To top
7 Sht

Nis punimet sesioni i shtatë i legjislaturës së nëntë parlamentare. Kryetari i Kuvendit bën bilancin parlamentar të sesionit të fundit dhe shpall objektivat e sesionit të ri

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, nisi sot punimet sesioni i shtatë i legjislaturës së nëntë parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Kryetari i Kuvendit, pas çeljes së seancës nën tingujt e himnit kombëtar, mbajti fjalën hapëse të sesionit të ri, e përqëndruar kryesisht në bilancin e sesionit të fundit parlamentar dhe në parashtrimin e objektivave kyçe të sesionit të ri parlamentar. Sesionin e kaluar z. Ruçi e konsideroi produktiv në fjalën e tij, dhe si suksese radhiti çeljen e negociatave, veprimtarinë e efektshme ligjvënëse, produktivitetin e programit të rindërtimit pas tërmetit të vitit të shkuar dhe kohezionin e parlamentit në krijimin e Këshillit Politik, si forum joparlamentar. Z. Ruçi parashtroi edhe objektivat kyçe të sesionit të ri parlamentar, të tilla si: pasqyrimi në Kodin Zgjedhor i ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut dhe përfundimi i reformës zgjedhore; nxitja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për bërjen funksionale brenda vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese, nxitja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për bërjen funksionale brenda vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese, nxitjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të bërë funksionale Gjykatën e Lartë brenda vitit 2020 dhe kontributin e vijuar parlamentar në  negociatat e anëtarësimit. Në këtë seancë të parë të sesionit të ri, mbajtën fjalë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës parlamentare, z. Musai, z. Stojku dhe z. Murrizi sipas dakordësisë në Konferencë të Kryetarëve dhe kryeministri i vendit, z. Edi Rama. Seanca e sotme njoftoi çështjet e depozituara në Kuvend për shqyrtim, miratoi draftprogramin e punës së Kuvendit për periudhën 7 shtator- 16 tetor 2020 dhe draftkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 7-25 shtator 2020.