To top
14 Sht

Shkëlzen Doli me”Albanian Soul” në sheshin Skëndërbej me 23 Shtator

Në 23 Shtator Shkëlzen Doli me Albanian Soul, ku do të mbizotëroje muzika autoktone Shqiptare, do të ndezë sheshin Skëndërbej. Rreth 70 instrumentistë nga trojet shqipfolëse do të jenë nën udhëheqjen e maestro Dolit në këtë event që zhvillohet për herë të parë. Sheshi Skënderbej do të jetë i mbyllur dhe i dedikuar vetëm për eventin. Hyrja e publikut do të nisë në orën 18:00 deri në orën 20:00. Këtë jave pritet dhe të nisë ndërtimi i skenës dhe montimi i ndriçimit dhe fonisë. Duke qenë se eventi ka përmasa të mëdha në teknikë, do të duhet rreth 1 javë montim.
Burimet tona na konfirmojnë se ka përfunduar realizimi i skenografisë dhe pritet vetëm të montohet në ditët në vijim. “AA Film Company” nën mjeshtërinë e Artan Kasemit do të sjellin për publikun një butafori gjigande. Evente të ngjashme realizon prej më shumë se një dekade violinisti me famë botërore Andre Rieu në qendër të Maastrich në Hollandë. Rieu është cilësuar dhe si mbreti i valsit.
Në skenë me Shkëlzen Dolin të ftuar në datën 23 shtator do të jenë:
Luca Monti: Një ndër pianistët më të famshëm dhe më të talentuar botëror, i vlerësuar dhe me shumë çmime ndërkombëtare.
Walter Auer: Soloflautist i Filarmonisë Vjeneze
Sebastian Bru: Udhëheqës i çelisteve në Filharmoninë e Vjenës
Remy Ballot: Dirigjenti më i suksesshëm klasik në arenën ndërkombëtare
Mirjam Tola: Soprano me famë botërore, një ndër zërat më të mirë shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Agron Peni: Kitarist virtuoz nga Kosova.
Biletat e eventit mund te blihen “online” në www.myticket.al si dhe në çdo agjenci “western union” në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni.