To top
24 Tet

I destinuar për të qenë kryeministër i Britanisë? Sunak sërish në garë

Ky është kandidimi i dytë i ish-ministrit të Financave për kryeministër brenda pak muajsh. Ish-shefi i tij Boris Johnson nuk do të kandidojë dhe deklaroi mbështetjen për atë që do të jetë kryeministër i ardhshëm.
Ish-ministri i financave i Britanisë, Rishi Sunak, shpalli të dielën kandidaturën e tij për të zëvendësuar Liz Truss-in si kryeministër.

“Mbretëria e Bashkuar është një vend i mrekullueshëm, por ne po përballemi me një krizë të thellë ekonomike”, shkroi ai në Twitter.

“Kjo është arsyeja pse unë kandidoj për të qenë kreu i Partisë Konservatore dhe kryeministri juaj i ardhshëm”. Kjo është oferta e dytë e 42-vjeçarit për kryeministër brenda pak muajsh. Sunak u mund nga Trussi në një votim për udhëheqjen e partisë në shtator, pas rënies së ish-kryeministrit Boris Johnson.

Këtë herë, Sunaku duket se ka më shumë mbështetje partiake sesa rivalja e tij – ish-ministrja e mbrojtjes Penny Mordaunt. Mordaunt deklaroi kandidaturën e saj të premten.
Boris Johnson nuk rikthehet

 

Kurse ish-kryeministri, Boris Johnson nuk do të kandidojë, siç flitej më parë. Johnson tha, se e ka mbështetjen e 102 deputetëve, por qëndron shumë pas ish-ministrit të Financave, Sunak. “Besoj se kam shumë për të ofruar, por kam frikë, se ky nuk është momenti i duhur”, ka thënë Johnson. Johnsoni u detyrua të largohej nga detyra në korrik mes skandalesh, pasi Sunaku dha dorëheqjen si ministër i Financave, duke shkaktuar një valë dorëheqjesh.

 

Gara e lidershipit pason vendimin e kryeministres Truss për të dhënë dorëheqjen të enjten pas vetëm 45 ditësh në detyrë. Partia Konservatore po organizon një konkurs të përshpejtuar për emërimin e kryeministrit të ri brenda një jave.

Sipas rregullave, maksimumi tre kandidatë mund të kualifikohen pas një votimi mes ligjvënësve të hënën. Po të jetë e nevojshme 172.000 anëtarët e partisë më pas do të vendosin midis dy fituesve në një votim online të premten.

Kandidatët duhet të marrin 100 emërime nga ligjvënësit konservatorë për t’u kualifikuar. Sipas të dhënave jozyrtare nga Sky News dhe BBC, Sunaku ka mbështetjen e më shumë se 120 njerëzve.

“Do të ketë integritet, profesionalizëm dhe llogaridhënie në të gjitha nivelet e qeverisë që do të drejtoj dhe do të punoj çdo ditë për të kryer punën,” tha Sunaku në një deklaratë. “Unë ju kërkoj mundësinë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve tona.”
Suella Braverman, ministrja e Brendshme e Liz Truss-it dhe ish-pretendente për udhëheqje, u bë emri i fundit i profilit të lartë që deklaroi mbështetjen e saj për Sunakun të dielën.

“Nëse duam t’i shërbejmë popullit britanik me sukses, Partia Konservatore ka nevojë për unitet, stabilitet dhe aftësi për të zgjidhur sfidat me të cilat përballemi,” shkroi Braverman në një artikull në Daily Telegraph duke deklaruar pozicionin e saj. “Kjo është arsyeja pse unë jam krenare që mbështes Rishi Sunakun për t’u bërë udhëheqësi dhe kryeministri ynë.”

Bravermani u bashkohet disa anëtarëve të tjerë të shquar të krahut të djathtë të partisë dhe ose të krahut të fortë të Brexit-it, të cilët tani mbështesin Sunakun, si ish-negociatori i Brexit-it, David Frost dhe ish-shefi i Grupit Kërkimor Evropian, Steve Baker, të cilët dikur ishin aleatë të Johnson-it.
Rreth 24 ligjvënës kanë premtuar publikisht mbështetjen e tyre për Mordaunt, kurse për Johnsoni flitej se kishte mbështetjen e rreth 50 personave. 357 ligjvënës konservatorë të Britanisë nuk kanë thënë ende se kë do të mbështesin. Ndërkohë, opozita kryesore laburiste bën thirrje për zgjedhje të përgjithshme. “Vendi duhet të heqë qafe këtë kaos,” tha lideri laburist Keir Starmer për BBC.