To top
14 Pri

“Pranverë e zemrës, pranverë e munguar…

nga Ambra Hysa

Vitin që kaloi jetuam pranverën pandemike, të mbyllur në kafaz, humbëm mundësinë për ta shijuar atë, në ajrin e pastër e të çmuar të lirisë.

Kur pranvera vjen, nuk çelin vetëm lulet, por një shpresë e re në qënien tonë, me këta filiza të rinj ajo rrezaton ndryshe, oksigjenohet ndryshe, jeton ndryshe.

Të jetosh bukur është padiskutim Art por pranvera është Arti i të gjitha stinëve.

Është tabloja më e kuruar artistikisht e natyrës, energjia dhe vitamina më e mirë.

Është simbol i jetës, na mbështjell me një energji të re që është magnet për projekte të bukura, punë të mira por edhe udhëtime të bukura e destinacione të reja.

Me ngrohjen e kohës artistët, shohin botën përmes syve pranverorë.

Inspiron dhe ngacmon fantazinë për të krijuar. Prezenca jonë është pupël e lehte, sepse dimrat e rëndë të zemres kanë kaluar.

Tashmë ndihesh rehat të veshësh një xhaketë të lehtë në vënd të një palltoje të ngrohtë.

Mund të ecësh dhe të nuhasësh lulet që fillojnë të lulëzojnë.
Tulipanët, luledelet…po zgjohen.

Gjithçka po merr jetë, vera është në prag dhe kjo të miklon. Është momenti më i bukur për ta festuar jetën dhe ta lejosh këtë stinë magjepsëse të depërtojë në qënien tënde.

Çdo prill, festoj ditëlindjen, ama ndjehem çdo vit më e re. Është sekret dhe magji e kësaj stine që unë i besoj dhe e lë të më udhëzojë.

Sepse kam vetëm një kohë për zemren, atë të dashurisë për jeten dhe kjo kohë jetohet në harmoni si asnjëherë tjetër, në pranverë.