Saturday, 19 September 2026
E fundit

ELITE

Revista online dedikuar aktualitetit, politikës, kulturës – që prej 2012
InStyle

Merkatoja e televizioneve, nga Julian Deda te Megi Pojani

19 September 2026

Shtatori nuk sjell vetëm sezonin e ri televiziv. Sjell edhe “merkaton” e ekranit, me moderatorë që largohen, formate që ndryshojnë fytyrë dhe emra të rinj që marrin pozicionet ku deri pak muaj më parë publiku ishte mësuar të shihte dikë tjetër.

Këtë vit lëvizjet kanë prekur disa prej programeve më të njohura.

Një nga ndryshimet më të mëdha ndodh në “Fiks Fare”. Pas një sezoni në moderim, Julian Deda dhe Xhemi Shehu nuk do të vazhdojnë në krye të programit investigativ të Top Channel.

Ndryshimi nuk kufizohet vetëm te dy moderatorët. Nga drejtimi i programit largohet edhe Filip Çakuli, një emër i lidhur ngushtë me historinë e “Fiks Fare”, ndërsa Antela Lika pritet të marrë drejtimin editorial të formatit.

Për momentin, as për Julian Dedën dhe as për Xhemi Shehun nuk është konfirmuar publikisht një projekt i ri televiziv.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm ka ndodhur në “Për’puthen”.

Pas eksperiencës së saj në krye të formatit, Megi Pojani largohet nga moderimi, ndërsa vendin e saj e merr Heidi Baci.

Për Heidin ky është një rol i ri televiziv dhe një kalim i rëndësishëm drejt moderimit të një formati të përditshëm. Vetë ajo e ka përshkruar “Për’puthen” si një dalje nga zona e rehatisë, duke pranuar se publiku është mësuar ta shohë në një profil tjetër.

Por ndryshimet në program nuk mbarojnë te moderatorja. Në sezonin e ri, Drini Zeqo dhe Erjola Doçi i bashkohen formatit si opinionistë, ndërsa Ronaldo Sharka merr rolin e autorit.

Më e paqartë mbetet situata e Arjan Konomit, një prej figurave historikisht më të lidhura me “Për’puthen”. Fillimisht emri i tij u përfol për një rikthim në panel, por më 10 shtator Konomi deklaroi publikisht se ishte pezulluar nga Top Channel. Televizioni nuk ka konfirmuar publikisht versionin e tij.

Lëvizje ka edhe në Kosovë.

Pas katër edicionesh, Jonida Vokshi largohet nga “Big Brother VIP Kosova” dhe nuk do të jetë në krah të Alaudin Hamitit në sezonin e pestë.

Moderatorja e ka konfirmuar vetë përfundimin e këtij kapitulli televiziv, ndërsa deri tani nuk është bërë publik zyrtarisht emri që do ta zëvendësojë.

Kështu, sezoni 2026-2027 nis me një konfigurim dukshëm të ndryshëm të ekraneve shqiptare. Disa prej figurave që vetëm pak muaj më parë kishin një pozicion të qëndrueshëm në programacion janë aktualisht pa një projekt të konfirmuar publikisht, ndërsa emra të tjerë po marrin për herë të parë drejtimin e formateve të rëndësishme.

Sepse në televizion, ndonjëherë sezoni i ri nuk fillon me një program të ri.

Fillon thjesht me dikë tjetër në të njëjtën karrige.