To top
2 Gus

Vettingu: Ngrihet struktura e re e gjyqtarëve të hetimeve paraprake. Hetimeve nuk iu shpëtojnë as gjyqtarët e prokurorët e dorëhequr

Duke filluar nga e marta asnjë prokuror në Shqipëri nuk mund të vendosë për fatin e dosjes hetimore që ai ka hartuar bazuar në denoncimin për një vepër penale. Kjo në sajë të hyrjes në fuqi të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar, për të qenë në përputhje me ndryshimet e thella që sjell reforma në sistemin e drejtësisë. Në zbatim të këtij Kodi të gjitha dosjet hetimore të prokurorëve do të kalojnë në sitën e gjyqtarëve të hetimeve paraprake që kanë “Carta Bianca”, pra autoritet të plotë, të vlerësojnë nëse një dosje hetimore duhet dërguar në gjykatë dhe shtetasi/sja e hetuar duhet të merret i/e pandehur dhe të hapet gjyq apo dosja të hidhet poshtë si e pabazuar në fakte dhe prova. Shkurt, përfaqësuesit e organit të akuzës, prokurorit të një ҫështjeje penale, i hiqet e drejta të vendosë nëse qytetari/qytetarja, ndaj të cilit ai ka ndërmarrë hetime, do të shkojë në gjyq. Deputetja socialite, Vasilika Hysi,sekretare në komisionin parlamentar për Reformën në drejtësi gjatë legjislaturës së kaluar të parlamentit, thotë për DW: “Struktura e gjyqtarëve për hetimet paraprake shton efikasitetin e hetimeve, mbron më mirë të drejtat dhe liritë e individit, i shërben një drejtësie penale që mbron viktimat dhe trajton njëlloj subjektet e procedimit penal. Me strukturën e re të hetimeve paraprake, qytetari njihet me akuzën para se të shkojë në gjykatë, gjë që nuk ka ndodhur deri tani. Kompetencat e gjyqtarëve të hetimeve paraprake mundësojnë edhe parandalimin e korrupsionit dhe arbitraritetit potencial të prokurotëve, që edhe pse kanë kaluar vettingun dhe janë pjesë e sistemit të reformuar të drejtësisë nuk përjashtohet që të korruptohen”.

Gjyqtarët e hetimeve paraprake, që do të fillojnë së shpejti punë, do të jenë të kaluar në skanerin e vettingut, që zyrtarisht si proces fillon pas një muaji, në shtator dhe do të vazhdojë të paktën deri në vitin 2025. Rëndësi të dorës së parë në vlerësimin prej këtyre gjyqtarëve të dosjeve hetimore të përgatitura nga organi i akuzës marrin faktet për veprën penale dhe provat që vërtetojnë atë.

Vettingu: Jo imunitet për ata që japin dorëheqjen

Afrimi i shtatorit, funksionimi i Kodit të ndryshuar të Procedurës Penale ka sjellë edhe dorëheqje të prokurorëve dhe gjyqtarëve për t’i shpëtuar vettingut. Shtatë prokurorë dhe gjykatës, shumica në Gjykatën e Lartë, dhanë kohët e fundit dorëheqjen. Ligji për vettingun përcakton që të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vettingut janë të detyruar të plotësojnë formularin e burimit të pasurisë së tyre, të kontrollit të figurës dhe të formimit professional. Ligji përcakton gjithashtu që për ata gjykatës dhe prokurorë që japin dorëheqjen nga detyra u jepet amnisti nga vettingu. Por jo imunitet. Deputetja Hysi sqaron për DW: “Gjykatësit dhe prokurorët që japin dorëheqje nuk janë më subjekt i vettingut por vettingu nuk u jep atyre imunitet. Kjo do të thotë që prokuroria mund të hapë hetim ndaj tyre kur ka denoncime, të dhëna, fakte për pasuri të paligjshme, lidhje me krimin e organiziuar apo për korrupsion. Edhe për gjykatësit dhe prokurorët që japin dorëheqjen do të funksionojnë mekanizmat e ndjekjes penale si për cilindo qytetar. Kjo është një nga elementët e rikthimit të besimit të qytetarëve në sistemin e reformuar të drejtësisë”, thekson VAsilika Hysi

Strukturat Anti korrupsion mbyll kapitullin e drejtësisë së kapitulluar

Shtatori do të kurorëzojë edhe procesin pionier në Shqipëri të krijimit të strukturave të reja kushtetuese përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organiziuar në rradhët e zyrtarëve të lartë, që njihen me inicialet SPAK – Struktura të Posaҫme Anti Korrupsion-. Ato vlerësohen si garanci për mbylljen e kapitullit të drejtësisë së kapitulluar ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse gjykatësit dhe prokurorët që do të punojnë në këto struktura do të kenë kaluar me sukses vettingun. SPAK do të përbëhet nga Prokuroria e Posaҫme Anti-Korrupsion, Byroja Kombëtare e Hetimit, që është konceptuar sipas modelit të FBI-së dhe së fundi nga Gjykata e Posaҫme Anti Korrupsion, që  të tria fillojnë punën menjëherë sapo të ketë përfunduar vlerësimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve. Në Tiranë tanimë kanë mbërritur oficerët amerikanë të FBI-së, që po treinojnë ekipin e përzgjedhur që do të punojë në Byronë Kombëtare të Hetimit. Në fokus janë operacionet për gjurmimin dhe gjetjen e pastrimit të parave dhe transaksioneve financiare, lidhjet e politikës dhe administratës shtetërore me krimin e organizuar. Ekipi përbëhet kryesisht nga të rinj dhe të reja me rezultate të shkëlqyera në universitet dhe të kaluar në skaner për integritetin e tyre moral. Kriter në përzgjedhjen e tyre është mungesa e plotë e lidhjeve me politikën dhe administratën shtetërore. Reforma në drejtësi në Shqipëri vlerësohet si një nga reformat më të thella jo vetëm në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor, por në të gjitha vendet ish-komuniste të Europës.