To top
9 Shk

Filantropia falce dhe shqiptarët

Do të kisha dashur vërtet që këto Krishtlindje që po trokasin dhe festa e ndërrimit të viteve të ishte e lumtur dhe e bukur për cilindo anekënd botës. Por, fatkeqësisht, profesioni im prej gazetare hulumtuese edhe e rasteve më tipike nuk më lejon ta besoj këtë përrallë, se festat e fundvitit do t’i gjejnë të gjithë të gëzuar e të kënaqur. Kjo gjë nuk do të ndodhë as këtë vit e vitin që do të vijë (shpresoj…po). Shumë fëmijë jetimë, shumë familje në nevojë dhe shumë persona të pakënaqur, të lënduar, të brengosur nga ngjarjet e fundvitit nuk do të festojnë edhe këtë vit. Arsyet janë nga më të thjeshtat.

Por unë mendoj se festa të gëzuara nuk do të mund të kalojnë as pasaniket apo miliarderët, nëse arsyeja dhe ndërgjegjja e tyre nuk do të jetë e qetë, për ato ditë dhe bëma që kanë lënë pas dhe, pse jo, për padrejtësitë që kanë bërë në kurriz të të tjerëve. Ndaj, këtë fundviti kopertinen e “Elite”-s po ia dedikojmë një njeriu tepër të fortë, një vajze tepër të ndjeshme, që me sakrifica dhe punë ka arritur të jetë nje filantrope, biznesmene e denjë, por edhe një politikane e së ardhmes tonë.

Keti Bazhdari ishte piketuar prej kohësh në mendjen time për të qenë një ndër personazhet e “Elite”-s, e cila i frymëzon mjaft të rinjtë në Shqipëri, por jo vetëm kaq.

Një filantrope modeste vetem 34 vjec, ka gëzuar shumë fëmijë dhe familje (kjo sipas statistikave) jo vetëm në çdo prag festash. Më besoni, njoh mjaft filantropë, të cilët nuk e bëjnë këtë me ndjenjë, por për show dhe shpesherë kërkojnë të mbushin faqet e medieve dhe ekranet, që kjo vetëm filantropi apo dhe bamirësi nuk mund të quhet. Keti Bazhdari është diçka ndryshe, e shpallur dhe pak kohë më parë si një filantrope e denjë, ajo vjen në një rrëfimin të sinqertë dhe të pastër në këto prag festash.

Por jo vetëm kaq, në këtë numër ne kemi rezervuar për ju mjaft personazhe humane me vlera nga fusha të ndryshme. Ju mund të shfletoni faqet e “elite”, duke ju uruar sa më shumë dashuri të sinqertë për njëri-tjetrin, sa më shumë punë dhe përkushtim në atë çka keni marrë përsipër të realizoni. Vetëm kështu në ditët që do të vijnë do të ndiheni më të qetë e më të lumtur.

Krishtlindje të gëzuara për të gjithë shqiptarët kudo gjenden!