To top
4 Gus

Eni Vasili: RTSH në prag falimenti nga miliona euro abuzime. Kërkon auditim

Radiotelevizioni Shqiptar ndodhet zyrtarisht në një krizë të thellë financiare, ka njoftuar drejtoresha e re, Eni Vasili, vetëm pak muaj pas marrjes së detyrës.

Në një komunikim të brendshëm me strukturat financiare të institucionit, Vasili ka ngritur alarmin për gjendjen kritike, e cila rrezikon seriozisht aftësinë e RTSH për të përmbushur detyrimet ndaj punonjësve dhe kontraktorëve të jashtëm.

Sipas dokumenteve që i janë dërguar Ministrisë së Financave, vetëm nga proceset gjyqësore të hapura nga punonjës të larguar në mënyrë të paligjshme, RTSH ka humbur deri më 31 maj mbi 730 mijë euro në pagesa detyruese. Nëse llogariten edhe proceset gjyqësore në vazhdim, rreziku financiar i projeksionuar është mbi 4 milionë euro.

Një tjetër humbje masive vjen nga kontratat për të drejtat televizive, të cilat sipas auditimeve të brendshme kanë shkaktuar një tjetër gropë prej rreth 4 milionë euro, gjysma e të cilave janë shpenzime të pa planifikuara, jashtë buxhetit vjetor.

Në total, dëmi i përllogaritur që ka lënë pas menaxhimi i mëparshëm është mbi 8 milionë euro, ose rreth 1/3 e buxhetit vjetor të RTSH, që financohet me rreth 25 milionë euro nga taksat e qytetarëve dhe buxheti i shtetit.

Përballë këtij realiteti, Eni Vasili ka paralajmëruar se nuk do të kërkojë financime shtesë për vitin 2025 pa kryer më parë një auditim të plotë të strukturës dhe projekteve të institucionit. Sipas saj, kjo është e vetmja rrugë për të kuptuar se ku kanë përfunduar fondet publike dhe për të ringritur besimin e publikut ndaj televizionit shtetëror.

Vasili nënvizon gjithashtu se një pjesë e madhe e krizës vjen edhe nga niveli i ulët i të ardhurave të realizuara, krahasuar me ato të planifikuara, çka tregon jo vetëm për dobësi në menaxhim, por edhe për një mungesë serioze transparence dhe përgjegjësie ndër vite.