To top
17 Dhj

Shumaker ngrihet në këmbë

5 vite nga ai aksident i tmerrshëm në Alpet e Zvicrës, ka dritë në fund të tunelit për pilotin gjerman, Majkëll Shumaker. Ish-piloti rekordmen i garave në Formula 1 raportohet se ka dalë nga gjendja e komës, madje është çuar në këmbë, duke hedhur hapat e parë. Lajmi i bujshëm është bërë i ditur nga gazeta britanike “DailyMail” dhe ka marrë një jehonë shumë të madhe në të gjithë botën.

Shumaker pas aksidentit në 29 dhjetor të vitit 2013 ishte në një gjendje kritike për jetën dhe në disa raste pati edhe spekulime që ai kishte ndërruar jetë, por tashmë çdo gjë duket se po shkon shumë mirë për gjermanin rekordmen.

Më herët menaxheri i gjermanit kishte deklaruar se familja e Shumaker preferon që ta mbajë private gjendjen e tij dhe se në një moment më të vonë do të shprehet publikisht.
Në tre vitet e fundit ai është shpërngulur në një vilë të përshtatur si një qendër spitalore në Zvicër, ku përveç familjarëve është nën kujdesin e një personeli të specializuar. Ky trajtim që Shumaker merr prej 3 vitesh, kushton më shumë se 55 mijë euro në javë. Por kjo shifër e madhe parash, duket se i ka dhënë frytet e saj, pasi ish-piloti i kokëkuqes tashmë po rikuperohet.

Ky rikuperim i Shumaker vjen në një kohë, kur djali i tij është gati për t’u futur në Formula 1. Mike Shumaker është vetëm 19 vjeç dhe pasi i ka kaluar me sukses të gjitha raundet e garave me makina të shpejta, besohet se është gati për të debutuar në klasin më të lartë të makinave të shpejta. Nëse çdo gjë shkon siç duhet me shumë mundësi do të kemi mundësinë që të shohim Shumakerin e vogël duke garuar në Formula 1 dhe të atin duke e ndjekur nga tribunat.