To top
30 Dhj

Rama mesazh shqiptarëve për fundvit: Përulem përpara jush

Nëpërmjet një video, kryeministri Edi Rama ka përmbledhur atë çka ka ndodhur vitin që lëmë pas, duke veçuar veçanërisht çështjen e tërmetit tragjik të një viti më parë.
Kreu i qeverisë përmend edhe pandeminë, duke theksuar se puna më e vështirë është ajo e shqiptarëve të zakonshëm.

“Në mbyllje të këtij viti të jashtëzakonshëm në historinë e jetës sonë, përulem me #RESPEKT e #MIRËNJOHJE ndaj çdo shqiptari, që me rezistencën e me punën e tij i dha përpjekjes sonë karakterin e saj të fortë përballë sfidash kaq të mëdha, ndërsa mua vetë më dha me forcën e shembullit, energjinë e kurajon për t’u zgjuar çdo ditë me dëshirën e madhe që të jap gjithçka mundem, për Shqipërinë e për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”- shkruan Rama.

“Të gjithë mendojnë se bëjnë punë të vështirë. Edhe unë mendoj se kjo punë që bëj, është më e vështira. Unë punoj shumë. Problemet që duhen të zgjidhen shumë janë të panumërta. Lërë pastaj ‘bum’ tërmeti, bamp covid-i. Çfarë sfidash! Puna më e vështirë është e atyre që duhen të vrapojnë për të dhënë ndihmën e parë për njerëzit në rrezik jete, madje nën rrënojat e tërmetit.

Puna më e vështirë është në duart e atyre që ndërtojnë shtëpitë dhe shkollat, në të nxehtë dhe në të ftohtë, ditën e natën, për t’i kthyer sa më parë në banesa. Puna më e vështirë është puna pa orar dhe pa të dielat pushim, e mjekëve dhe infermierëve që tashmë luftojnë kundër COVID-it.

Puna më e vështirë është e një shqiptari të zakonshëm që jetojnë dhe punojnë duke mbajtur familjet e tyre edhe në këtë kohë kaq të jashtëzakonshme pandemie, apo rimëkëmbje. Puna më e vështirë është e prindërve për t’ju siguruar fëmijëve një të ardhme më të sigurt, një Shqipëri të fortë e të shëndetshme. Shembulli i tyre ma bën punë time më të lehtë.

Ata janë arsyeja pse unë zgjohem çdo mëngjes me një dëshirë kaq të madhe, për të luftuar që të bëjë çdo të mirë për vendin tonë. Për njerëzit tanë, për një jetë më të mirë, për një të ardhme më të shndritshme. Të gjithë njerëzit që punojnë në Shqipëri dhe familjet e tyre, dua t’i falënderoj nga zemra për gjithçka që japin dhe t’ju uroj një vit të ri siç ua do zemra dhe siç e meritojnë të gjithë.”, tha Rama në video.