Tuesday, 17 November 2026
E fundit

ELITE

Revista online dedikuar aktualitetit, politikës, kulturës – që prej 2012
Kopertina

SPAK mbyll hetimet për Ballukun, Braho: Korrupsion në 9 raste dhe 5 miliardë lekë dëm ndaj shtetit

16 November 2026

SPAK ka përfunduar hetimet për ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke dorëzuar këtë të hënë në gjykatë kërkesën për gjykim. Lajmi u bë i ditur nga kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një komunikimi me gazetarët, ku ishte i shoqëruar nga dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.

Sipas prokurorit Dritan Prençi, kërkesa për gjykim përfshin Belinda Ballukun, 25 persona të tjerë dhe dy shoqëri. Hetimet janë përqendruar në dhjetë procedura prokurimi, mes të cilave Tuneli i Llogarasë, lotet e Unazës së Madhe dhe procedura e prokurimit për Albcontrol.

Sipas SPAK, Balluku dyshohet se ka ndërhyrë në procedurat e prokurimit për të favorizuar kompani të caktuara. Në një prej procedurave, me fond limit rreth 18 miliardë lekë, prokuroria pretendon se është synuar paracaktimi i kompanisë “Intecar SRL”.

Nga hetimet ka rezultuar se fondi limit ishte përllogaritur gabim me rreth 2 miliardë lekë, ndërsa dëmi i shkaktuar shtetit vlerësohet në rreth 5 miliardë lekë.

Akuzat ndaj ish-ministres përfshijnë korrupsionin në nëntë raste, fshehjen e pasurisë në dy raste dhe pastrimin e parave. Ndërkohë, vlera e pasurive të sekuestruara gjatë hetimit arrin në 1.8 milionë euro.

Prokurori Prençi u ndal edhe te pasuritë që, sipas hetimeve, dyshohet se janë përfituar në mënyrë të parregullt nga Balluku. Ai deklaroi se ish-ministrja ka në pronësi familjare një vilë me sipërfaqe 428 metra katrorë, për të cilën SPAK pretendon se është përdorur një skemë për fshehjen e pronësisë përmes personave të tjerë.

Gjithashtu, prokurorja Dorina Bejko bëri të ditur se hetimet kanë evidentuar dyshime për favorizimin e kompanisë “G SHPK” në një procedurë me fond rreth 1 miliard lekë, si dhe të shoqërisë “Eurocol” në procedurën e prokurimit për Albcontrol.

Gjatë komunikimit me gazetarët, kreu i SPAK, Klodian Braho, sqaroi edhe ecurinë e hetimeve pas kërkesës së mëparshme për autorizim nga Kuvendi. Ai tha se, megjithëse Kuvendi kishte vendosur të mos e pranonte kërkesën, hetimet kishin vijuar dhe gjatë kësaj periudhe prokuroria kishte dokumentuar edhe tri akuza të tjera.

I pyetur nëse ekziston një hetim tjetër ndaj Ballukut, Braho deklaroi se aktualisht nuk ka një çështje tjetër në ngarkim të saj, përtej asaj që po dërgohet për gjykim. Ai shtoi se hetimet për Aeroportin e Vlorës vijojnë, por nuk dha detaje për këtë çështje.

Me dorëzimin e kërkesës për gjykim, dosja i kalon gjykatës, e cila do të shqyrtojë çështjen dhe do të vendosë për vijimin e procedurave.