To top
29 Jan

Romani i ambasadorit Fate Velaj prezantohet në COD, Spiropali: “Mossanga”, reflektim i një kohe të caktuar

Në COD – Centre for Openness and Dialogue, në Kryeministri, Tiranë u prezantua “Mossanga”, romani më i ri i Fate Velaj – një libër që nuk tregon, por zbërthen dhe shpalos.
Mes personaliteteve të kulturës, librit dhe politikës, Elisa Spiropali, ministre për Europën dhe Punët e Jashtme, mbajti një laudatio mbi personin e shumëfishtë që qëndron brenda Fate Velaj.
Gjatë diskutimit nën moderimin me Anila Çuli midis autorit dhe botuesit Bujar Hudhri (Onufri), u bë e qartë se Mossanga shkon shumë përtej romanit historik. Është një tekst që kujtesën e shndërron në gjuhë dhe pushtetin në pjesë përbërëse të tragjedisë njerëzore.
Velaj i afrohet diktaturës komuniste jo përmes aktakuzës, por përmes njohjes dhe reflektimit. Ashtu si tek Milan Kundera në romanin Shakaja, kritika lind nga ironia, nga një e qeshur që ngelet ngushtë në fyt. Situata groteske dhe zhvendosjet e saktë drejt thriller-it krijojnë një hapësirë ku totalitarizmi humbet maskat e tij.
Shqipëria, 1966.
Në kulmin e Luftës së Ftohtë. Marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik janë ndërprerë, ndërsa kinezët e parë sapo kanë mbërritur. Vendi jeton në ethet e dyshimit dhe izolimit ideologjik.
Në qytetin e Vlorës përhapet lajmi se së shpejti do të vijnë të huaj të tjerë. Pas hamendësimeve nëse do të jenë komunistë kamboxhianë apo vietnamezë, mbërrijnë në fakt nëntë fëmijë kongolezë – të gjithë nën dhjetë vjeç, fëmijët e komandantëve të luftës civile në Kongo.
Fillimisht, regjimi i trajton me një lloj mëshire propagandistike, si viktima të imperializmit. Por shumë shpejt kjo mëshirë shndërrohet në paranojë: lind dyshimi se mos janë spiunë, të dërguar nga shërbime të huaja sekrete.
Pushteti vendos t’i “formojë” – t’i bëjë komunistë model, t’i brumosë me ideologjinë e Enver Hoxhës, Marksit dhe Leninit.
Por me kalimin e viteve ata nuk janë më fëmijë. Kërkojnë më shumë ushqim, këndojnë këngë të ndaluara si Imagine e John Lennon-it ose 240.000 baci e Adriano Celentanos, dhe njëri prej tyre përfshihet në një histori dashurie me një vajzë nga shtresa e lartë e regjimit.
Kaq mjafton që gjithçka të interpretohet si komplot i mirëorganizuar i shërbimeve sekrete perëndimore. Fëmijët kongolezë arrestohen.
Me këtë roman, Fate Velaj – si rrallë ndonjëherë në letërsi – bën një tomografi rezonante të sistemit komunist dhe ngre një aktakuzë për brezat që do të vijnë.
Mossanga tregon banalitetin e pushtetit, logjikën e tij absurde dhe dhunën e përditshme që shfaqet si rend. Pushteti nuk duket monumental, por i pakëndshëm, qesharak dhe për këtë arsye edhe më kërcënues. Mes komedisë dhe tragjedisë shtrihet një vijë thuajse e padukshme – aty ndërhyn proza e rafinuar e Velaj.
Kështu, romani bëhet një anatomie letrare e diktaturës dhe njëkohësisht një meditacion mbi mbijetesën e njerëzores. Mossanga refuzon patosin, nuk kërkon ngushëllim, por qartësi – dhe pikërisht në këtë qëndron fuqia e tij e qëndrueshme.
Nga fjala e ministres Elisa Spiropali për Faten ose më saktë, për njeriun që zgjohet çdo ditë në orën 4–5 të mëngjesit dhe deri në orën 8 pikturon ose shkruan. Më dërgon ato që ka realizuar; unë i shikoj, i shijoj, i jap mendimin tim dhe pastaj nisim punën bashkë. Unë në ministri në Tiranë, ai në ambasadë në Vjenë.
Një dialog krijues ky që sfidon distancën dhe kohën.
Më pas, Fate më dërgon sërish atë që ka kryer gjatë ditës: takime, arritje dhe vlerësime – një rrjedhë e pandërprerë veprash dhe veprimesh, që nis herët me frymëzim artistik dhe përfundon në mbrëmje me frymë diplomatike. Edhe këtë, diplomacinë, Fate e trajton si një vepër arti, sepse në thelbin e tij, ai vetë është një krijim artistik.
E provova edhe unë një ditë të zgjohem kaq herët, por arrita vetëm deri në orën 6. Ishte e pamundur të vazhdoja me atë ritëm
Romani i tij, “MOSSANGA”, është dëshmi e kësaj disipline, këmbënguljeje dhe dashurie të jashtëzakonshme për artin, për fjalën e shkruar dhe për jetën si një krijim i pandërprerë…