Akademiku Rexhep Qosja është ndarë nga jeta ditën e sotme. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij me anë të një postimi në rrjetet sociale. Familjarët theksojnë se kanë plotësuar dëshirën e akademikut, për ta varrosur pa një ceremoni pritjeje publike.
“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale. Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!”, thuhet në njoftimin e familjes.
Amaneti i fundit
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT
KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja
(nënshkrimi)
Prishtinë, 30.4.2016





