To top
6 Dhj

Gjobë deri në 7200 Euro për personat që refuzojnë të vaksinohen kundër Covid-19

Banorët austriakë që refuzojnë të marrin vaksinën kundër Covid-19 nga muaji shkurt, kur vaksinimi do të bëhet i detyrueshëm, do të përballen me gjoba deri në 7200 euro, zbulon një draft i ri i ligjit të Austrisë për vaksinimin kundër Covid-19.

Vaksinimi i detyrueshëm do të zbatohet për të gjithë ata që kanë vendbanim të përhershëm në Austri. Sipas projekt-rregullores së parë nga gazeta austriake die Presse, përjashtohen vetëm ata që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore .

Në draft nuk bëhet e qartë nëse do të jenë të detyrueshme edhe vaksinat përforcuese.

Të gjithë ata që refuzojnë të vaksinohen do të thirren në autoritetet e administratës së qarkut. Nëse e shpërfillin thirrjen dy herë, do të gjobiten me 3600 euro. Nëse refuzimi i tyre për t’u vaksinuar i vë personat e tjerë në “rrezik serioz” ose nëse vazhdojnë të injorojnë urdhrin ata dop të gjobiten deri në 7200 euro.

Projektligji do të paraqitet më 6 dhjetor, por die Presse ka marrë paraprakisht draft propozimin paraprak.

Për shkak të rritjes së shpejtë të infeksioneve, Austria ndërmori hapa drastikë për të trajtuar valën e katërt COVID. Qeveria prezantoi një bllokim të plotë më 22 nëntor, krahas njoftimit se vaksinimet do të bëheshin të detyrueshme për të parandaluar daljen jashtë kontrollit të krizës shëndetësore.