To top
18 Qer

Fatmira Hajdari: Vendimi i pritshëm. Avokati: Këta nuk pyesin për ligjin!

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari.

Gjyqtarja Fatmira Hajdari, bashkëshortja e liderit të ’90-ës dhe nëna e deputetes Rudina Hajdari nuk ka mundur të kalojë shkallën e parë të vettingut. KPK ka vendosur të shkarkojë nga detyra Hajdarin për shkak të problemeve me deklarimin e pasurisë. Pas vendimit vetë Hajdari ka thënë vetëm se vendimi ishte i pritshëm. Ndërsa avokati i saj Maks Haxhia tha se vendimi do të ankimohet.

“Këta nuk po pyesin për ligj xhanëm se Kushtetuta e ka, aneksi i Kushtetutës deri në dyfishin e pasurisë por këta nuk e kanë respektuar asnjëherë. Këta kanë listat dhe po pastrojnë.

Vendimi i zgjeruar pritet të dalë pas disa javësh, por vlerësohet se ai erdhi prej pasurive të pajustifikuara të zonjës Hajdari dhe pas revokimit të dy vizave amerikane për udhëtime drejt SHBA-ve.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari, u pyet të hënën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për transaksionet me prona, për ndërtimin e një pallati 10-katësh pa leje dhe për bilancin negativ në pasurinë, që shkon në rreth 500 mijë dollarë.

Në Komision u përmendën një sërë pasurish që nuk ishin deklaruar asnjëherë. Po ashtu, zonja Hajdari u vlerësua pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rivlerësimi për zonjën Hajdari u krye nga një trupë e kryesuar nga Roland Ilia, me anëtare Firdes Shuli dhe relatore Etleda Çiftja. Ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Theo Jacobs.

Ajo ka të drejtën e ankimit në Komisionin e Pavarur të Apelimit. Sipas treguesve të deritanishëm, asnjë person, që është ankuar në KPA për shkarkimin, nuk e ka ndryshuar dot rezultatin, pasi standarti i KPA-së, sidomos përsa i takon pasurive të pajustifikuara, është shumë më i rreptë se sa ai i KPK.

Fatmira Hajdari nisi karrierën në vitin 2003 si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, dhe pas 10 vjetësh, më 2013 u dekretua gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.