To top
5 Pri

Pas Edi Ramës, edhe Sali Berisha prezanton podkastin e tij!

Rastësi apo rivalitet edhe në podkaste? Fill pas publikimit të lajmit se Edi Rama do të ketë një podkast, “Flasim”, edhe Sali Berisha ka njoftuar për podkastin e tij.”Që prej dhjetorit, kam në “sirtarin” tim dixhital të komunikimit me ju, edhe podcast-in tim të përjavshëm. Ngjarjet e kanë shtyrë këtë takim të ri me ju në një format tjetër, por duke filluar nga sot do të shihemi edhe në këtë dritare të re.

Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj”, u shpreh ai në Facebook, Instagram dhe Tik Tok.

Ish-kryeministri thotë se do ta përqendrojë podkastin e tij kryesisht në çështje jo politike, “Në Sali Berishen që ju nuk e keni njohur”.

Ai ka publikuar edhe episodin e parë, që sipas tij është regjistruar në dhjetorin e kaluar.

Në fund ai shton: “Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin. Mendoj se politikanët duhet të ballafaqojnë pikëpamjet e tyre. Uroj të gjejë kurajo dhe të pranojë ftesën time”, përfundon Berisha.