Pas përfundimit të homazheve publike, ne Pallatin e Konkreseve, arkëmorti me trupin e ish-kryeministrit Fatos Nano u nis drejt banesës së fundit. Ceremoniali shtetëror nisi në ambientet e Pallatit të Kongreseve rreth orës 08:30 të kësaj të diele, ku qytetarë, përfaqësues të institucioneve dhe personalitete të jetës publike i dhanë lamtumirën e fundit një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të pasviteve ’90.
Arkëmorti përshkoi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një procesion nderimi, përpara se të mbërrinte në varrezat e Sharës. Pas ceremonisë shtetërore, arkëmorti i Fatos Nanos u vendos në shtratin e një topi, duke i dhënë ish-kryeministrit një përcjellje të fundit si personalitet i lartë shtetëror, që ka shërbyer për vendin në postin më të lartë të qeverisjes.
Në përputhje me dëshirën e familjarëve dhe amanetin e vetë Fatos Nanos, ceremonia e varrimit do të jetë diskrete dhe e mbyllur për publikun. Ai do të prehet përgjithmonë në varrezat e Sharës.
Fatos Nano mbylli sytë përgjithmonë pasditen e së premtes, 31 tetor 2025. Ish-kryeministri i Shqipërisë, prej kohësh ndodhej në gjendje shumë të rëndë shëndetësore ndërsa ditët e fundit, 73-vjeçarit iu vështirësua frymëmarrja. Ai ka lënë pas bashkëshorten e tij, Xhoana Nano dhe tre fëmijët.
Fatos Nano shërbeu si kryeministër në tranzicionin e fundit të qeverisë komuniste të 91-shit ndërsa mori drejtimin e Partisë Socialiste që në datën e themelimit, të cilën shumë vite më vonë ia dorëzoi Edi Ramës.
Bëri burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhje, por pas më shumë se tre vite në qeli, ai ia doli. Koha i dha të drejtë për një burgosje politike. Por Nano, u rikthye fuqishëm duke fituar zgjedhjet përballë kundërshtarit të kohës, Sali Berisha në vitin 1997.
Fatos Nano shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1991 deri në 1993 dhe nga 1997 deri në 2009.
Ai kreu studimet e ciklit të mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, duke u bërë më pas student i Fakultetit të Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës. Një ndër personalitet politike me njohjen më të mirë të shifrave dhe ekonomisë, Nano u specializua në fushën e Ekonomisë Politike.
Ish-kryeministri i Shqipërisë mori titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë ndërsa në vitin 2000 titullin “Profesor Doktor” po në të njëjtën fushë.
Po në vitin 2000 në Universitetin Ndërkombëtar të Milanos, Nano fitoi titullin “Doktor Honoris Causa”, në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit dhe po në këtë vit merr titullin e nderit “Doktor Honoris Causa”, në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).

