To top
2 Maj

E dhunuar gjatë luftës në Kosovë, Krasniqi: Torturuesit e mi janë ende të lirë

Pasi i kishte ndarë edhe më herët abuzimet e kryera ndaj saj nga ana e serbëve, gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman nuk është ndalur, por këtë herë ka rirrëfyer përjetimet e saj të hidhura përpara Kongresit Amerikan duke kërkuar vetëm drejtësi.
Ajo ka thënë para kongresmenëve se pavarësisht se kanë kaluar gai 20 vjet ndihet shumë e zhgënjyer dhe se vetëm kur të vendoset drejtësi do arrijë të gjejë paqe.

Ka 13 vite që jam shtetase e SHBA-së mirëpo SHBA-të nuk kanë bërë asgjë për mua deri tani, por nuk ka bërë as vendi im Kosova, të dyja vendet më kanë zhgënjyer. Por shpresoj që nëse jo për mua të sjellin drejtësi për viktimat e tjera”, tha Krasniqi-Goodman.
Në seancën dëgjimore me temë “Viktimat e luftës në Kosovë- Në kërkim të drejtësisë”që u zhvillua në Uashington qëllimi kryesor ishte vendosja e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë , me theks të veçantë te viktimat e përdhunimeve , një prej të cilave është edhe Vasfije Krasniqi Goodman.
Megjithëse kanë kaluar gati 20 vjet nga lufta në Kosovë, ku tmerret e përjetuara nga serbët kane qenë të papërshkrueshme, dënimet kanë qenë të papërfillshme. Kjo gjë është pohuar edhe nga Dr. Paul Williams, i Universitetit Amerikan në Uashington, i cili sqaroi se Gjykata e Hagës ka dënuar vetëm 6 serbë në lidhje me këto krime, por asnjë prej tyre nuk ka patur akuzë për krime seksuale.
Është e qartë nga dëshmitë e tyre të shkruara se viktimat shqiptare të Kosovës vuajnë nga hendeku i llogaridhënies. Gjatë luftës, forcat e armatosura nga regjimi serb kanë kryer gjenocid, vrasje në masë, tortura, dhunime të shumta, deportime të mëdha për të arritur qëllimet dhe objektivat e tyre ushtarake dhe politike. Kjo fushatë e terrorit dhe shkatërrimit ishte dizajnuar dhe implementuar nga nivelet e larta të regjimit serb, i cili kërkoi dhjetëra e qindra persona që dëshironin t’i kryenin këto krime dhe la dhjetëra e qindra viktima. Çdo viktimë duet të ketë drejtësi dhe çdo autor i krimit duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tyre. Është e rëndësishme të mos kërkohet mbajtja e “të gjitha anëve” si përgjegjës, e cila mund të krijojë një ekuivalencë të rreme mes të gjitha anëve”, tha Williams.
Vasfije Krasniqi Goodman ka patur guxmin të tregojë se si ka rënë pre e përdhunimit nga ushtarët serbë , por cila është në fakt historia e saj?
Ishte vetëm 16 vjeç kur një polic serb e rrëmbeu atë në sy të nënës që bërtiste, xhaxhait dhe 3 kushërinjve të saj. Pas kërcënimeve mbi jetën, askush prej të afërmve të saj nuk mund të bënte asgjë. Polici mbante me vete një automatik AK47 dhe një thikë, ndërkohë që gjithë të tjerët ishin të paarmatosur. Vasfija tregon se polici e çoi në një fshat serb dhe se nëse do të qante, ai do të kalonte thikën përmes trupit të saj.
Unë humbisja ndjenjat herë pas here, dhe çdo herë e shihja atë sipër vetes. Pas aktit të dhunshëm ai më la në një makinë dhe dikush tjetër abuzoi sërish me mua pasi më dërgoi në një shtëpi. U jam lutur shumë që të më vrisnin, por e vetmja përgjigje ishte “do të vuash më shumë në këtë mënyrë”, dhe kishin të drejtë. Që nga ai moment dhe 19 vjet më vonë unë ende vuaj e s’kam për ta harruar kurrë datën 14 prill,- thotë ajo.
Kur më kthyen në shtëpi e gjeta nënën time duke qarë. Në atë moment ne u larguam prej aty për tu fshehur në male dhe nuk u kthyem deri sa mbaroi lufta në vitin 1999.
Vasfije Krasniqi Goodman kaloi vite pa folur me askënd veç policisë dhe Kombeve të Bashkuara. Ajo ka luftuar për drejtësi nga 1999-ta deri në 2014, por gjykata i ka lënë abuzuesit të lirë për mungesë provash. Familja e saj nuk fliste kurrë për ndodhinë, megjithëse të gjithë ishin të vetëdijshëm për çka kishte ndodhur. Në vitin 2010 ajo vendosi të thyejë heshtjen dhe tregoi në mënyrë të detajuar historinë e saj.
Sot Vasfije Krasniqi Goodman është nënë e dy fëmijëve, dhe është themeluese e organizatës “Drejtësi për të gjithë”, ku nëpërmjet saj kërkon të zbardhen shumë të vërteta, për gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Sipas saj ato nuk janë “ndëshkuar” vetëm në luftë, por edhe nga familjarët e tyre.
Gjatë luftës së Kosovës në shumë se 20 000 gra e vajza është ushtruar dhunë seksuale, fizike e psikologjike nga policë serbë e jugosllavë duke lënë pasoja të rënda emocionale tek to. Të rrethuara nga turpi dhe stigma në shoqërinë shqiptareë shumë prej tyre ende vuajnë ato që i kanë ndodhur pa ia rrëfyer askujt krimet e rënda të serbëve.