To top
11 Shk

Albin Kurti, në vizitën e tij të parë si kryeministër në Tiranë takohet me Ramën, Metën, Ruçin e Bashën : Besim të plotë tek ju, do i përballoni me sukses sfidat

Albin Kurti në Tiranë: Na duhet shengen shqiptar, Rama: S’ka pa shengenin ballkanik

TIRANE – Albin Kurti zgjodhi Shqipërinë për vizitën e tij të parë jashtë Kosovës, si kryeministër. Një takim “i përzemërt e mikpritës” ishte ai me kryeministrin Edi Rama siç Kurti u shpreh, që çeli vizitën e tij zyrtare në Pallatin e Brigadave në Tiranë. Të dy kryeministrat, nga sa u shprehën në një konferencë për mediat, ranë dakord se lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave pa barriera mes dy popujve shqiptarë është prioritet i prioriteteve, por tema që i ndan është ajo të cilën thanë se nuk e prekën shumë gjatë takimit kokë mëa kokë mes tyre: Mini-shengeni Ballkanik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se takimi me Ramën ishte për temat që do trajtojmë në të ardhmen, e ky projekt duket të jetë shumë larg prioriteteve pasi fokusi duhet vënë tek “makro shengeni shqiptar”, theksoi shefi i qeverisë së Kosovës.Ky ishte takimi ynë i parë ka edhe shumë tema që do t’i trajtojmë në të ardhmen, kjo ishte një temë që e trajtuam shkurtimisht meqënëse takimi ynë ishte më parë për makro-shengenin shqiptar, sepse për mini-shengenin ballkanik”, tha Kurti.

Por ndryshe mendon kryeministri Edi Rama, i cili la të kuptohet se pavarësisht se nuk ishte cekur shumë si bisedë në takimin mes tij dhe Kurtit para konferencës, qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar: “Nuk ka makro shengen shqiptar, pa mini-shengen ballkanik”

“Makro-shengeni shqiptar është i lidhur me shengenin rajonal, se nëse ne jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe nëse jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, dhe do të bëjmë çmos të jemi, na hapet rruga që është e mbyllur prej të gjitha viteve, për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve. Çka deri dje ishte e paimagjinueshme për shkak të rezistencës jo vetëm të Serbisë por edhe vendeve të tjera. Sot është në dorën tonë, se këtë rezistencë e kam thyer. Na takon ne të bëjmë më të mirën dhe të mos humbasim kohë. As Serbia askush tjetër nuk na thotë që po bëjmë Shqipërinë e madhe nëse heqim kufirin”, tha Rama.

Por ndryshe nga ndasitë për mini-shengenin ballkanik, të dy kryeministrat ishin në sinkron me njëri-tjetrin për një bashkëpunim të ri, më të fuqishëm dhe me shpejtësi të re mes Shqipërisë dhe Kosovës, për të lehtësuar jetesën e shqiptarëve mes dy kufijve. Kryeministrat paralajmëruan mbajtjen e mbledhjes së radhës së përbashkët të qeverisë, dhe për këtë zgjodhën qytetin e Shkodrës. Rama dhe Kurti thanë se do të ngrihet një komision ndërshtetëror, në përbërje të të cilit do të ketë ministra dhe deputetë për të monitoruar zbatimin e 77 marrëveshjeve të arritura, por edhe për të adresuar problematikat dhe prioritetet që duhen ndjekur në të ardhmen.

Meta, Kurtit: Qeveria juaj i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajonin tonë

Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot në një takim të përzemërt Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Pasi e uroi për marrjen e detyrës së lartë të Kryeministrit dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, të popullit të saj dhe të ardhmes sonë europiane, Presidenti Meta i tha Kryeministrit Kurti se: “Qeveria e tij i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajonin tonë”.

Kreu i Shtetit vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera e vëllazërore.

“Bashkëpunimi midis dy vendeve konsiderohet strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike. Duhet të konkretizojmë Partneritetin Strategjik me Kosovën, duke e bërë atë një model dhe inkurajim për bashkëpunimin rajonal”, – tha Presidenti Meta.

Ruçi pret në takim Albin Kurtin: Besim të plotë tek ju, do i përballoni me sukses sfidat

Në një takim të shkurtër në Kryesinë e Kuvendit, Gramoz Ruçi priti në kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Ruçi shprehu besimin e plotë se në lidershipin e Albin Kurtit dhe qeverisë së re Kosova do të përballojë me sukses sfidat e vështira.

Nga ana tjetër Kuvendi i Shqipërisë sipas Ruçit do të nxisë bashkëpunimin për rolin e Kosovës si një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi i uroi Kryeministrit Kurti suksese në detyrën e lartë dhe shprehu besimin e plotë se “Nën lidërshipin Tuaj, Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i përballojë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, integrimit dhe fuqizimit të rolit e kontributit të Kosovës si një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon.

Sakrificat Tuaja si politikan konseguent janë një garanci për realizimin e këtij misioni dhe vënien në jetë të programit ambicioz qeverisës. Kuvendi i Shqipërisë do të jetë si gjithmonë në mbështetje të bashkëpëunimit midis të dy vendeve dhe do të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ndërqeveritar.”

Kryeministri, z. Albin Kurti falënderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit dhe të tijën personale ndaj bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej. “Ne do të bashkëpunojmë me Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e procedurave për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis të dy vendeve, nënshkrimin e marrëveshjeve të reja si edhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave e shërbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës,” vuri në dukje Kryeministri, z. Albin Kurti.

Basha 20 minuta kokë më kokë me Albin Kurtin: Kosova mund të mbështetet plotësisht tek PD sot në opozitë dhe nesër në qeveri

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Po ndryshe nga çdo takim tjetër, kryeministri i ri i Kosovës, u ndal gjatë në zyrën e kryedemokratit Lulzim Basha, me të cilin bisedoi kokë më kokë për rreth 20 minuta. Në fund të takimit  dy zyrtarët thanë para selisë së PD se me rëndësi është bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve, në të mirë të qytetarëve, të cilët siç theksoi Albin Kurti, janë më të varfrit në rajon.

Albin Kurti: Unë pata takim të përzemërt e konstruktiv me Kryetarin e PD, me liderin e opozitës zotin Lulzim Basha. Pozitë opozitë në të dy anët e kufirit, Kuvend dhe qeveri do të bashkëpunojmë në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës, jo vetëm zyrtare por edhe historike për qytetarët tanë, të cilët siç e dinë janë edhe varfërinë më të madhe, edhe me papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë. Pra, është obligim i yni si politikanë kudo që jemi, tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë, për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre.

Lulzim Basha: Dua ta falënderoj kryeministrin e Kosovës për vizitën në selinë e Partisë Demokratike. E sigurova se për Partinë Demokratike dhe për opozitën e bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës janë të qarta. Dhe ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë e, në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizua, sikundër edhe për angazhimin tonë, sot dhe nesër, për të vazhduar fuqimisht mbështetjen nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës, për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, sikundër edhe për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Kurti, qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës mund të mbështeten, siç janë mbështetur deri më sot, plotësisht tek Partia Demokratike, tek opozita e bashkuar për t’i dhënë çdo ndihmë dhe për të marrë çdo vendim që do të mbështesë objektivat e tyre, sot në opozitë dhe nesër, kur qytetarët e Republikës së Shqipërisë të na besojnë qeverisjen e vendit me votën e lirë dhe të ndershme.

Ju faleminderit!