To top
19 Kor

Shqipëria hap negociatat për anëtarësimin në BE: Ç’do të thotë kjo?

Shqipëria çeli sot negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian, 16 vite pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Kreu i vendit, Edi Rama, në konferencën e parë ndërqeveritare, mbajtur në Bruksel, e konsideroi anëtarësimin në BE, një çështje për ‘jetë a vdekje’, ndërsa u shpreh se vendi do të vijojë në përmbushjen e sfidave.

Ndër të tjera Rama u ndal edhe në sulmin kibernetik ndaj sistemeve qeveritare, për të cilin pohoi “se po sulmohemi nga një vend armiqësor me BE-në”. “Ia dolëm të dëshmojmë se ishim më të mirë e më të fortë. Nuk ka të bëjë vetëm për ne bëhet fjalë për të ardhmen europianë. BE ka qenë më shume se sa raporte apo shkresa. Kërkimi ynë për Europën do ishte kthyer në një pune jo frymëzuese, nëse nuk ndodhi është se për kombin shqiptar është një çështje për jetë a vdekje. Edhe pse u shtynë padrejtësisht për tre vite, ne vijuam edhe me më shumë këmbëngulje.

Sot Shqipëria është vendi më i avancuar në rajon, por themelet për një sistem drejtësie, që mund t’i besohet më në fund pas shekujsh. Shkatërruam pallatin e vjetër të drejtësisë së korruptuar. SPAK dhe BKH janë thelbësor në këtë epokë të re. Nëse pak vite më parë, mund të kishit pyetur dikë për një politikan pas hekurave, do kishin qeshur me ju. Sot askush nuk ka imunitet. Barazia përballë drejtësisë është e mundshme dhe e arritshme.”- u shpreh ndër të tjera Rama gjatë fjalimit dhe zotimit të tij para liderëve.

Ndërkohë, Komisioneri për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varhelyi u shpreh se sot është një ditë historikë si për BE-në dhe për Shqipërinë. Sipas Varhelyit, konferenca shënon një gur kilometrik dhe një hap një kapitull të ri mes marrëdhënieve të Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Po çfarë nënkupton hapja e negociatave për vendin tonë?

Kjo ngjarje shënon fillimin e një procesi teknik që do të nisë me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Komisioni Europian do të nisë ekipet që do t’i bashkëngjiten administratës shtetërore në Shqipëri, ku do të kontrollojë ligjet dhe zbatimin e tyre. Me përafrimin e këtyre ligjeve do të hapen dhe mbyllen kapituj me sukses ose dështim, që në total do të jenë 35.

Kapitulli i parë me të cilin do të nisë procesi i negociatave është ai i të drejtave themelore të njeriut dhe më pas do të ketë kapituj për reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, liria e medias etj. Një proces i tillë pritet të zgjasë disa vite me radhë deri në rezultatin e tij përfundimtar: anëtarësimin ose jo në BE.