To top
12 Dhj

Shekulli i pushtetit të zonjave

Thuhet se ky shekull do të jetë i pushtetit të zonjave, dhe fillimi kështu po duket. Tri qeveri europiane (edhe ajo shqiptare) kanë në kabinetin e tyre mjaft zonja aktive në vendimmarrje. Edhe Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, ka përfshirë plot gjashtë zonja në qeverinë e tij, si dhe mjaft femra në poste kyç e të rëndësishme të administratës shtetërore. Me humor mund të themi se kryeministri italian Mateo Renzi, ndër të fundit kryeministër që formoi qeverinë e tij, ka “kopjuar” nga kryeministri ynë. Edhe ai ka caktuar mjaft femra në qeverinë e tij.
E pra, mesa duket, femrat tashmë kanë marrë në duar një rol të rëndësishëm në vendimmarrje. Por sa janë ato të rëndësishme ta përballojnë barrën e marrë përsipër, sa janë të zonja të bashkëpunojnë në harmoni edhe me meshkujt, kjo mbetet për t’u parë. Tek e fundit, nuk mund të ankohen më nga seksi i kundërt, se nuk përkrahen dhe nuk marrin atë që u takon. Por e keqja shpesh vjen edhe brenda llojit, pra nga vetë femrat për njëra-tjetrën. Kjo luftë kaq e vjetër sa vetë njerëzimi vërtet që është e ashpër, por edhe e vështirë të gjejë zgjidhje.
Gjithsesi, duke u ndodhur ndonjëherë edhe vetë në rrethana të tilla, kam arritur në përfundimin se e gjithë kjo luftë ndodh vetëm te tipat inferiorë, të paplotësuar intelektualisht e që nuk mbartin vlera.
Ndërsa dëshira ime, për të pasur gjashtë femra në kopertinën e revistës “Elite” “dështoi suksesshëm”. Ndaj, pasi studiuam tregun, pamë dhe vlerësuam figurat elitare modeste dhe me kontribute, këtë kopertinë ia dedikuam pikërisht njërës prej zonjave me vlerë, të pa konsumuar në medie, Milena Haritos, ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike. Harito, e cila vjen nga një vend dhe eksperiencë e gjatë pune në Francë, në intervistën e saj ekskluzive tepër interesante dhe me vlera, që nuk duhet humbur, rrëfen rreth jetës që ka pasur në Francë, kthimin në Tiranë për një detyrë të rëndësishme, pas një aktiviteti të dukshëm politik, si dhe tregon për familjen e gjithçka tjetër të dashur për të.
Këtë numër të revistës sonë, që përkon edhe me stinën e bukur të pranverës, jemi munduar ta sjellim në mënyrë tepër speciale. Ambasadorja franceze në Tiranë, Christine Moro, na i hapi dyert e rezidencës për një rrëfim të veçantë të karrierës së saj diplomatike, jo pak, por 35-vjeçare, e mbushur me surpriza dhe të papritura, herë-herë edhe me sakrifica.
Ndërsa gazetari italian Carlo Bollino vjen në një bashkëbisedim interesant rreth jetës aktive në Tiranë, si dhe flet mbi librin e tij më të ri, duke na dhënë kështu edhe një leksion mbi gazetarinë investigative, e cila këtu te ne po shkon drejt zhdukjes.
Reportazhe interesante kemi edhe nga vendet fqinje, Italia dhe Greqia, ku jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh. Hersi Matmuja, këngëtarja shqiptare që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurosong 2014”, shprehet me emocion për atë që e pret në Kopenhagën, por Rona Nishliu, artistja kosovare që me këngën e saj “Suus” theu rekordin shqiptar në “Eurosong 2012” në Azerbajxhan dhe e kualifikoi direkt Shqipërinë në natën finale, në intervistën e saj siguron që Hersi do të ketë prezantim të denjë.
Gjithashtu, në faqet e revistës “Elite” do të gjeni eventet më elitare të zhvilluara në kryeqytet, në ambasadën italiane në Tiranë, realizuar nga ambasadori Masimo Gaiani dhe “Luisa Spagnoli”. Shtëpia botuese “Dudaj” promovoi një libër me vlera të veçanta, ndërsa regjisori Fatmir Koçi prezantoi filmin e tij më të ri “Amsterdam ekspres”. Herman Stineder ka një rrëfim interesant në fushën e biznesit dhe tregon përvojën e tij, si dhe çelësin e suksesit në një biznes kaq elitar. Por nëpër faqet e revistës sonë nuk do të mungojnë dhe një sërë personazhesh e temash të tjera interesante.
Ndaj, ju uroj lexim të këndshëm!