To top
8 Mar

Aleksandër Meksi, ish -kryeministri feston përvjetorin e 80-të

Aleksandër Meksi, kryeministri i qeverisë së parë postkomuniste mbushi sot tetëdhjetë vite jete.

U lind në Tiranë, më 8 Mars 1939, nga prindërit Gabriel Meksi (1894-1958) dhe Efigjeni Haxhistasa (1912-1983).

Ka kryer studimet universitare në degën e Ndërtimit në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetin Shtetëror të Tiranës (1955-1959). Në vitet 1960-1962 punoi në hidrocentralin e Shkopetit, ndërsa në vitet 1962 -1987 në Institutin e Monumenteve të Kulturës.

Në vitin 1965 ka kryer specializim në “Scuola di perfezionamento per lo studio e il restauro dei monumenti”, pranë Fakulteti të Arkitekturës të Universitetit të Romës.

Në vitet shkollore nga 1974-1977 ka dhënë lëndën e Historisë së arkitekturës në Degën e ndërtimit në  UT, ndërsa në vitin shkollor 1989-1990 ka qenë pedagog për dy lëndë në Universitetin e Marburgut.

Aktiviteti kërkimor, ai për gjurmimin dhe restaurimin e monumenteve është pasqyruar në dhjetëra artikuj dhe monografi si autor i vetëm apo dhe si bashkautor.

Mban gradat shkencore Kandidat i shkencave(1982), Doktor i shkencave(1988), si dhe titullin Profesor (1995).

Karriera politike i fillon në dhjetor 1990, si bashkëthemelues dhe hartues i Programit minimal, i Statutit të Partisë Demokratike dhe anëtar  i Komisionit Nismëtarë të saj. Qysh atëherë e deri ne vitin 1997 ka qene anëtar i Kryesisë se PD dhe më vonë, me ndonjë shkëputje (1997- 2001), anëtar i Këshillit Kombëtar.

Që nw zgjedhjet e para pluraliste është zgjedhur deputet për në Kuvendin e Shqipërisë (1991-2001). Pas fitores së Partisë Demokratike në 22 Mars 1992, më 13 Prill zgjidhet Kryeministër i Qeverisë Demokratike, post që e mbajti deri ne 13 mars 1997 (pasi dha dorëheqjen në 01 Mars).

Qeveria Meksi ndërmori reformimin e shtetit shqiptar, nga diktatorial në demokratik. Detyra të vështira për një vend në krizë të plotë politike-ekonomike e sociale, për një vend të rrënuar nga marrëzia komuniste e diktatura e proletariatit.

Qysh nga viti 2001 është kritik ndaj drejtuesve  të Partisë Demokratike për mungesën e demokracisë së brendshme si dhe keqqeverisjes gjatë viteve 2005-2013. Vazhdon të jetë aktiv në jetën politike të vendit me shkrime si opozitar, intervista e biseda në mediat televizive.

Ka publikuar një numër të madh artikujsh shkencor, monografi dhe shkrime publicistike nga fusha e politikës dhe kulturës.