To top
11 Maj

Hapet Piramida e Tiranës! Rama: Ëndërr e bërë realitet

Pas disa muajsh në rikonstruktim, sot është hapur Piramida e Tiranës. Me vargjet e shkrimtarit Ismail Kadare, Erion Veliaj tha se është “shndërruar në një ndërtesë që hapet për ngazëllim”. Ai tha se kjo godinë do të shërbejë si një qendër e madhe digjitale në Ballkan për të rinjtë dhe të rejat.

“U nis një ngrehinë për dëshpërim dhe tani hapet për ngazëllim”, tha Veliaj.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama zgjodhi që të bënte një historik të shkurtër të rrugëtimit të kësaj godine, duke thënë se tashmë është një ëndërr e tij që është bërë realitet.

“Është një nga ëndrrat e mia më intensive që bëhet realitet, ka qenë një pikëpyetje prej shumë vitesh që kur unë isha ministër kulture, ishte një hapësirë në degradim, e ndarë në kioska për shërbime të ndryshme dhe ajo që i mungonte ishte njerëzit. Dhe nuk ka qenë aspak e lehtë”, tha Rama.

Godina do të ndahet sipas projektit në 18 salla që do të mbulojnë edhe pjesën didaktike për fëmijët dhe lehtësitë  si inkubator për startup-esh, ku sipërmarrës të rinj në fushën digjitale mund të projektojnë dhe eksperimentojnë produktet e tyre.

Institucioni arsimor TUMO Tirana do të drejtojë Piramidën pas rinovimit të saj. Ai do të ofrojë programe arsimore parashkollore për 12 – 18-vjeçarët, si robotika, animacioni, zhvillimi i lojërave, muzika dhe filmi.