To top
7 Nën

Shijet dhe kodet e Dasara Malltezit

Dasara Malltezi është njëra prej personazheve të spikatura, e cila dallon për veshjet nga bashkëmoshatarët e saj në kryeqytet. E rritur në një  familje ku moda dhe luksi nuk kanë munguar që kur ajo ishte ende  foshnjë, Dasarës nuk i kanë munguar veshjet dhe markat më prestigjioze. Ajo që na e ka tërhequr vëmendjen te Dasara, përpos fotove të realizuara plot shije dhe klas, janë edhe komentet e postuara shpeshherë në rrjetet e sa j sociale. Një koment shumë interesant që na tërhoqi vëmendjen ishte statusi dedikuar firmave fals të mbërritura në Tiranë. Dasara di të vishet jo vetëm me firmato, por edhe bukur, thjesht e me shije, herë pas here edhe sport, ku një detaj i saj tepër i spikatur është kapela. “Marka të preferuara kam disa, por jo gjithnjë një gjë e bukur apo një produkt kozmetik cilësor vjen nga një markë e shtrenjtë. Nuk dua të përmend emra të markave që preferoj, por mund të përmend shprehjen “Quality is remembered long after price is forgotten!”. Cilësia është diçka që mungon dukshëm në Shqipëri, në pjesën më të madhe.  Zakonisht, blej ose kur udhëtoj, ose në internet, ose në disa dyqane  në Tiranë. Dyqani që më pëlqen me të vërtet është “Chic Studio”, sepse ka gjëra me të vërtetë të bukura. Më pëlqen të blej edhe copa, e me pas ti dizenjoj vete ato. Në fakt, stili i Dasarës është i ndryshëm, kombinuar sipas rastit dhe humorit. “Stili im varet si zgjohem në mëngjes. Ka ditë që zgjohem shumë “urban” dhe vishem me të gjera, me hoodie and converse. Ka ditë të tjera që më pëlqen një look më elegant, i tipit fustan ose pantallona, këmishë dhe taka. Kapelat janë një aksesor që unë i kam shumë qejf dhe që përpiqem t’i kem gjithnjë. Kështu unë shkoj në shkollë apo  për të takuar shoqërinë. Kur janë evente disi më formale, normal që vesh fustan dhe taka, pra hiqen të gjithë piercingset dhe vendosen aksesorët më fin e seriozë, që më bëjnë të transformohem komplet. Por a ka marka në Shqipëri? Në fakt, mbërritja e markave prestigjioze në Tiranë është një mision i vështirë, ku shpeshherë blerësit dhe shitësit mjaftohen me termin “Ky është imitacioni më i mirë i mundshëm”, ndërkohë që këtu fillon edhe abuzimi me çmimet. “Marka në Shqipëri sigurisht që ka, por problemi qëndron se shumica nuk ia vlejnë. Ose ke pafund raste kur janë kopjime. Dhe unë jam totalisht kundra. Unë preferoj më mirë të blihet diçka e një marke casual, si “HM”, dhe që është më e lirë se imitimi  i një marke të shtrenjtë. Njeriu nuk duhet të vishet për të impresionuar të tjerët, por ashtu siç i pëlqen vetë”,përfundon Dasara, e cila pohon se kohët e fundit nuk ka blerë shumë gjëra, pasi ka qenë e ngarkuar me shkollën, por nje fund me pala korenti rezulton blerja e saj më e fundit.