To top
31 Mar

Komunikimi është zgjidhje dhe zgjedhje

 

 

Intervistoi: Erlinda Kasaj

 

Në Universitetin Europian të Tiranës njihemi me pedagogen, Dr. Holta Heba, që mban edhe pozicionin e Sekretares së Përgjithshme të këtij universiteti. Ajo bën diferencën me detajet e saj, që nga hyrja në auditore, praninë e së cilës studentët e duan pa u lodhur aspak, për thjeshtësinë dhe komunikimin, për sportivitetin dhe optimizmin që paraqet. Komunikimi perfekt kërkon origjinalitet, origjinalitet që shfaqet në çdo detaj të prezencës së saj .

 

 1- Në universitete shpesh hasemi me pedagogun statik,’tipa të ngrirë’ ju mesa duket keni

thyer akullin, prezenca juaj në auditore vjen aq e lirshme saqë studentët kanë pohuar se do të dëshironin t’ju kishin të pranishme orë pafund. Si i’a bëni që studentët nuk i merr gjumi në auditore dhe mos të ktheheni në mërzitje?

 

17635274_457393301258647_4077086133604433413_oSë pari ju falenderoj për intervistën dhe fjalët e mira që dëgjoj për veten. Për sa i përket komunikimit tim me studentët mendoj se arti i mësimdhënies ështe derivat i artit te komunikimit. Personalisht aplikoj shumë formulën “ e dëgjimit të zërit” të studentit në auditor,duke e bërë orën mësimore më tërheqëse. Auditori përbëhet nga studentë që nuk i përkasin të njëjtit format dhe kulturë. Përvoja të ndryshme ballafaqohen në një orë mësimore ku gjithsecili paraqet opinione, ide dhe këndvështrime të dobishme për raportin profesor-student dhe student-student. Sot jetojmë në botën e informacionit dhe komunikimit interaktiv, ku studenti ka qasje në dije po aq sa pedagogu dhe kurrikulat mësimore janë bërë më dinamike, ndaj marrëdhënia pedagog-student ka ndryshuar. Në raportin tim me studentët, i bashkëngjitem statusit të ri qe ka marre profesioni ynë si “student i përjetshëm”, ndaj besoj se ketu qëndron dhe “celësi” i suksesit.

 

 17554296_457393434591967_2427155934299114332_n2- Shumica e pedagogëve mundohen të flasin me një ton që të jep përshtypjen e rreme të gjithë fuqishmërisë, me zërin ‘autoritar’, përjashtojnë pikëpamjet e kundërta, le të themi një trajtim tendencioz kundrejt studentit sipas një kallëpi të caktuar,interesi komercial apo edhe hakmarrje personale. Çfarë pretendohet me këtë mënyrë sjelljeje në auditore?

 

Zhvillimet teknologjike kane zbutur “autoritetin” e profesorit duke e kthyer atë hera-herës në student dhe duke I dhënë mundësinë studentit të performojë përmes aksesit në informacion shpesh në rolin e profesorit. Personalisht zotëroj një diksion të fortë në auditor, por nuk mendoj se autoriteti varet nga ky element. Jo më kot përmënda edhe më sipër modelin e vjetëruar, të vendosjes së autoritetit nëpërmjet mungesës së interaktivitetit. Absolutisht studenti është i lirë të ketë pikëpamje të kundërta me atë të pedagogut. E rëndësishme është që studenti të udhëhiqet nga profesori drejt dijes së mirëstrukturuar. Profesori, apo lënda sado e vështirë që të jetë për studentin, nuk mund të kthehet në një makth, ku studenti zgjedh më mirë të lërë orën e mësimit se sa të përthithë dijet e duhura. Interesi i profesorit duhet të jetë vetëm një: Të mos zhurmojë komunikimin në raport me studentin me autoritetin apo fuqinë e rreme si dhe të realizojë kalimin e mësimdhënies nga forma e monologut në atë të dialogut.

3- Në disa fusha studimi,informacioni është i pakundërshtueshëm, faktik. Po në Komunikim ka raste “të prera me thikë”, vetëm një apo disa burime evidente që quhen të vlefshme?!

 

Njerëzit janë të ndryshëm dhe të ngjashëm. Komunikimi është i vetmi mjet që na mundëson të njohim atë tjetrin që është ndryshe apo i ngjashëm me ne. Për aq kohë sa ekzistojnë diferencat, do të ekzistojnë edhe gjerat që nuk mund të priten me thikë. Komunikimi nuk është aksiomë. I njëjti fenomen shihet, përjetohet, dhe komunikohet në forma të ndryshme nga individë të ndryshëm. Njerëzimi, në shërbim të komunikimit vendos disa kode që na lejojnë të komunikojmë. Le të themi se lejimi i shumëinterpretimeve e shpie botën përpara drejt zhvillimit dhe jo anasjelltas. Edhe shkencat ekzakte në vetvete kanë nevojë për interpretim me qëllim që të kuptohen. S’mund të ketë gjëra të prera me thikë, për aq kohë sa humori i njeriut ndryshon nga dita në ditë. E sotmja ime nuk mund të jetë e njëjtë me të djeshmen time.

 

4- Të shfaqesh ‘Ndryshe’ në publik është realisht ‘e rrezikshme’ , jo të gjithë parapëlqejnë stilin e natyrshëm që i shkon përshtat individit,disa femra kultivojnë tek vetja dhe fëmijët se shfaqja në publik duhet mbajtur me një reputacion të mirë edhe pse me kosto oportune, shumë diskutim paraqet mënyra e të veshurit, shumë nëna vishen dhe veshin fëmijet me ‘veshje serioze’ kjo për të krijuar vetëm atë reputacionin e mirë dhe të paprekur. Mendoni se ja vlen të shfaqësh një personalitet tjetër nga ai aktuali për hir të publikut që të vëzhgon sipërfaqësisht?

 

Të gjithë përpiqen të jenë socialë dhe me kohën, ndaj është e domosdoshme që njeriu të përshtatet me mjedisin ku jeton. Nëse sot ndihem e përgjumur dhe dua të dal me pizhame nëpër qytet, askush nuk do të më pranonte si një njeri normal. Për të mos rrezikuar detyrohem t’I shkoj përshtat veshjes dhe mjedisit dhe në këtë mënyrë nuk rrezikoj të tregohem me gisht si delirante. Sigurisht që veshja është një element komunikues dhe tregon thuajse një pjesë të mirë të personalitetit dhe identitetit tonë, por nuk jam aspak dakord se një veshje serioze në public të jep mundësinë që të kesh një reputacion të mirë në shoqëri. Veshja natyrisht që të prezanton, por nuk është tipari që të definon. Një ndërthurje midis seriozes dhe sportives do të mund të ishte një tregues I mirë I personalitetit origjinal. Sigurisht të gjithë kemi një model që na pëlqen dhe ndjekim, dhe kështu pak nga modeli dhe pak nga origjinaliteti ynë, formojmë atë që quhet: Unë në komunikim me botën ku jetoj.

 

5-Si do të vepronte një eksperte e komunikimit nëqoftëse bashkëbiseduesi që ka përballë do të ‘ngulte këmbë’ tek mendimi i tij personal për një çështje të caktuar, a penalizohet dikush kur komunikon ‘gjëra në tym’ ?

 

Narcizmi është një fenomen i përhapur kryesisht në shoqëritë ku proceset e komunikimit dhe përhapja e informacionit janë në zhvillim e sipër dhe të pakonsoliduara për shkak të ndryshimeve sociale dhe kulturore që nuk kanë përfunduar ende. Dëgjimi i zërit të tjetrit, në radhë të parë është pjesë e etikës në komunikim, ç’ka është baza për një komunikim efektiv. Askush nuk mund të penalizohet nëse këmbëngul tek bindja e tij, ndryshe nga e jotja. Gjithsecili ka të drejtë të mbrojë bindjet e veta. Se sa është në gjendje ta bëjë këtë, ky është një problem tjetër që lidhet me mënyrën e komunikimit. Të gjithë kanë të drejtën e të menduarit dhe të komunikuarit të gjërave, sipas mënyrës së vet, por sigurisht brenda normave morale të etikës. Bashkëbiseduesi në këtë rast, mund të bindet se nuk po komunikon drejt, apo e ka gabim atë që thotë, vetëm nëse argumentet e mi janë tepër bindës dhe të faktuar.

 

 6- Jetojmë në një mjedis social ku komunikimi realizohet me shumë zhurmë, keqkuptime pafund dhe mosdëshirë për të dëgjuar njëri-tjetrin,mendoni se komunikimi është si ai muskuli që forcohet kur e ushtron përditë?

 

Komunikimi I ditëve të sotme është bërë tepër I larmishëm dhe kjo falë futjeve të mediave të reja, veçanërisht rrjeteve sociale. Pikërisht për këtë arsye, ekzistenca e zhurmave, keqkuptimeve, deformimeve në komunikimi bëhet e pashmangshme. Por, ajo që do ishte më shqetësuese, do ishte mungesa e komunikimit. Kjo e fundit do sillte shumë më shumë keqkuptime. Një komunikim I përdorur pastër do ishte burim i zgjidhjeve të keqkuptimeve që folëm më lart. Komunikimi nuk mund të jetë problem. Komunikimi është vetëm zgjidhje.

 

7 – Si mund t’a shpëtojmë të gjithë së bashku komunikimin?

E vetmja mundësi për të shpëtuar komunikimin është vetë komunikimi. Mendoj se është shumë thelbësore që përgjatë procesit të komunikimit të mbizoterojë komunikimi pozitiv dhe jo ai negativ. Komunikimi pozitiv realizohet kur etika e komunikimit respektohet nga bashkëbiseduesit pavarësisht statusit, bindjeve dhe formimeve të tyre. Brezi i ri duhet të nxitet dhe instruktohet, së pari për t’u integruar në shoqëri me ndjenjën e komunikimit pozitiv si e vetmja mënyrë për të qenë shoqërisht i pranuar dhe me përgjegjësinë sociale për t’a trajtuar tjetrin ashtu si do të donte t’a trajtonin atë. Komunikimi mund të shpëtojë nëse zhduket nëvleftësimi ndaj më të dobëtit dhe negativiteti ndaj tjetrit. Dhe kjo realizohet vetëm nëpërmjet një komunikimi etik. Komunikimi nuk cënohet nëse ndjenja e respektit, dhe dëshira e mirë për të vlerësuar njerëzit që na rrethojnë është më e madhe se sa dëmtimi, denigrimi dhe shpërfillja.

 

 8-Le të ndalim pak tek media e shkruar, shkrimet tuaja kanë qënë ato që kanë spikatur dhe kanë krijuar goxha debat. Kush janë nxitësit për të prodhuar shkrime kaq troditëse dhe të lexuara , nga e merrni frymëzimin?

 

Fakti që shkrimet e mia kanë nxitur debat, do të thotë që këndvështrimi me të cilin janë trajtuar temat, nuk hasen shpesh publikisht, por në fakt ekzistojnë dhe janë pjesë e përditëshmërisë sonë në bisedat ndërpersonale. Në fakt, nuk do t’i quaja shkrime tronditëse, pasi janë problematika që të gjithë ne përballemi me to shpesh dhe janë pjesë e jona. Si njohëse e fushës së komunikimit, nuk mund të qëndroj pa reaguar dhe pa shtjelluar emëruesin e përbashkët e të gjitha shkrimeve të mia që është: Problemi dhe zgjidhja në komunikimim. Qëllimi I shkrimeve të mia, nuk është të nxisë tronditje apo reagime negative, por të ngacmoj ndërgjegjen e pjesës më të madhe të shoqërisë, përfshirë këtu dhe veten time. Në fakt, jam e bindur se ajo që kam shkruar, artikulohet nën zë nga gjithsecili.

 

 9- Në momentin që korr sukses, dhe ngjitesh sa më lart, padiskutim do të fillojnë dhe ndjesitë negative të konkurrentëve. Mendoni se konkurrenca është një katalizator i mirë për të ecur përpara?

 

Ndjesitë janë njerëzore dhe nuk mund të thuhet se ekzistojnë vetëm ndjesitë positive. Në këtë kontekst, konkurrenca nuk varet nga perceptimet tona për atë, por nga modeli shoqëror që vepron në vetë shoqërinë. Konkurrenca si nocion, i vjen në ndihmë zhvillimit dhe sigurisht që është një katalizator për të ecur përpara. Ndjesitë negative të konkurrentëve janë pikërisht ata elementë që përbëjnë komunikimin negativ dhe cënojnë etikën e komunikimit. Nuk jemi larg komunikimit pozitiv. Mjafton që dëshira e mirë për ta parë kolegun apo bashkëudhëtarin sa më lart në karrierë, të jetë më e madhe se ndjenja për “ t’i futur bërrylat” apo “shkopinjtë nën rrota”.

 

10 – Komenti i vitit 2016 ka qënë : ” Pak femra, shumë plastikë…”. “Plastika” padiskutim është irrituar nga një koment i atillë, duke qënë se duam një shoqëri me më shumë femra ku konsiston të qënit ajo femra ideale që të kemi ‘Femra dhe aspak plastikë..’?!
Në lidhje me këtë çështje, dëshiroj të ritheksoj se qëllimi këtij shkrimi ka qenë për të ndërgjegjësuar një pjesë të mirë të shoqërisë në lidhje me plastifikimin që po pëson sot femra shqiptare si në pamje por edhe në interesat personale. Pra, sot një pjesë e mirë e tyre po humbasin origjinalitetin dhe shumë vlera morale me qëllimin e vetëm për të zënë një vend në shoqëri. Me keqardhje, duhet të pranojmë se kjo pjesë e shoqërisë po e humb formën natyrale e të qenurit e bukur në pamje dhe në shpirt. Plastike jashtë dhe plastike brenda denatyroalizohen në këmbim të një statusi që realisht është tepër i përkohëshëm në të gjitha drejtimet. Një femër apo një mashkull ideal duhet të mbështetet tek vetitë dhe kapaciteti që zotëron dhe përmes tyre të krijojë dhe të arrijë qëllimet, pa importuar modele që nuk e ndihmojnë të ndërtojë një të ardhme të konsoliduar dhe afatëgjatë.

 

11- Si mund ta përkufizosh ‘botën’ ku jeton dhe sa e kënaqur je nga ato ç’ka merr në bazë të atyre që jep? – Do kishim kënaqësinë ta mbyllnim duke n’a treguar mendimin, personin, vendin apo diçka tjetër që j’u bën të ndiheni mirë dhe të ndiheni optimiste?

 

Shpesh ankohemi për botën dhe realitetin ku jetojmë, por që në fund të ditës, ajo ç’ka jetojmë është thjesht rezultati i zgjedhjeve që bëjmë. Unë ndihem mirë me jetën time. Vendi ku gjej qetësi dhe optimizëm është kudo ku janë fëmijët e mi Mendi dhe Noel. Edhe pse nuk jam e pranishme 100% të kohës me ta , përpiqem të shfrytëzoj çdo moment për të qenë pjesë e rritjes së tyre si persona të zotë dhe kontribues në shoqëri. Qëllimi im nga fillimi e deri në fund të ditës është që t’u përcjell mesazhin se unë do të jem gjithnjë mbështetje e zgjedhjeve që ata bëjnë në jetë. A mund të ketë diçka më optimiste se kaq?! (… buzëqesh…)