Ç’është mësimdhënia për ju dhe si janë raportet me koreografinë dhe krijimtarinë?
Mësimdhënia është një devocion për mua. Njësoj si feja, edhe një mësues duhet të besojë që ka në dorën e tij të ardhmen e një fëmije e, për rrjedhoje, të ardhmen e një kombi. Nuk është e rëndësishme nëse ti shpjegon matematikë, piano, letërsi a balet. Ti je aty një figurë për t’u marrë shembull, je aty për të ndihmuar, për të pasionuar, dëshiruar e arritur një ëndërr që nuk është jotja, por që të përmbush edhe ëndrrën tënde. Ti je aty në shërbim të fëmijës, të një filizi të së ardhmes, ndaj dhe një mësues i mirë asnjëherë nuk e harron këtë. Për sa i përket krijimtarisë sime koreografike, ajo e ka gjithmonë nismën diku thellë, në një mendim, në një koncept, në pasqyrimin e një realiteti ndonjëherë edhe social, por shpeshherë është edhe një poezi e trupit. Dhe këtu qëndron ndryshimi i madh midis mësimdhënies dhe krijimtarisë artistike, që për mua janë dy gjëra krejt të ndryshme. Nëse e para përkon me dëshirën për të dhuruar e materializuar profesion, me bujarinë më të madhe për shëmbëlltyrat e ardhshme, artisti krijues e bën artin duke u nisur nga dëshira për të realizuar e materializuar diçka për veten në fillim, e pastaj edhe për të tjerët.
Shumë pjesë të baletit i keni shkruar vetë, nga se frymëzoheni dhe si është pritur nga kritika dhe artdashësit?
Jam mësuar të gjej një motiv, një domethënie në atë që bëj në jetën time. Çdo gjë që më rrethon e që ndjej mund të transformohet në një ide, temë, dialog, ngjarje, libret, akt, skenë, pjesë, lëvizje, muzikë, kostume, mjete, ndërthurje artesh për të treguar në njësim, me kushtin e vetëm që mbi palkun skenik mos të humbasë kurrë poezia e intimiteti i finesës artistike.Arti ka misionin t’u japë lumturi njerëzve, prandaj është i rëndësishëm, e asnjëherë s’duhet abuzuar me të. Ai duhet të ndjellë te njerëzit dëshirën e të bukurës, por për ta bërë këtë ai duhet të jetë shumë i sinqertë. Një koreografi e mbushur me lëvizje të shumta e pa fund, të pajustifikuara, është vetëm një ushtrim teknik e asgjë më tepër. Ajo ka nevojë për një ide të mirë dhe për pak lëvizje të studiuara të stilizuara, duke krijuar një lajtmotiv në zhvillim. Koreografitë e mia kanë pasur sukses për veçantinë e tyre muzikore, kostumet dhe finesën e lëvizjeve të bukurisë në tërësi. Për këtë kam ndjekur këshillën e Panajot Kanaçi dhe ndihem e realizuar.
Sa ju intereson dhe a u kushtoni vëmendje zhvillimeve sociale e shoqërore, sidomos atyre shqiptare?
Shumë. Mendoj që po kalojmë një krizë globale, një provë të vështirë që ne vetë e kemi krijuar. Iluzioni, bollëku, shpërdorimi, mos respektimi i sistemit të natyrës dhe shpërdorimi i saj, por edhe mos toleranca ndaj popujve, feve dhe problemeve të tjera ka sjellë një jetesë jo të bukur e të qetë në këtë rruzull. Qeveritë duhet të kuptojnë që mosbashkëpunimi, moszbatimi i rregullave dhe përfitimi brutal mbi mundësinë që i krijohet për momentin janë vetëm çështje kohe që, në mos shpejt pak më tutje, çdo gjë do t’i kthehet mbrapsht. Eksperienca e ka treguar këtë. Pra duhet zgjuar sërish dëshira e të mirës dhe e ndërgjegjes sociale; dhe kjo fillon që në bankat e shkollës.
Si ju duket baleti dhe shkolla në Shqipëri?
Në shkollën e baletit shqiptar bëhen përpjekje të mira që të studiohet me nivel e në formë profesionale; dhe rezultatet duken, sidomos te meshkujt. Këta të fundit kur shkojnë nëpër vende të tjera e pasi edhe kualifikohen aty, natyrisht nuk janë thjesht balerinë trupe, por solistë të parë. Gjithsesi, si në çdo aspekt të zhvillimit rrënjësor që ka bërë dhe bën Shqipëria mendoj që edhe shkolla kombëtare e baletit shqiptar ka nevojë për një reformë strukturale, por për t’u bërë këto duhen më shumë investime në aspektin ekonomik, gjë që mendoj se nuk ekziston aspak. Ndërkohë, mendoj që në dyvjeçarin e fundit të ketë një specializim tri degësh: kërcimtar të karakterit klasik, hip-pop e modern-konteporan. Shkolla të ketë lidhje të qëndrueshme që pastaj të çojë më të mirët nëpër shkolla më të kualifikuara në botë, siç janë ato ruse – për klasiken është Scala e Milanos – në Francë, Angli e Amerikë për modern-konteporan. Shkolla duhet t’ia hapë dyert e saj pa frikë çdo artisti, balerini, profesionisti. Në këtë mënyrë ata sjellin eksperiencën e tyre për të mirën e përbashkët të shkollës. Jam e idesë që, për sa i përket disiplinës, është mirë t’i kthehemi pak kohës kur unë isha studente e drejtor shkolle ishte maestro Petrit Vorpsi, të cilin e kujtoj me shumë mirënjohje e respekt për përkushtimin, ndershmërinë dhe dinjitetin që i dha në atë kohë asaj shkolle….
Vijon e plote ne numrin aktual te revistes “elite” ne print!



