To top
10 Qer

Egli Haxhiraj, avokati i suksesit

Ai është padyshim një nga avokatët më in në kryeqytet. Ndryshe njihet si avokati i Vip-ve për arsyen se shpeshherë punon me ta. Egli Haxhiraj është vlerësuar së fundmi, si një nga sipërmarrësit më të suksesshëm shqiptarë në listën e “40 under 40”. Pas studimeve në Itali u vendos në Tiranë, ku ushtron dhe profesionin e bukur dhe sfidues të avokatisë. Në një intervistë të gjatë z. Haxhiraj rrëfen studimet, eksperiencën në Itali, kthimin dhe punën në Tiranë, studion private, bashkëpunimet me kompanitë ndërkombëtare dhe prurjet e investitorëve ndërkombëtarë në Shqipëri…

Nga Klarisa Qosja

Haxhiraj prej pak vitesh jeni kthyer në Shqipëri me një studio tuajën të avokatisë na thoni diçka më shumë…

Unë jam diplomuar si Doktor në Jurisprudencë me një diplomë Magjistrale në Universitetin e Parmës në Itali, pas studimeve u ktheva në Shqipëri nëpërmjet një programi të atëhereshëm për të rikthyer në vendlindje studentët ekselent që ishin diplomuar jashtë. Me të ardhur në Shqipëri për një kohë të gjatë punova si Avokat në një studio të rëndësishme të Kryeqytetit, e më vonë si Këshilltar Ligjor, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Pas disa vitesh me detyrën e rëndësishme të Këshilltarit Ligjor themelova Studion Ligjore dhe Fiskale “Fare Impresa”. Themelimi i Studios Fare Impresa® ka qenë një kapërcim i jashtëzakonshëm nga “stutus quo”- ja në të cilën unë ndodhesha. Ishte vërtet një hap i madh besimi në vetvete dhe në aftësitë e mia. Ama drejtimi i biznesit tim ka qenë dhjetë fish më i vështirë. Unë kam punuar shumë, si në fazat e para të themelimit ashtu edhe më tej në faza mjaft të vështira menaxhuese, nëpër të cilat kanë kaluar kompanitë e mija. Duke e parë tashmë në retrospektivë, mendoj se ato që më kanë ndihmuar më shumë të përballoj etapat e vështira, nuk kanë qenë vetëm puna, talenti, lidershipi apo fakti që isha në kohën dhe vendin e duhur. Në fakt kanë qenë të gjitha këto të marra bashkë në një paketë të vetme aftësish vendimtare.

Studio juaj çfarë llojë natyre çështjesh ndjek?

Studio Ligjore dhe Fiskale Fare Impresa® është një faktor i rëndësishëm në tregun e konsulencës ligjore, tatimore dhe kontabël në Shqipëri. Ne ofrojmë konsulenceë për kompanitë ndërkombëtare dhe kryesisht italiane që investojnë në Shqipëri. Përmes stafit i cili aktualisht përbëhet nga 10 profesionistë, avokat dhe ekonomistë të specializuar jashtë, Firma ofron shërbime konsulence dhe asistencë në të gjitha fushat e ligjit, negocimin, përgatitjen dhe ekzekutimin e llojeve të ndryshme të kontratave, marrëveshjeve dhe akteve ligjore. Studio gjithashtu ofron konsulencë në fushën e taksave, financave dhe kontabilitetit me cilësi të lartë. Sot Studio jonë është një nga më të mirat në tregun e këshillimit juridik dhe kontabilitetit për investime direkte italiane në Shqipëri. Gjithashtu prej disa vitesh studio jonë është e fokusuar në konsulencën e artistëve të ndryshëm shqiptarë dhe italianë, të cilët punojnë në botën e spektaklit, ky fakt më ka vlejtur edhe titullin “Avokati i Vip”-ve. Një prej bashkëpunimeve të fundit që kemi ndjekur ka qenë edhe puna e konsulencës me “Top Channel” dhe konkretisht programin e suksesshëm Big Brother Vip.

Ju keni studiuar në Itali në Universitetin e Parmas, për juridik, ndryshimi mes programeve tona studimore dhe eksperiencës atje?

Eksperienca në Universitetin e Parmës në Itali ka qenë shumë e bukur por edhe e vështirë. Fakulteti i Jurisprudencës është një ndër më sfiduesit për shkak se programet Universitare janë më shumë voluminoze se në Shqipëri. Italia ka shekuj të tërë me literaturë në fushën e të drejtës, por edhe jurisprudencë me shumë vendime të Gjykatës së lartë të cilat prekin pothuajse çdo aspekt. Profesorët në Itali janë më të përkushtuar në përgjithësi, janë të përzgjedhur midis profesionistëve dhe akademikët më të mirë, kam pasur vërtet fatin të kem profesor që më kanë trasmetuar pasionin për të drejtën por edhe një disiplinë të fortë dhe këmbëngulje veti që janë të domozdoshme në profesionin tonë. Mbaj mend profesorin e të Drejtës Romake i cili na thoshte gjithmonë cila ishte moto-ja i tij “Guta Cavat Lapidem” në latinisht do të thotë “Uji gërryhen dhe Shkëmbin”. Kjo është nga vetitë më të mira që kam mësuar në Itali të jesh persistent.

Cilat janë vështirësitë apo problematikat e avokatisë në Shqipëri?

Fjala “avokat” rrjedh nga latinishtja “ad vocatus” ose “i thirruri”, ai të cilit i drejtohet ç’dokush kur ka nevojë për ndihmë dhe zgjidhje ligjore të problemit. Shumë pak e dinë por në Romën antike, shpërblimi për avokatët ka qenë i ndaluar si shpërblim ata mund përfitonin vetëm dhurata, një shpërblim tjetër ishte fama, falë së cilës mund të ndërmerrej edhe një karrierë politike. Mendoj se për tu bërë avokat në radhë të parë duhet të kesh një veti të domozdoshme që është dëshira dhe pasioni për të ndihmuar të tjerët. Disa prej atyre që marrin thjesht liçencën e avokatit u mungon empatia e nevojshme për të ndihmuar klientët e tyre dhe shumë student të tjerë i futen studimeve juridike të shtyre nga familja, pa e pasur pasionin e nevojshëm, vokacionin por as talentin dhe durimin që nevojitet për të ndihmuar të tjerët. Mendoj se kriteret për tu pajisur me një liçencë avokatie duhet të jenë më selektive dhe të lidhura edhe me nevojat konkrete dhe hapsirat e tregut të punës.

Me sa dimë ju jeni një ndër avokatët e kompanive të huaja që vijnë në Shqipëri, si është interesi i të huajve për të investuar në Shqipëri dhe kryesisht në cilat fusha?

Italia është investitori kryesor në tregun shqiptar për sa i përket numrit të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme (kryesisht aktive në sektorët e prodhimit, ndërtimit dhe shërbimeve, turizmit dhe IT). Vitet e fundit, një sektor i zhvilluar shumë ka qenë ai i call center-it, i cili, duke përfituar nga njohja e madhe e gjuhës italiane, ka shënuar rritje eksponenciale. Një sektor tjetër që po përjeton një bum të vërtetë është ai i Startup-ëve të IT-së, faqeve të internetit, aplikacioneve, e-commerce dhe shtëpive softëerike që gjejnë në Shqipëri një parajsë ku mund të lëvizin për arsye taksash dhe më pas të operojnë në të gjithë botën falë internetit dhe teknologjise cloud. Për mendimin tim, Shqipëria është një parajsë për kompanitë e IT-së që operojnë Në të gjithë botën dhe nuk kanë nevojë për vendndodhje fizike, por kanë nevojë për inxhinierë të rinj që punojnë shumë mirë dhe me rroga konkurruese. Një tjetër sektor në bum të plotë është turizmi, shumë i preferuar nga kompanitë e vogla dhe të mesme italiane që operojnë në këtë sektor dhe që zakonisht janë të pranishme në bregdetin e bukur shqiptar, me restorante, Agriturizëm, hotele, agjenci udhëtimesh dhe BeachClub. Në këto vite, Shqipëria është kthyer në destinacionin kryesor të turistëve italianë. Një trend interesant janë edhe të ashtuquajturat shtëpi pushimi, shumë nga klientët tanë kanë blerë prona në qytetet bregdetare duke përfituar nga kostot shumë të ulëta në krahasim me Italinë dhe më pas i mobilojnë dhe i vendosin në faqe si AirBnb.  Me sa di ju keni publikuar se fundmi një libër që është kthyer në “Best Seller” në Itali.

Për çfarë flet libri dhe kur do ta lexojmë edhe në Shqip?

Po kam publikuar librin tim “Soluzione Estero” me shtëpinë botuese italiane “Rossini Editore”, një libër i cili gjendet në të gjitha libraritë atje, dhe jam i lumtur që ka kaluar të gjitha pritshmëritë e mia dhe patur një fare jehonë edhe në mediat italiane. “Soluzione Estero” flet per planifikimin e strategjive ligjore dhe fiskale për të hapur një kompani të suksesshme jashtë vendit, duke shmangur gabimet. Nuk është nje libër i zakonshëm teorik, por është një mix i strategjive të biznesit dhe njohurive konkrete që synojne në radhë të parë të ndryshojnë mendësinë e lexuesit. Këto janë të njëjtat strategji me të cilat kam ndihmuar më shumë se 500 sipërmarrës te huaj të investojnë jashtë vendit duke themeluar kompani të suksesshme dhe jetëgjata.

Kohët e fundit ka humbur besueshmëria në drejtësinë shqiptare, si mendoni se do të zgjidhet kjo?

Të jemi të sinqert sistemi ynë i drejtësisë historikisht nuk ka qenë asnjëherë i besueshëm. Në të gjitha etapat e historisë sonë sistemi ynë ka qenë hera – herës i cunguar ose i influencuar nga ideologji të ndryshme ose i paralizuar nga paaftësia dhe korrupsioni. Aktualisht sistemi i drejtësisë po reformohet nën presionin e shumë organizmave kombëtare dhe ndërkombëtare. Shpresat janë të mëdha te Reforma në Drejtësi, por ajo që nuk duhet të harrojmë është që të gjitha sistemet e bazuara në elementin njerëzor janë sisteme jo perfekte. Prandaj duhen vendosur pesha dhe barazpesha të mirëmenduara për të arritur një ekuilibër midis pushteteve në Shqipëri përfshirë atë gjyqësor. Në fund doja të shtoja vetëm që sistemi aktual është edhe fryt i mendësisë së qytetareve dhe nivelit të civilizimit të tyre. Nëse duam të ndryshojmë sistemin e drejtësisë, duhet në radhë të parë të ndryshojmë sistemin e vlerave dhe mendësisë që kemi ne si qytetarë dhe njëkohësisht përdorues të sistemit.

Çfarë duhet për të qenë një avokat i suksesshëm?

Sot, për fat të keq, jetojmë në një shoqëri që te shtyn të braktisesh ëndrrat e tua, qe te shtyn te besh nje jete qe nuk te perket vetëm për ta bërë dikë tjetër të lumtur. Kjo është arsyeja pse 5 vjet më parë vendosa të hap Fare Impresa, vendosa te hiqja dore nga karriera ime brenda sistemit gjyqesor si Keshilltar Ligjor prane Gjykates se Apelit Tirane dhe te ndiqja talentin dhe pasionin tim si avokat bizensi, keshtu duke impenjuar ditë per dite, për 5 vite të gjata arrita ta ralizoj ëndrrën time. Për mua suksesi nuk është rastësi! Suksesi kerkon te dalesh nga nga zona jote e komfortit, është te besh nje punë te vështirë dhe shumë sakrifica! Për të arritur suksesin duhet të kaloni shumë pengesa dhe të mos humbni asnjëherë pasionin për ate që po bëni. Por suksesi është edhe kënaqësi e madhe është të gëzosh frytet e punës tënde.

A keni ndjekur shembuj në jetën e përditshme apo keni një model parasysh gjatë ushtrimit të profesionit?

Mendoj se në drejtimin e një studio si Fare Impresa, avantazhi më i madh konkurues, që ka një profesionist është pikërisht “mendësia” e tij, pra mënyra si sillet apo reagon ndaj vështirësive. Një profesionist i duhet padyshim të jetë gjatë gjithë kohës pozitiv dhe i vetë motivuar. Por në shumë raste kur nuk e kam gjetur dot brenda vetes time motivimin apo pozitivitetin për të ecur përpara, më është dashur të konsultohem me Mentorët personalë me të cilët kam patur fatin të punoj në Itali. Ndonjëherë kemi nevojë për një mendim objektiv apo këshillën e dikujt tjetër, për të parë më qartë dhe për të ruajtur të pathyeshme disiplinën dhe përkushtimin e përditshëm në punë. Në veçanti nga mentoret e mi kam mësuar të përdor tri mënyrat për të pasur sukses në drejtimin e një biznesi dhe që i’a vlen t’i përmend: Mënyra e parë është nëpërmjet “imitimit” që është dhe mënyra më e thjeshtë, pra të shohësh çfarë kanë bërë bizneset e tjera kur kanë qenë përballë sfidave të ngjashme me ato të tuat. Mënyra e dytë është nëpërmjet “reflektimit” që është mënyra më e vështirë dhe që në fazat e para nuk e kam praktikuar, por e gjej si një ndër gjërat që bëj më shpesh kohët e fundit. Ndërsa mënyra e fundit është nëpërmjet “eksperiencës”, apo ajo më e hidhura e më me shumë kosto personale dhe financiare. Në menaxhimin e kompanive të mia më është dashur t’i përdor të treja mënyrat, por edhe pse parapëlqej ato dy të parat, në të vërtet është e treta eksperienca që sado e hidhur qofte më ka dhënë mësimet më të mira.

Cilat janë hobet dhe pasionet e avokat Haxhiraj?

Një nga pasionet e mia të mëdha është Arti, mund të them se kam një koleksion të admirueshëm me piktura e skulptura të artistëve figurativë shqiptarë, të cilat i ekzpozoj herë pas here edhe në evente dedikuar autorëve. Por kohën e lirë të them të drejtën i’a dedikoj shumë projekteve të mia të tjera në fushën e biznesit, leximi i librave të personave të suksesshëm më jep frymëzim, por edhe librat e marketingut dhe përmirësimit vetjak janë një pasion që kultivoj që herët në karrierën time dhe mund të them se është edhe një nga sekretet e suksesit tim.