Një 20-vjeçare ka dalë para gjykatës në Los Anxhelos me një rrëfim që ka tronditur sallën e gjyqit: ajo pretendon se rrjetet sociale i “morën” vitet e fëmijërisë dhe e çuan drejt ankthit, depresionit dhe vetëdëmtimit.
E njohur si Kaley (KGM) për të mbrojtur privatësinë, ajo ka paditur gjigantët e teknologjisë Meta dhe Google, duke i akuzuar për krijimin e platformave me natyrë varësuese për fëmijët. Në qendër të padisë janë Instagram dhe YouTube.
“Gjëja e parë që bëja kur zgjohesha ishte Instagrami dhe qëndroja aty gjithë ditën,” dëshmoi ajo. Sipas saj, nisi të përdorte YouTube në moshën 6-vjeçare dhe Instagram në moshën 9-vjeçare, pa asnjë pengesë për moshën. Funksioni “autoplay” në YouTube, që nis automatikisht videon pasuese, e mbante të lidhur për orë të tëra.
Ajo tregoi se mungesa e “like”-ve e bënte të ndihej “e shëmtuar” dhe “e pavlerë”. Me kalimin e kohës u diagnostikua me çrregullim dismorfik trupor, ndërsa ndjenjat e para të ankthit dhe depresionit nisën që në moshën 9–10 vjeç. Në moshën 10-vjeçare, tha ajo, filloi të vetëdëmtohej.
Në një moment dramatik të procesit, në sallë ishte i pranishëm edhe drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, i cili u pyet për rreth shtatë orë nga avokatët, hera e parë që ai përballet me një juri në një çështje të tillë.
Meta ka mohuar akuzat, duke argumentuar se problemet e saj lidhen me vështirësi familjare dhe jo me përdorimin e platformës. Ndërkohë, TikTok dhe Snapchat të paditura fillimisht, arritën marrëveshje jashtëgjyqësore para nisjes së procesit.
Vendimi i këtij gjyqi pritet të krijojë një precedent historik në SHBA, pasi mund të përcaktojë për herë të parë përgjegjësinë ligjore të rrjeteve sociale për ndikimin tek përdoruesit e mitur një çështje që mund të hapë rrugën për mijëra padi të tjera në mbarë vendin.

