To top
29 Kor

Trump mbron deklaratat për hidroksiklorokinën: U refuzua vetëm sepse e sugjerova unë

Presidenti amerikan Donald Trump ka mbrojtur edhe njëherë bindjen e tij se duhej përdorur hidroksiklorokina për të luftuar koronavirusin, si për të kundërshtuar sërish zyrtarët amerikanë të shëndetit publik.

Ai argumentoi se medikamenti kundër malaries u refuzua si trajtim për Covid-19 vetëm sepse ai e sugjeroi.

Deklaratat e Trump erdhën pak orë pasi Twitter bllokoi llogarinë e djalit të tij pasi publikoi një klip që tregonte sesi duhej përdorur hidroksiklorokina.

Por ekspertët e shëndetësisë mbeten të mendimit se ende nuk ka të dhëna që të provojnë shkencërisht se ky ilaç mund të luftojë virusin, ndërsa paralajmërojnë se përdorimi i tij mund të shkaktojë probleme me zemrën.

Ky ilaç u përmend për herë të parë nga presidenti Trump në muajin mars. Dy muaj më vonë, vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë, 74 vjeç, tronditi mediat kur gjatë një konference theksoi se vetë ai kishte nisur ta përdorte atë, si një mënyrë për të qëndruar imun ndaj virusit Covid-19.