Glykeria, këngëtarja ikonë e muzikës greke ka mbërritur në Tiranë për koncertin që do të ndezë mbrëmjen e sotme Amfiteatrin pranë Liqenit të Tiranës. E shoqëruar nga një bandë prej 14 muzikantësh drejtuar nga kompozitori dhe muzikanti shqiptar Dasho Kurti, i cili është dhe koncert maestër i Janis Parios e Jorgo Dallaras, artistja me famë ndërkombëtare është pritur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i ka dhuruar Glykerias simbolin e Kullën së Sahatit si një memuar nga kryeqyteti shqiptar.
“Jam shumë i lumtur që Glykeria dhe gjithë banda e saj është sot me ne në Tiranë. Unë them që muzika i bashkon popujt dhe ashtu siç kemi këngë greke dhe këngë shqiptare që do na kënaqin sot tek Amfiteatri, gjatë javës do jetë Ermal Meta me një bandë italo-shqiptare. Ndaj, besoj që, kur fqinjët komunikojnë me një gjuhë që e kuptojnë të gjithë, siç është gjuha e muzikës, gjuha e të bukurës, e dashurisë dhe e këngës, garantojmë një fqinjësi të mirë. Është shumë e rëndësishme që kryeministrat janë miq, që kryetarët e Bashkive janë miq, por, kur njerëzit janë ata që shkëmbejnë numra përditë, atëherë edhe fqinjësia jonë është e garantuar,” u shpreh Veliaj.
Këngëtarja ndër më të suksesshmet në historinë e këngës popullore greke ka shprehur mirënjohjen e saj për mikpritjen që i ka bërë Tirana, qytetin që siç u shpreh ajo e ka mrekulluar.
“Qyteti është i mrekullueshëm! Ju falënderoj që më dhatë mundësinë ta vizitoja! Ndodhemi që dje këtu dhe mikpritja që na është bërë është shumë e ngrohtë. Darkuam në një restorant ku njerëzit erdhën dhe na përshëndetën. Patëm rastin të vizitojmë qytetin i cili ka ndryshuar shumë dhe është i mrekullueshëm. E falënderojmë shumë kryebashkiakun që na priti në zyrë për të gjithë mikpritjen, sepse gjetëm një njeri të ri në moshë, shumë dinamik dhe i prirur për t’u marrë me të gjitha çështjet aktuale të qytetit,” tha mes të tjerash këngëtarja greke.