To top
21 Tet

Manjola Bejlerit: Akuza KPK-së për prova të manipuluara

Gjyqtarja e Tiranës Manjola Bejleri, prej dy dekadash në detyrë, sot ishte lajmi i ditës për një tjetër rast ku Vetingu rrëzon njerëz të drejtësisë. Bejleri nuk ka heshtur, por në një reagim publik ka akuzuar KPK-në për manipulim provash, shumëfishim të financave të gjyqtares, dhe edhe pse nuk e thotë në mënyrë direkte, ajo nënkupton që në këtë shkarkim ka një hakmarrje. “Unë kam një karrierë prej mbi dy dekadash si gjyqtare, kam gjykuar me mijëra çështje dhe e kam shumë të qarte që kam prekur dhe shumë interesa”.

Reagimi i plotë: “Ky vendim i marrë me shumicë votash nga KPK është haptazi i padrejtë, në kundërshtim me ligjin dhe të gjithë provat e paraqitura. Relacioni i KPK ishte i mbështetur në të pavërteta, hamendësime dhe në shifra të manipuluara e të dyfishuara qëllimisht në mënyrë flagrante. Unë kam një karrierë prej mbi dy dekadash si gjyqtare, kam gjykuar me mijëra çështje dhe e kam shumë të qartë që kam prekur dhe shumë interesa.

Nga zhvillimi i seancës dëgjimore u duk qartë që komisioni nuk i kishte lexuar e studiuar fare prapësimet e mia dhe ato dhjetëra prova të paraqitura nga unë rishtazi, që evidentonin gabimet e rënda të tyre për analizën time financiare. Një komision që zhvillon seancë dëgjimore prej disa orësh, pa dosje përpara dhe pa bërë asnjë pyetje të vetme, tregon qartë që vendimi ishte i paracaktuar.

Ky vendim nuk e cënon aspak dinjitetin dhe integritetin tim profesional, por më vjen keq që i gjithë kontributi im i dhënë prej shumë vitesh për të drejtën dhe Reformën në Drejtësi, të gjykohet nga nivele dhe në standarde të tilla. Kam luftuar gjithmonë për të drejtën dhe do të vazhdoj ta bëj.

Manjola Bejleri”