To top
2 Qer

Presidenti i ri, ja kush është emri më i përfolur!

Parlamenti i Shqipërisë do të mblidhet ditën e shtunë (4 qershor) në orën 18:00 për të votuar në raundin e katërt Presidentin e Ri të Republikës. Propozimi i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u miratua nga deputetët e selisë rozë në Konferencën e Kryetarëve. Ndërkohë paraprakisht, kryeministri Edi Rama do të mbledhë ditën e premte (3 qershor) Kryesinë e partisë, ku një ndër pikat e rendit të ditës është përcaktuar dhe ecuria dhe vendimmarrja e PS për të votuar pasuesin e Ilir Metës. Mësohet se emri më i përfolur është ai i ish-deputetes demokrate Majlinda Bregu. Ndërkohë që në tryezën e Ramës janë 10 emra, ku 5 i takojnë botës akademike dhe 5 të tjerë fushës së politikës. Ndërkohë, në Konferencën e Kryetarëve, kryetari i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj nuk pranoi të diskutonte për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Tashmë, PS i hapet rruga për të zgjedhur me mandatet e veta (71) kryetarin e ri të shtetit në dy raundet e fundit.

Foto e bardhe

Mediu: Mazhoranca gjeti një opozitë kashtë e k*q*

Kryetari i Partisë Republikane dhe deputeti i opozitës, Fatmir Mediu u shpreh i zhgënjyer në Konferencën e Kryetarëve për dështimin e zgjedhjes së presidentit konsensual pozitë-opozitë. Ai përsëriti se opozita duhej të dërgonte 1 ose 2 kandidatura për t’u votuar për kryetar shteti . Mediu kritikoi përçarjen e PD duke nënvizuar se kriza në këtë parti favorizoi mazhorancën të zgjedhë e vetme pasuesin e Ilir Metës. “Në këtë rast, opozita është e panevojshme në proces, absurde që të kërkosh përjashtimin e një pale dhe të kërkosh ta zgjedhësh t’i. Opozita nuk mund të ngelet në mëshirën e PS. Opozita të përcaktonte një kandidat apo dy për t’i vënë përballë PS në mënyrë që ne të mos përfundojmë që të zgjedhim një president sa për të kaluar radhën. Ky proces u paragjykua që në fillim dhe fundi është i qartë, të bëhet reflektim që të mos kemi një president qesharak. Dua të huazoj fjalët e profesor Fugës, ju për fat të keq gjetët një opozitë kashtë e k*q* për të gjetur një president që i shërben mazhorancës”, u shpreh Mediu.

Gjekmarkaj: Nuk duhet president ‘askush’, le të jetë dhe personalitet i PS

Në fjalën e tij në Konferencën e Kryetarëve, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj paralajmëroi se presidenti i ri i vendit do të jetë një emër i panjohur, i cili nuk do të mbahet mend në politikën shqiptare pasi mund të përdoret si marionetë nga PS. Edhe pse PD-PS nuk gjetën dot nj emër të përbashkët për ta votuar për president, Gjekmarkaj mirëpriti si profil presidenti që ai të jetë një politikan i njohur nga radhët e socialistëve. “Ju mund të mbanit qëndrime ndaj grupeve të caktuara të opozitës, por keni detyrimin etik të respektoni gjysmën e Shqipërisë që ka votuar opozitën në këtë parlament. Po flitet për opozitën sikur humbi një shans për të pasur një president, në fakt opozita asnjëherë nuk ka pasur një ofertë reale për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Ju tashmë keni hyrë në fazën e zgjedhjes së Presidentit për ta zgjedhur vetë, nuk i keni ofruar asgjë opozitës sepse ia ofron Kushtetuta, jo ju. Kam frikë që Presidenti do vijë nga askundi për të qenë askushi. Meqenëse po shkoni drejt zgjedhjes ashtu siç deshët, mos lejoni që në krye të shtetit shqiptar të zgjidhet një askush. Të jetë një personalitet politik i PS-së që ne ta gjykojmë si të tillë”, tha Gjekmarkaj.

Emri i kandidatit del të premten, Balla: Do zgjedhim president të shqiptarëve

Pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit të deputetëve të partisë më të madhe në Shqipëri, Taulant Balla deklaroi për mediat se Kryesia e PS do të përcaktojë kandidatin e vet për president ditën e premte dhe më pas do të merren firmat nga 20 deputetët e saj për ta votuar në Kuvend ditën e shtunë. Ai nuk e përcaktoi profilin e presidentit të tetë të periudhës së tranzicionit nëse do të jetë mashkull, femër, socialist, socialiste, etj. Balla “Natyrshëm që vendimi i PS do të bëhet publik dhe duhet që vendimi i Kryesisë së PS t’i jepet edhe grupit parlamentar, pasi nga aty deputetët do të mbështesin me firma kandidatin për President. Një parti me rregulla bën këtë që po bëjmë ne. Nuk duhen përjashtuar asnjëra prej gjinive, e rëndësishme është të kemi një president që të mishërojë më së miri vlerat e larta të integritetit, i ndryshëm nga Ilir Meta. Do të jetë President i të gjithë shqiptarëve”, deklaroi fillimisht eksponenti i lartë socialist. Më tej, ai shprehu keqardhje që deputetët e PD dhe kryetari i komanduar i saj Enkelejd Alibeaj nuk morën pjesën në seancën e së hënës për presidentin duke djegur të gjitha mundësitë për të votuar drejtuesin e ri të shtetit shqiptar si propozim nga opozita. Ai nënvizoi se bojkoti e ka dëmtuar selinë blu dhe demokratët në të kaluarën ndaj duhet të reflektojnë që prej djegies së mandateve parlamentare të PD-LSI në 2019. “Dëshira jonë ishte që ta zgjidhnim bashkë me opozitën. I shpreha keqardhjen sot Alibeajt për mospjesëmarrjen në seancën e tretë që ju ishte dedikuar atyre. Mendoj se nuk i bën nder PD së drejtuar nga Alibeaj që të kthehet në format e vjetra të bojkotit. Mendoj se bojkoti i ka dhënë disa leksione çdo partie, edhe pse nga bojkoti është dëmtuar PD. Leksionet duhen bërë mësime, duhet të vësh mend”, përfundoi fjalën e tij për mediat, Taulant Balla.