Romë-Për dy ditë, një nga ambientet më të bukura dhe më përfaqësuese të zonës EUR ndryshoi krejtësisht pamjen, duke mirëpritur një ngjarje kushtuar Modës së Lartë. Në këtë skenë unike, eleganca romake u takua me vizionin krijues dhe frymëzimet ndërkombëtare, ndërsa kolonat madhështore, efektet e dritës dhe krijimet e rafinuara të stilistëve krijuan një dialog të përsosur mes artit, modës dhe arkitekturës. Rezultati ishte një përvojë vizuale mbresëlënëse, që shndërroi hapësirën në një spektakël të vërtetë të stilit dhe bukurisë. Në javën e modës, morën pjesë mjaft stilistë të huaj mes të cilëve stilistja shqiptare Rezarta Skifteri ishte e vetmja e ftuar. Java e modës nisi me Fendin, për të vijuar me mjaft stilistë nga vende të ndryshme. Rezarta Skifteri edhe në këtë event u dallua për stilin e saj unik dhe të veçantë, ku çdo veshje përfaqësonte femrën dhe forcën e saj për të mos u ndalur në rrugën e pasionit dhe dëshirës. Veshjet glamour ndërthureshin mes luleve, gurëve dhe materialit të tylit e ngjyrave të ngrohta. Një punë vlerësuese dhe e realizuar me përkushtim nga Skifteri dhe skuadra e saj të cilët u mirëpritën, u duartrokitën dhe u vlerësuan së tepërmi për të vijuar me ftesa në eventet e radhës. Organizatori i këtij eventi kaq madhështor ishte Stiven Torrisi.





