To top
11 Shk

Gazetarja dhe aktivistja Zenepe Luka humbet betejën me koronavirusin

Gazetarja e njohur, aktivistja dhe shkrimtarja e shquar, Zenepe Luka, ka humbur betejën me koronavirusin.

Ajo ishte e shtruar prej 5 dtësh tek spitali Infektiv, por nuk mundi t’i mbijetojë virusit të rrezikshëm.

Ikja e saj nga jeta ka lënë një boshllëk të madh në familjen e saj, tek të afërmit dhe miqtë, si dhe te gjithë komuniteti i gazetarëve.

Në vitin 1998 ajo strehoi në banesën e saj për 1 vit, familjen e nipit të të Isa Boletinit nga Vushtria e Kosovës gjatë krizës së refugjatëve. Si atëherë, dhe tani 21 vite më pas, ajo derë e familjes së gazetares mbetet e hapur.

Zenepe Luka (Çekrezi), lindi në Librazhd, ku mori edhe arësimin tetëvjeçar. Pasi përfundoi shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, kreu studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike në Tiranë dhe në maj të vitit 1973, u diplomua gazetare.

Profesionin e vështirë të gazetares e nisi në revistën “Shqiptarja e Re”, për të vijuar në gazetën lokale “Kukësi i Ri”, më pas në gazetat e përditshme “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” etj. Është e para gazetare e RTSH, në terren, që u vendos në Elbasan duke mbulluar edhe rrethet Gramsh e Librazhd.

Kontribut të veçantë ka dhënë në qytetin e saj të lindjes, ku për shumë vite ka punuar si lektore, hulumtuese në Muzeun Etnografik dhe në të njejtën kohë edhe gazetare e gazetës Bashkimi”. Nga viti 1994 deri në vitin 2004, ka qenë gazetare e gazetës “Koha Jonë” për Vlorën, më pas në gazetat “Ballkan” dhe “Telegraf”. Në maj të vitit 2020, mbushi 47 vjet karierë si gazetare në terren me 12.000 shkrime të botuara, ku dominojnë zhanret e intervistës, reportazhit, kronikës, etj.

Zenepe Luka, duke qënë gjithë kohën gazetare e terrenit, i është dashur të  përballojë vështirësitë, për të pasqyruar në faqet e gazetës shqetësimin e njerëzve të thjeshtë, duke u ndeshur edhe me presionin e shtetit. Ajo ka rriskuar, si askush tjetër për periudhën kur ishte gazetare e gazetës “Koha Jonë” në Vlorë, duke provuar dhunën e policisë, presionet e trafikantëve, për të mbërritur në aktin fundamentalist, vendosjen e tritolit në banesë më 10 maj të vitit 1998, ku u shkatërrua banesa dhe u plagosën dy fëmijët.

Gazetarja vlerësohet nga lexuesit, ndërsa është përballur me presione të pushtetarëve që janë kritikuar prej saj. Zenepe Luka është vlerësuar nga këngëtari i madh Italian Al Bano Karrisi, që i ka akorduar Premion” Zenepe Luka është Oriana Falasci shqiptare”. Me rastin e 45 vjetorit të karierës, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, e vlerësoi me “Mirënjohje”,  ndërsa Unioni i gazetarëve në Vlorë me çmimin “Petro Marko”.