To top
1 Jan

Ledia Goga-William Specialiste farmaceutike

Ëndërronte të ishte dentiste në një klinikë në Durrës, sot punon në Boston, si ndërlidhëse kliniko-shkencore për kompaninë farmaceutike Boehringer Ingelheim Vajza nga qyteti bregdetar i Durrësit, Ledia Goga, u largua nga Shqipëria  në gusht të vitit 1996, por, pavarësisht se që atëherë kanë kaluar 18 vjet, ajo  është e bindur se do të mbetet përgjithmonë në mes të dy kulturave tepër
të ndryshme, asaj shqiptare dhe asaj amerikane. E lindur në Shqipëri dhe e  arsimuar profesionalisht në Amerikë ajo nuk mund të ndihet 100 për qind pjesë  e asnjërës shoqëri, kështu që ka një personalitet hibrid me përkatësi të plotë  vetëm në grupin e emigrantëve si vetë ajo, me rrënjë diku në mes të Atlantikut.  Pavarësisht rrugës së gjatë e të vështirë të integrimit, Ledia ishte me
fat që iu dha mundësia për t’u shkolluar në Amerikë. Në mesin e viteve 90  të shekullit që kemi lënë pas, të gjithë bashkëmoshatarët e saj përpiqeshin të  gjenin mënyra të ndryshme për ta ndërtuar të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë  së tranzicionit. Është interesante sa forcë ka rastësia në përcaktimin e drejtimit të jetës. Pasi mbaroi gjimnazin “Gjergj Kastrioti” në Durrës iu desh të zgjidhte  midis konkursit të stomatologjisë dhe atij të anglishtes, sepse ishin të dy në  një ditë. Por vajza e re zgjodhi stomatologjinë dhe, për fat të keq, nuk e fitoi.  Arsyet nuk i di edhe sot e kësaj dite, sepse konkurruesit nuk kishin të drejtë të  shihnin apo t’i diskutonin përgjigjet e pyetjeve të komisionit. Ato mbeteshin  përfundimisht mbrapa dyerve të mbyllura, ku bëheshin pazaret e radhës. Vitin
që vijoi Ledia aplikoi për të filluar studimet si përkthyese në Xhenova, Itali, dhe  si studente e përgjithshme në Amerikë. Atë verë iu desh të zgjidhte përsëri, por  këtë herë midis Italisë dhe Amerikës, sepse viza italiane dhe bursa amerikane  erdhën në një dite. Zgjodhi rrugën e Amerikës; dhe ai vendim përcaktoi  drejtimin e 18 viteve më pas.  Në kolegj nxënësja e shkëlqyer zgjodhi degën e biologjisë dhe më pas  doktoratën në fiziologji, në University of Louisville, Kentucky, sepse shkenca e  biologjisë e ka tërhequr që kur ishte nxënëse në qytetin e saj bregdetar. Interesi  e pasioni për të iu zgjuan që në klasën e pestë, me mësuese Sosen, në shkollën “Mujo Ulqinaku”, dhe më pas u përforcuan nën ndikimin e pedagogut Michael  Capp në kolegjin Carlow College, në Pittsburgh, Pennsylvania, i cili ia prezantoi  përsëri biologjinë me një elokuencë e mjeshtëri të rrallë pedagogjike. Pas vitit të  parë të kolegjit, fondet e bursës nga Shoqata Kulturore Shqiptaro-Amerikane  shteruan dhe studentja e biologjisë u ndodh në mes të një udhëkryqi shumë  të vështirë: ose të kthehej mbrapsht në Shqipëri, ose të vazhdonte të luftonte,  të punonte çfarëdolloj pune e të studionte njëkohësisht, për të përballuar  taksat e shkollës dhe jetesën. Rezultatet e larta në provime e ndihmuan vetëm  pjesërisht, sepse, duke qenë studente e huaj, bursa e pjesshme që i jepte  universiteti ishte shumë e vogël.  Pavarësisht se vështirësitë financiare për t’u diplomuar e për të përballuar  jetën në një vend të huaj ishin të rënda mbi shpatullat e një adoleshenteje, deri  atëherë “e mbrojtur” nga kujdesi dhe dashuria e prindërve, Amerika gjithmonë e ka shpërblyer vullnetin, sakrificën dhe këmbënguljen e emigrantëve në baza
meritokracie. Për këtë shumë djem e vajza shqiptare e respektojnë gjithmonë vendin ku vendosën të studiojnë e të jetojë, pasi, ashtu siç thotë shprehja e mençur amerikane, “Ajo që nuk të vret, të bën më të fortë”. Ky është një parim bazë, mbi të cilin është ndërtuar kultura e punës amerikane dhe përpjekjet e tyre të pandalshme për të ecur përpara. Pa i harruar sakrificat e së kaluarës, prirja e natyrshme e Ledias është të  fokusohet tek e tashmja dhe te sfidat e tanishme të realitetit të saj profesional.  Porse ky profesion ende nuk njihet në Shqipëri, në mungesë të kompanive  farmaceutike që bëjnë kërkime klinike dhe hedhin në treg medikamente të reja.
Ledia Goga shërben si ndërlidhëse e shkencës klinike ndërmjet kompanisë  Boheringer Ingelheim dhe mjekëve ekspertë pulmonologë në rajonin e  New England, që përfshin shtetet Massachusetts, New Hampshire, Maine,  Vermont dhe Rhode Island. Në ShBA industria farmaceutike është tepër e  mbikëqyrur nga qeveria amerikane, nëpërmjet Administratës së Ushqimit dhe  Medikamenteve (FDA). Çdo medikament i ri që hidhet në treg duhet të kalojë  teste klinike rigoroze të efikasitetit, por edhe të padëmshmërisë te pacientët  përkatës. Këto teste janë investime miliona dollarëshe dhe, për të qenë i  suksesshëm në treg, sugjerimet e mjekëve ekspertë për vlerat e medikamentit të  ri janë të një rëndësie thelbësore. Detyra e saj është të ndërtojë ura lidhëse midis  interesave tregtare të Boehringer Ingelheim dhe interesave kliniko-shkencore  të ekspertëve pulonologë që praktikojnë në New England. Me takimet që  ajo organizon i mban të dyja palët në dijeni të studimeve të reja klinike dhe  zbulon ku kanë interesa të përbashkëta për të investuar më tej në fushën e
pulmonologjisë.  Ledia Goga ndihet shumë e realizuar në këtë profesion, sepse e bën  t’i mbajë aktuale njohuritë në fushën e pulonologjisë, si edhe të komunikojë  vazhdimisht me mjekë shkencëtarë të shquar në fushën e tyre me statusin e  klientit, por edhe atë të kolegut brenda kompanisë së saj.  Përvoja e saj si emigrante në Amerikë mbetet pozitive, sepse sakrificat
shpërblehen si nga ana intelektuale dhe ato materiale. Ashtu si edhe mjaft  bashkatdhetarë të saj në Europë e kudo nëpër botë, të prezantuar denjësisht me dijet e tyre, Ledia nuk e ka ndier diskriminim etnik thjesht sepse nuk ka  lindur në Amerikë apo sepse anglishten e flet me theks të huaj. Detyra e saj  ishte të konkurronte për të njëjtat shkolla, bursa dhe mundësi pune ashtu si  vendasit, por zgjedhjet u bënë gjithmonë në bazë të vlerave të saj akademike,  eksperiencës profesionale dhe rekomandimit të pedagogëve dhe kolegëve. Kjo  meritokraci është një nga arsyet e progresit amerikan që duhet të frymëzojë  çdo person në Shqipëri që ka në dorë CV-në e një kandidati për universitet apo  punësim.