To top
15 Dhj

Embëlsirat greke më të thjeshtat për festat tona!

Nga Mandalina Musta

🌲Gurabie të ëmbla për festa!

Një nga ëmbëlsirat greke më të thjeshta për tu përgatitur.

Unë vendosa të përgatis receten e “vjetër” të Zonjës Elenica.
Nje komshije nikoqire rreth të 80-ve.
Duke i’u dridhur duart prej moshës, Elenica, tregon me detaje, dëshirë dhe shumë nostalgji sekretet e kësaj recete tradicionale të shumëpëlqyer në vendin e saj dhe jo vetëm.

Sipas saj, sekreti është tek përzierja e gjapit me sheqerin pluhur rreth 10 minuta, dhe tek pjekja.

Nëse dëshironi t’i provoni, për rreth 40 gurabie ju duhen:

🌲400 gram gjalp;
🌲550-600 gram miell gjithëpërdorimshëm;
🌲200 gram sheqer pluhur;
🌲1 lugë ujë trëndafili (anthonero);
🌲1 lugë sode (e përziejmë me miellin);
🌲1 vanilje;
🌲30 ml koniak;
🌲200 gram bajame;
🌲Sheqer pluhur për pudrosje;

Përgatitja:

Perziejmë shumë mirë gjalpin në temperaturë ambjenti me sheqerin pluhur, derisa të përftohet një masë si krem…
Shtojmë vaniljen, ujin e trëndafilit, koniakun, dhe miellin me të cilin kemi përzier sodën.
Miellin e shtojmë pak e nga pak, duke e përzier njëkohësisht.

Pasi e punojmë masën mirë me duar dhe na përfohet një masë e njëjtë si brum, shtojmë bajamet.

Bajamet mund t’i zgjidhni si të dëshironi ( të pjekura, të papjekura, me lëvore ose jo)

Unë veprova si Zonja Elenica, i poqa bajamet me lëvore dhe kur i copëtova me thike, shumicës i ra lëvorja.

Pasi shtojmë bajamet, masa bëhet gati për pjekje.

Japim formën që dëshirojmë.
Unë i përgatita në formën klasike, gjysëm hënë.

Pjekim ne 170 gradë në furrë të parangrohur për rreth 15-17 min.
Gjithmonë në varësi të sobës.
Çdo amvise e njeh shumë mirë sobën e saj🙂