To top
26 Tet

Emiljana Palushaj & rruga drejt suksesit!

Sopranoja Emiljana Palushaj këtë herë erdhi tek publiku me një koncert recital në skenën e Teatrit Kombëtar dhe Baletit. Koncerti përmbante pjesë të spikatura nga repertori i literaturës operistike botërore, por risia e këtij koncerti ishte se këto pjesë ishin të pashfrytëzuara madje kishte edhe prej atyre që Emiljana i këndonte për herë të parë në Shqipëri. “Donizeti- Vieni o tu che ognor io chiam- Caterina “, “Cornaro”, “Rossini- L´Orgia”, “Gounod- IL ne revien pas- Faust” , “Tukici- Le tue sembianze” ,” La Vita e Sogno”,
“Wolf- Das verlassene magdlein“, “Tosti- Penso“ janë disa nga pjesët që do të luajë sopranoja Palushaj. Sigurisht nuk mund të mungonin edhe disa nga pjesët më të dashura të repertorit për soprano të interpretuara në koncert si: Verdi- Ave Maria, Otello, Puçini- Vissi d´Arte, Tosca. Në këtë koncert një vlerë shumë të madhe pati edhe pianistja Etrita Ibrahimi, e cila përveç rolit të saj si shoqëruese ajo ekzekutoi edhe dy pjesë të përzgjedhura pianistike si: C.Zadeja- Tokata, si edhe Debyssi- Feux d´artifice.
Emiljana Palushaj Sopranoja Emiljana Palushaj ka lindur në qytetin e Shkodrës, i cili mund të konsiderohet pa frikë si një pikënisje e karrierës së saj artistike në shkallë ndërkombëtare. Për të treguar mbi jetën artistike dhe profesionale të Emiljanës ndalemi fillimisht mes viteve 1998 dhe 2002, kohë kur ajo studion në shkollën e mesme artistike “Prenkë Jakova“ në Shkodër nën udhëheqjen e mësueses Mimozaa Rakaj. Për revistën Elitë, Palushaj tregon se qysh në shkollën e mesme ka filluar të „gllabërojë“ çmimet të cilët sigurisht vlerësonin punën dhe përkushtimin e saj. Eventi më i rëndësishëm i atyre viteve ishte pjesëmarrja në gusht të 2002 në konkursin “Pjetër Gaci” ku u vlerësua me çmimin e parë. Pikërisht pas këtij çmimi ajo konkuron në shtator të 2002 në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku shpallet fituese për të ndjekur studimet e larta për kanto nën drejtimin e Prof. Shqipe Mingomataj. Duke qenë se shkëlqeu në vitet e studimeve, Akademia e Arteve e angazhon me koncerte në të gjithë Shqipërinë, të cilat u ndoqën më pas me koncerte ndërkombëtare. Aktualisht ajo është koriste pranë TKOB, pedagoge në “Universitetin e Arteve“ në Tiranë dhe pedagoge në “Akademinë e Arteve“ në Shkodër. Në korrik të 2014 asaj i ofrohet një bursë studimi për të ndjekur Masterclass-in me sopranon Monika Lukacs dhe pianistin Stefano Ligoratti, duke përmbledhur gjithë punën me një koncert final ne Sala Liberty, Milano- Itali. “Masterclass zgjati një javë nga data 7-13 korrik 2014 në Milano,Itali me soprano Monika Lukacs dhe pianistin Stefano Ligoratti, të cilët pasi me kishin dëgjuar në shfaqjen e operas “Cosi Fan Tutte” të Mozart në rolin e Fiordiligi në Tiranë, më ofruan një bursë studimi për të marrë pjesë në këtë masterclass. Ishte një eksperiencë frytdhënëse dhe si kurorëzim i të gjithë punës së bërë. Ndërsa u organizua edhe një tjetër koncert që u mbajt në Circo Filologico, Sala LibertY – Milano, Itali. Në këtë koncert interpretova dy arie: Merce dilette amice nga “I vespri siciliani” si edhe Vissi d’Arte nga “Tosca”. Tek kjo e fundit pothuajse i gjithë publiku në sallë u
përlot nga interpretimi dhe ndjeshmëria ime në këtë pjesë tregon Palushaj.