To top
25 Gus

Lamtumirë Artur Zheji! Miq e bashkëpunëtorë homazhe për gazetarin: Humbje e madhe, themeloi elegancën në analizën politike

Miq, bashkëpunëtorë, artistë e politikanë i dhanë lamtumirën gazetarit Artur Zheji, duke e kujtuar si një mendje të lirë, një erudit të rrallë dhe një zë të veçantë të publicistikës shqiptare. Homazhet u mbajtën në Universitetin e Arteve të Bukura.

Në Universitetin e Arteve të Bukura, aty ku ai u diplomua për regji, sot u mbajtën homazhet për gazetarin Artur Zhejin. Familjarë, miq, kolegë, politikanë e personalitete të artit i dhanë lamtumirën publicistit, analistit dhe një prej zërave më të veçantë të gazetarisë dhe mendimit publik shqiptar, që ndërroi jetë papritur në moshën 64-vjeçare nga një arrest kardiak, në Sarandë.

Homazhet nisën në orën 10:00. Në hyrje të Universitetit u vendos edhe një kurorë me lule në emër të kryeministrit Edi Rama.

Ikja e tij e parakohshme bashkoi në dhimbje jo vetëm botën e medias, por edhe politikën e artin. Deputeti socialist Arben Pëllumbi e cilësoi Zhejin një figurë të rëndësishme të mendimit të lirë.

“Ditë e trishtuar për miqtë e Turit, por edhe për shtypin dhe median shqiptare. Përfaqësonte një figurë mjaft të rëndësishme në gazetari e në mendimin e lirë të këtij vendi”, tha deputeti Arben Pëllumbi.

“Pas Zhejit që kemi parë në ekrane, ka qenë një Zhej akoma më artist, më krijues, që do jepte shumë më tepër në vitet që do vinin. Një ikje e parakohshme”, tha ministri Blendi Gonxhja.

“Patriot që luftoi jo vetëm në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së medias, por edhe parimeve të shtetit të së drejtës”, tha Tedi Blushi.

Për miqtë e afërt, Zheji ishte mbi të gjitha një shpirt artisti dhe një erudit i rrallë. Aktori Timo Flloko e përshkroi kështu: “Arturi ishte një artist i madh në shpirt, me një sensibilitet të padallueshëm, të dukshëm, por të thellë e të brendshëm. Një erudit i përmasave të mëdha.”

Një pjesë e rëndësishme e punës së tij lidhej edhe me çështjen kombëtare dhe Kosovën. Këtë e kujtoi ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, që e kishte njohur prej 27 vitesh.

“Zheji është një nga gazetarët më të shquar që është marrë me çështjen kombëtare në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë për Kosovën”, tha Milo.

Gazetari dhe publicisti, i dalluar për mprehtësinë e fjalës dhe thellësinë e mendimit, nderroi jetë befasisht nga një arrest kardiak ditën e shtunë, në Sarandë, ku po festonte ditëlindjen e të birit.

Artur Zheji vinte nga një familje e shquar në botën e artit dhe letrave. I ati Petro Zheji, i përkiste plejadës si përkthyes e dijetar, ndërsa e ëma, Besa Imami, ishte aktore. studioi për regji, e më pas punoi si dramaturg. Në vitet e para të demokracisë punoi në median italiane, për t’u rikthyer gjatë luftës së Kosovës, me emisionin “Luftë apo Paqe”. Ka mbajtur funksione drejtuese në disa media, si tek RTSH, ATSH dhe gazeta Mapo.

Që nga viti 2017, Zheji drejtonte emisionin “360 Gradë”, një tryezë debati për çështjet të vendit dhe botës. Ai spikaste në debatin publik, dhe me guxim, shkruante për shumëçka, edhe për vdekjen, “Zonjën Madhështore, të pa korruptueshmen absolute”, siç e cilësonte në një refleksion, një vit më parë.

Homazhet për gazetarin e ndjerë, Artur Zheji,  i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur e të parakohshme, arrijnë të prekin zemrat e të gjithë kolegëve të tij, personazhe të artit por dhe të politikës.

Aktorja e mirënjohur, Rajmonda Bulku, e prekur nga ndarja e mikut të saj, Artur Zheji, ose ashtu siç ajo e thërriste ”Tur”, ka mbajtur një deklaratë të shkurtër për media.

I lindur nga dy prindër të mrekullueshëm, ku liria dhe kultura, formuan karakterin po të lirë të Zhejit, kështu përshkruhet nga Bulku gazetari Zheji,

“Lindi nga dy prindër me shpirt të lirë, nga atdhetarë, nga një artiste të mrekullueshe Besa Imami dhe Petro Zheji, mendje ndritur, i njerëzve të shquar shqiptarë. Lindi i lirë nga këta të dy, lindi i mençur, i kulturuar. Luftoi tërë jetën e tij për të thënë fjalën e drejtë, të mençur. Elokuenca e tij ishte e jashtëzanshme dhe e pakrahasuar”, tha ajo.

Duke rikujtuar pak nga jeta e tyre, aktorja u shpreh se të dy kishin një dashuri të madhe e të pakrasueshme për Kosovën, një dashuri kjo e përcjellë fort nga gjyshërit e tyre, të cilin ishin dhe kushërinj.

“Do na mungojë shumë, shumë… jo vetëm ne që e kishim afër, që e donim dhe e vlerësonim, por të gjithë atyre që donin ta dëgjonin zërin e Turit. Zë të lirë, fjalë të drejtë, mençur, pa thyerje, dhe besoj se do ta kërkojë gjithmonë e do ta mbaj në mendje ashtu siç ishte gjithmonë, i drejtë, i mençur. Unë Turin e njoh, gjyshërit tanë janë kushërinj dhe kanë gjak Gjakove. Ne e donim shumë Kosovën të trashëguar nga dashuria e gjyshërve tanë”,  tha Bulku.

“Turi, u prehsh në paqe, të deshëm shumë, dhe do të duam shumë”, përmbylli Bulku e prekur.