To top
3 Nën

Retrospektivë/Bujar Luca, “Të prekësh të padukshmen”, në COD

“Të prekësh të padukshmen”, titullohet ekspozita retrospektivë, unike dhe mjaft e veçantë e punimeve të piktorit të njohur Bujar Luca e cila do të qëndrojë e hapur për artëdasësit shqiptarë në COD, në hollin e Kryeministrisë.

Piktori i mirënjohur Bujar Luca sjellë në këtë ekspozitë nga Parisi 71 vepra të përzgjedhura gjatë 45 viteve të krijimtarisë së tij nga 1978 – në një ekspozitë mbresëlënëse, kuruar nga Ena Bulku.

I lindur në Tiranë, në vitin 1954, ai diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve, në vitin 1978. Që në kohën kur ishte student, Luca njihet për antikonformizmin e tij gjatë realizmit socialist.

Në vitin 1977 fillon punë si piktor kostumesh dhe filmi në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Punon aty për 13 vjet duke marrë pjesë në më shumë se 20 filma artistikë.

Rugtimi i Lucës drejt Parisit dhe botës perëndimore, nis në vitin 1990, ku u ftua për të hapur një ekspozitë në Francë, e ku deri me sot u vendos aty. Në shtator të këtij viti, revista “Connaissance des Arts”, duke folur për herë të parë mbi artin në Shqipëri, i kushtoi një hapsirë të konsiderueshme. Në vitin 1991, hapet në Paris ekspozita e parë vetjake.

Viti 2015, shënoi rikthimin e Bujar Lucës në Tiranë ku celi për herë të parë pas kaq viteve ekspozitën e tij të parwë vetjake në  Galerinë Kombëtare të Arteve.  Ndërkohë që kjo retrospektivë është ekspozita e tij e dytë në Shqipëri, gjatë këtyre 33 viteve që Bujar Luca jeton në Paris.

Ekspozita u përurua edhe me praninë e jashtëzakonshme të Kryeministrit Edi Rama, një piktor dhe ish-pedagog në Akademinë e Arteve dhe një shok i hershëm i Bujar Lucës.

Në fjalë e tij Luca u shpreh: “Sonte duke ngjitur shkallët e kësaj godine ku ne jemi mbledhur, nuk mund të mos mendoja dhe të kujtoja çfarë simbolizonte në të kaluarën kjo ndërtesë për ne. Ndiej gëzim të ekspozoj pikërisht këtu, një pjesë të veprave që janë refuzuar gjatë kohës që unë isha i ri dhe deri në vitin 1990, kur unë jam nisur për në Francë.

Këto vepra u refuzuan nga komisione të ndryshme, të cilët kishin si devizë ‘kështu duhet të bëhet dhe jo ndryshe’, ose ‘kështu duhet’. Kjo ishte thuajse një frazë urdhërore e asaj epoke. Por, në art nuk ka ‘duhet’. Arti është përjetësisht i lirë dhe ashtu do të mbetet”, tha Luca.

“Jo larg kësaj godine ku ndodhemi, është Liceu Artistik dhe Instituti i Arteve. Unë kam studiuar në këto dy shkolla. U munduan aty të më mësonin realizmin socialist. Kundër këtij arti deklamativ, skematik dhe pa jetë, unë preferoja një art intim që fliste për jetën e përditshme, që fliste për dritën dhe për ngjyrat dhe dëshiroja mbi të gjitha që të mos bëja një realitet të dukshëm, po duke u sforcuar, për ta kuptuar atë më shumë, ta çoja drejt të padukshmes dhe të mos mbështetesha mbi aparencën”, theksoi piktori Bujar Luca.

Në çeljen e ekspozitës përshëndeti edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi talentin dhe kontributin e artistit në historinë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare.

“Ti je një nga ata të cilët i japin historisë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare diçka pa të cilën kjo histori do ishte më e varfër”, u shpreh Rama.

“Kjo ekspozitë ishte një ide që lindi kur ishim së bashku në Paris dhe Bujari e priti me kënaqësi ftesën për të konsideruar mundësinë e një ekspozite të tillë. Por unë nuk e kisha menduar që do të sillte këtu punë nga e gjithë trajektorja e tij, dhe faktikisht në sallën e vogël gjenden punët e bëra shumë vite më parë kur Bujari krijonte në shtëpinë tij të vjetër tiranase me pus e carac.

Aty ku patëm mundësi të takoheshim përpara rënies së diktaturës gjatë një vizite të parë që një delegacion i huaj bëri në Akademinë e Arteve, pjesë e të cilit ishte edhe kryeredaktori i njohur i revistës së artit “Connaissance des Arts”, i cili i kushtoi një reportazh të tërë krijimeve tona të asaj kohe dhe u bë edhe pika e parë e kontaktit konkret fizik me botën e artit përtej mureve brenda të cilave ne zhvillonim aktivitetin tonë”, tha Rama.

“Mua më kujtohet se qysh përpara se të hapeshin rrugët për t’u larguar Bujari ishte shumë i lidhur dhe pasionuar pas Francës e kulturës franceze, pas impresionistëve, gjë që vihet re në punët që janë në sallën e vogël si një influencë malinje për atë kohë.

Gjatë qëndrimit të tij në Francë me natyrën e tij të përmbajtur meditative, pa zhurmë, pa kërkuar asnjëherë asgjë nga askush, hapi dalëngadalë një rrugë te një stacion i të cilës është besoj unë pjesa qendrore e ekspozitës, ku në njëfarë mënyre fillojnë e bëhen bashkë qoftë kujtimet e të shkuarës së largët, qoftë edhe njohjet e reja apo afrimet e reja me eksperienca artistike që në dukje janë dy ekstreme, por në të vërtetë janë pjesë e të njëjtës qasje ndaj sipërfaqes së bardhë”, nënvizoi Rama.

Rama tha se “flas për eksperiencën e artit të vjetër dhe të ri, kinez, japonez, aziatik, që është shumë i lidhur me shenjën edhe me transpozimin e gjuhës së shkruar përmes hieroglifeve, në një ushtrim të menjëhershëm artistik dhe në ekstremin tjetër furia e lëvizjes “action painting”, Jackson Pollock edhe të tjerë, që në njëfarë mënyre në punën e Bujarit fillojnë edhe shkrihen te njëra-tjetra duke krijuar një identitet dhe një origjinalitet të ri. Ajo që më shtyu ta bëj këtë parantezë ndoshta pak të gjatë të natyrës krejt profesionale lidhet me diçka tjetër; lidhet me raportin e Bujarit me pikturën, raportin e Bujarit me telajot, sipërfaqet e letrës apo sipërfaqe të tjera me të cilat ai e ushtron profesionin e tij, që në njëfarë mënyre është mishërim i raportit të tij me jetën dhe me shoqërinë në një kohë, e cila ka shumë tundime, ka shumë zhurmë, ka shumë mundësira, por dhe shumë shtigje dhe rrugë që mund të merren”.

Bujari, –  vijoi Rama, – ka vazhduar t’i qëndrojë shumë besnik diçkaje që unë në fakt e kisha të vështirë ta formuloja, por e formuloi Bujari në fjalët e tij, kur tha realiteti i idealit tim dhe besoj që në njëfarë mënyre punët e tij janë dhe autoportrete shpirtërore të tijat, të cilat flasin shumë për atë që Bujari është në raport me pasqyrën dhe në raport me mjedisin apo botën.

Dua të shtoj vetëm një komponent që përsëri lidhet me atë çfarë po them, që ka të bëjë me aktivitetin e Bujarit jashtë studios, i cili është një aktivitet i jashtëzakonshëm në një vend që është shumë i pasur në traditë, por është dhe shumë i pasur në burime njerëzore kur flasim për operan, kur flasim për teatrin. Bujari është vendosur vetvetiu në një pozicion shumë të respektuar dhe është thirrur për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar për një numër të madh shfaqjesh në operan Garnier që është një tempull i ri i muzikës operistike në Paris apo në shfaqje që shkojnë nga klasikja deri tek ato më kontemporane, duke bashkëpunuar me regjisorë shumë të njohur, deri tek regjisori, koreografi Angjelin Preljocaj dhe përsëri fakti që në këtë aktivitet jashtë studios Bujari ka shkëlqyer, lidhet me zotërimin e asaj që duket shumë qartë në të gjitha punët e tij, që është gjesti i shenjës, për një gjest shenje që nuk vjen në mënyrë sipërfaqësore, por që vjen nga një formim akademik, nga një formim i thellë, gjë që mund të shihet në hyrje të asaj sallës së vogël që po e përmend për të tetën herë, sepse aty është fillesa dhe tek disa vepra figurative, duke filluar nga një portret, nga një vizatim që në pamje të parë duket që nuk ka asnjë lidhje me çfarë shohim këtu, por në fakt është fillesa e asaj që shohim këtu dhe kjo është diçka që më duket mua është karakteristikë e disa artistëve të mëdhenj shqiptarë sot, ndër të cilët pa diskutim renditet dhe Bujari në skenën ndërkombëtare, të cilët edhe kur shkojnë në rrugë që janë në dukje krejtësisht pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me mjeshtërinë dhe gjestin e shenjës, siç është për shembull videoarti, kam parasysh Anri Salën, veprat e tyre bëjnë një diferencë në raport me ato të kolegëve të së njëjtës fushë dhe të njëjtës rëndësi po themi në skenat artistike, sepse tek to, ti sheh se ka brenda diçka që e tejkalon kohën dhe që vjen pikërisht, sipas meje, nga të brumosurit me klasiken për arsye që ne i dimë dhe pastaj të pjekurit të këtij brumi në botën kontemporane”, nënvizoi Rama.

Rama u shpreh se “dua ta falënderoj Bujarin, sepse ka bërë një investim në kohë, ka bërë një investim në energji, ka menduar seriozisht dhe thellësisht për këtë ekspozite dhe ka bërë dhe një investim në hamallëk po themi, sepse ka paketuar dhe transportuar gjithë këto punë, gjë për të cilën nuk e ka paguar qeveria, që të jemi të qartë. Është larg të qenit një artist qeveritar apo i oborrit të pushtetit, siç në fakt janë shumë ose pothuajse të gjithë nga ata që ekspozohen këtu, dhe do doja të shikoja shumë të tjerë që të vinin këtu, mund të vijnë të bëjnë dhe protesta kundër qeverisë këtu dhe sallën e marrin pa qira”.

Por, shtoi Rama, “realisht Bujar, shumë shumë komplimente dhe shumë faleminderit, dhe më beso nuk është një fjalë xhentile për një mik këtu, në këtë hapësirë, që i duhen thënë disa fjalë të mira, por është një fjalë shumë e sinqertë dhe unë i besoj vërtetë të gjitha këto që po them dhe ti je një nga ata të cilët i japin historisë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare diçka pa të cilën kjo histori do ishte më e varfër”. Në këtë ekspoitë morën pjesë mjaft miq të autorit personalitete të ndryshëm , dhe  artëdashës të shumtë. Ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri në ditët e fundit të dhjetorit.