e “Palio del Viccio”. Konkursi ende zhvillohet përgjatë rrugës së kodrës që çon në hyrje të kështjellës, sot Corso Garibaldi. Në këtë rrugë vendoset një litar i tendosur mes dy ballkoneve, ku në një kafaz vendoset një viccio (gjeldeti i madh – në dialektin lokal pales) dhe në qendër një fshikëz e mbushur me ujë, që kavalierët duhet ta shpojnë duke galopuar. Për kavalierët, sigurisht është shumë emocionuese, por edhe e rrezikshme, porse të rinjtë me përvojë në stallat e Palo del Colle-s përgatiten për këtë festë. Kjo e bën “Palio del Viccio”-n një ngjarje me vëmendje kombëtare dhe ndërkombëtare.

Këtë vit, realizimi i ngjarjes “Palio Viccio 2014” kremtohet me organizimin e drejtuar nga këshilltari bashkiak ing. Antonio Amendolara, me bashkëpunimin e Konsorciumit GAL “Conca Bari”. Ing. Amendolara arriti të prezantonte më së miri traditat e Palo del Colle-s dhe të delegacioneve shqiptare, ku të ftuar kryesorë ishin ambasadori shqiptar Neritan Ceka, personalitete kosovare, gjermane, por edhe medie të huaja. E rëndësishme këtë vit ishte edhe kuvendi i organizuar mbi operatorin turistik, ku u theksua rëndësia profesionale për të krijuar lidhje dhe binjakëzime me vende të ndryshme. Gjithashtu, ndërsa mbaronin përgatitjet, në sallën e këshillit të qytetit u nënshkrua një pakt miqësie ndërmjet komunës së Palo Del Colle dhe Cuccaros e Galatone, në të cilat kishte një festë të ngjashme me “Palio del Viccio”. Firmat e nënshkruara nga kryetarët e komunave përkatëse, në praninë e zëvendëskryetarit të komitetit të binjakëzimit, avokat Tommaso Ansani, janë për krijimin e një partneriteti në mes të të gjitha komunave, te të cilat ka një festë të tillë.

I nderuar z. kryetar Domenico Conte, për katër ditë në qytetin tuaj ishin prezent tri delegacione, mund të më thoni cilat qenë objektivat dhe çfarë arritët?

Po, është e vërtetë. Këto katër ditë të ftuarit tanë ishin delegacioni shqiptar, delegacioni kosovar dhe ai gjerman. Objektivi ishte që të njihnim në nivel internacional kulturën tonë mesdhetare, atë të Pulias, të Barit dhe të Palo del Colle-s. Projekti ynë është të krijojmë energji social-ekonomike nëpërmjet dy vendeve, Shqipëri-Itali, Kosovë-Itali, Gjermani-Itali etj. Objektivi u arrit, sepse delegacionet njohën kulturën tonë e me siguri do ta përcjellin atë në vendet e tyre.

Nga sa u vu re, ky takim midis delegacioneve përkon me festën e “Palio del Viccio”. Mund të na bëni një prezantim të kësaj feste?

Revokimi i kohës mesjetare u vu në skenë për të përjetuar sheshin “Santa Croce” (Kryqi i shenjtë) dhe kohën e lindjes së kësaj feste. Është një festë mesjetare dhe ne donim të kujtonim origjinën tonë.

Në qytetin tuaj ka një bashkëjetesë harmonike midis italianëve dhe shqiptarëve. Sa të kujdesshëm jeni ju me emigrantët?

Këtu dua të bëj dy reflektime. E para, ne jemi shumë të kujdesshëm, sepse, siç e demonstruam edhe më 15.02.2014, te “Festa e Integrimit” që u organizua nga shoqata “L’Onda Perfetta” (Dallga perfekte), me presidente Parashqevi Capo, një studente shqiptare, administrata e komunës sonë ishte prezent. E dyta, ne jemi të kujdesshëm edhe sepse në vitet 60 të shekullit që kemi lënë pas kanë qenë baballarët tanë emigrantë në Gjermani, Kanada, Amerikë. Shqipëria, në mënyrë të veçantë ka qenë gjithmonë një tokë kufiri, ashtu si Puglia që bashkon Europën me Lindjen. Pulia dhe Shqipëria janë dy tokat që mund të realizojnë Europën e Madhe.

Jeni shumë i ri dhe në detyrën e kryetarit të bashkisë ju shohin me simpati. Cili ishte slogani juaj gjatë zgjedhjeve?

Con te ridisegniamo una nuova Palo del Colle – Me ty për një Palo del Colle të re.

Cilat janë objektivat që keni arritur në këto vite?

Hapëm një poliambulator të ri, një park prej 3 500 metrash katrore, një kopsht për fëmijë, një zonë të re artizanale, si dhe kemi zgjeruar një rrugë të asfaltuar. Gjithashtu i kemi treguar kujdes kulturës, duke prezantuar çdo muaj një libër; rikthim të taksave nëpërmjet evazionit fiskal, por kemi organizuar edhe makinën administrative, duke ndjekur një vizion timin personal.

Kujt partie politike i përkisni ju?

Qendrës së djathtë, Partisë Forza Italia, me një mentalitet riformist për vendin.

Matteo Renzi është një politikan i ri dhe u zgjodh kryeministër. Çfarë do të thotë kjo për ju? Është një erë e re për politikën italiane dhe shembull për të rinjtë?

Edhe pse jemi në anë të kundërta politike, kam shumë besim te qeveria “Renzi” për dy motive: e para, sepse është i ri dhe nuk mund t’ia lejojë vetes që të luajë keq; e dyta, sepse është hera e parë që një kryetari bashkie i jepet posti i kryeministrit. Dhe asnjë më mirë se ai nuk mund t’i njohë problemet që janë në bazë të qytetarëve. Po, ai mund të jetë një shembull dhe, pse jo, një erë e re për politikën italiane.

Cilat janë objektivat tuaja për të ardhmen?

Objektivat e mia janë që të bëhem pjesë integruese e zgjedhjeve reformiste në Itali dhe Europë.

Meqenëse jemi te këto dy vende, ku bashkohen e ku dallohen Pulia dhe Shqipëria?

Pulia dhe Shqipëria janë të ndara nga një gjuhë deti, që nuk është veçse një volum uji që bashkon dy toka kufitare: një është Pulia e Europës dhe tjetra Shqipëria e Lindjes, të cilat së bashku kanë detyrën prestigjioze ta forcojnë atë lidhje që duhet t’i japë jetë Europës së Madhe. Pulia dhe Shqipëria janë të bashkuara nga marrëdhënie tregtare e sociale, që kanë filluar në vitin e largët 1991, më 7 mars, kur 27 000 vëllezër shqiptarë u larguan nga kriza ekonomike e nga diktatura për të gjetur mikpritje në Pulian tonë të dashur dhe tashmë të tyre.

Si ju duken shqiptarët? A keni miq shqiptarë?

Shqiptarët janë njerëz inteligjentë e të dashur. Që nga viti i trishtë i 1991-shit ne këtu i ndiejmë ata si vëllezërit tanë, sepse vështruam në fytyrat e tyre trishtimin tonë të viteve 60, kur ishim ne emigrantë në tokat e Europës Veriore, për të gjetur një vend pune e t’u ndërtonim një të ardhme fëmijëve tanë. Nuk kam miq shqiptarë, por njoh një person të bukur me emrin Paci (Parashqevi Capo), shqiptare me origjinë dhe italiane e adoptuar, që me kokëfortësinë e saj, thjeshtësinë, ndershmërinë dhe buzëqeshjen që mbart ka fituar zemrat tona e ka dhënë shembullin se sa të dashur janë vëllezërit tanë shqiptarë. Kam njohur edhe prindërit e saj, njerëz të jashtëzakonshëm, që me djersën e tyre dhe përkushtimin në punë janë integruar totalisht në jetën italiane, puliese e palese.

Jemi kaq pranë gjeografikisht, por mund të na thoni se kur keni dëgjuar të flitet për Shqipërinë dhe cila ka qenë përshtypja e parë për këtë vend?

Me siguri kam dëgjuar që në shkollën fillore, kur fillova të studioja gjeografi. Përshtypja e parë që na ngulitej ishte ajo e një toke në zhvillim, me probleme të ndryshme ekonomike. Pastaj, me kalimin e kohës, kam krijuar një bindje pozitive nëpërmjet shërbimeve televizive e artikujve të gazetave, kur kam mësuar për rritjen ekonomike që ka arritur Shqipëria vitet e fundit, e deri në pikën që ka pasur një fenomen pozitiv, emigracioni nga Italia drejt Shqipërisë.

Pas një aktiviteti politik, a mendoni se nesër mund të jeni ju pjesë e Parlamentit Italian?

Duhet të falënderoj qytetarët e mi që më zgjodhën “qytetar të parë” në qytetin tim të lindjes; dhe kjo më mjafton. Do të isha shumë krenar, nëse do të bëhesha pjesë e ndryshimeve të Italisë sonë, nëpërmjet një rivizitimi të legjislaturës dhe thjeshtësimi të procedurave për të ndërtuar biznese, por nuk është kjo ambicia ime kryesore, të bëhem parlamentar. Nuk dua të jetoj në politikë gjithë jetën, porse dëshiroj t’i shërbej shtetit tim përkohësisht.

 

 

Kush është Domenico Conte

Kryetari i Bashkisë së Palo del Colle, Domenico Conte, ka lindur në një familje të krishterë, është laureuar në Inxhinieri Civile në Politeknikun e Barit dhe, menjëherë pas studimeve ka filluar punë si inxhinier në një kompani që merret me punimet publike. Që në fëmijëri Domenico frekuentoi grupin e skaute-ve, ku u rrit me vlerat e altruizmit dhe të solidaritetit ndaj më të dobëtëve. Kur ishte 15 vjeç bëhet arbitër futbolli, hob ky që e shoqëroi deri në moshën 25-vjeçare. Më pas transferohet në Portugali e pastaj në Spanjë, për të thelluar studimet e tij. Pas kompletimit në profesion, kthehet në vendin e tij për të hapur disa aktivitete biznesi. Në moshën 33-vjeçare kandidohet për kryetar bashkie në Palo del Colle, garë që e fiton që në turnin e parë. Pas një viti martohet me Maria Antonietten. Ka një vëlla më të vogël të laureuar në ekonomi dhe një motër më të madhe inxhiniere, me të cilën, bashkë me prindërit e mrekullueshëm ka ndarë momente shumë të bukura.