To top
4 Qer

Një gjeneral për president!

Partia Socialiste propozoi dje ushtarakun Bajram Begaj për president.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Bajram Begaj është kandidati që do të propozohet për t’u zgjedhur presidenti i ri i Shqipërisë nga Partia Socialiste.

Kandidatura e tij, pritet të marrë sot firmat e deputetëve të grupit parlamentar të cilët janë thirrur të mblidhen në orën 10.00, dy orë para skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave.

Më pas emri i Begaj do të kalojë në Komisionin e Ligjeve për shqyrtim dhe pasdite do të mblidhet seanca e Kuvendit për të zgjedhur të parin e shtetit, pas dështimit të tre rundeve të mëparshme.

 

 

Begaj u përzgjodh përmes një votimi në selinë e PS, siç është bërë e ditur, mes 26 emrave që janë diskutuar. Kryeministri Rama njëherësh kryetar i PS-së, ka thënë se emri i tij u propozua për shkak të profilit të tij ushtarak dhe dedikimit e shërbimit të tij ndaj shtetit të Shqipërisë.

Ai gjithashtu theksoi se Begaj është figurë jopartiake dhe unifikuese, si dhe “shëmbëlltyra e normalitetit” për Shqipërinë.
“Sot e kemi ridiskutuar dhe dakordësuar që PS-së i takon që në këtë moment të shkojë dhe shohë përtej vetes që t’u japë shqiptarëve një kryetar shteti që nuk ka një karrierë në PS”, u shpreh Rama.

Sipas Kushtetutës, vetëm në tre nga pesë raunde në Kuvend kërkohet mbështetja e 84 deputetëve, mirëpo në raundin e katërt të votimit, president mund të zgjidhet kandidati që siguron një shumicë të thjeshtë të votave, përkatësisht 71 vota. Partia Socialiste i ka 74 mandate në Kuvendin e Shqipërisë, që do të thotë se i ka votat për ta zgjedhur zotin Begaj president të ardhshëm të Republikës.

Begaj, mjek në profesion, mori detyrën si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, në vitin 2020.

Që nga viti 1998 ai ka shërbyer në disa poste administrative ushtarake, si Komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, Kryeinspektor, dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Nëse të shtunën votohet në Kuvendin e Shqipërisë, Bajram Begaj do të jetë Presidenti i shtatë i Shqipërisë pas rënies së komunizmit.

Presidenti i ri i vendit pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik të këtij viti – ditën kur largohet nga zyra presidenti aktual, Ilir Meta.