To top
10 Tet

Ish deputetja e PS-së, Elona Gjebrea zgjidhet përfaqësuese e Shqipërisë në SIMA

Ish-deputetja e PS Elona Gjebrea është zgjedhur përfaqësuese e Shqipërisë nga organizata prestigjoze italiane e Mjekësisë Ambientale(SIMA, Societa Italiana di Medicina Ambientale).

Gjebrea është e vetmja përfaqësuese shqiptare pjesë e bordi Ndërkombëtar të kësaj organizate.

Kontributi i Gjebreas do të jetë në prezantimin e strategjive mjedisore dhe hapat që duhet të ndiqen për t’i garantuar qytetarëve nisma konktete të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe uljes së nivelit të ndotjes.

Ky angazhim për Gjebrean vjen pas atij në asamblenë Parlamentare të OSBE-së.

Përmes një artikulli të publikuar nga ogranizata italiane e mjekësisë ambientale SIMA, Elona Gjebrea ndan një analizë ‘Cilësia e ajrit, fenomen global’ ku i referohet situatës aktuale në vendin tonë dhe përpjekjet e bëra për të reduktuar ndotjen.

Sipas Elona Gjebreas ndotja e ajrit është rreziku kryesor mjedisor në botë për shëndetin dhe shkaku i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet të ndryshme si ato të zemrës, goditjeve në tru, kancerit të mushkërive, pneumonive, diabetit të tipit 2, çrregullimet neonatale etj.

Ndër të tjera në artikullin e publikuar, Gjebrea shkruan për planin Kombëtar të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit për menaxhimin e cilësisë së ajrit që rregullon standardet kombëtare për cilësinë e tij si dhe reduktimin e emetimit të ndotësve kryesorë të ajrit, duke përfshirë emetimet nga industria dhe transporti.

Në Shqipëri, kohët e fundit ka patur disa iniciativa të ndryshme që synojnë përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe reduktimin e ndotësve atmosferikë, si përcaktimin e ditës së dielë si dita pa makina si dhe ndërhyrjet në infrastrukturë në krijimin e korsive të dedikuara për bicikleta.

“Përveç kësaj, ekspertët sugjerojnë futjen e më shumë kontrolleve të cilësisë për karburantet dhe në kantieret e ndërtimit”- shkruhet në artikull.

“Hapja e procedurave të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të përkthehet shpejt në nisma të mëtejshme që synojnë përafrimin e legjislacionit dhe hapa konkretë në përmirësimin e cilësisë së ajrit përmes standardeve më të rrepta evropiane, në dobi të të gjithëve”- shkruan Gjebrea.

Elona Gjebrea ka një përvoje të gjatë si akademike dhe kërkuese shkencore. Ajo mban titullin Doktore e Shkencave dhe ka kryer doktoraturën në Mbreterinë e Bashkuar në fushën e shkencave natyrore dhe është fituese e bursës prestigjioze Chevening në vitin 2002. Ajo është autore e shumë artikujve shkencorë dhe lektore në universitet shqiptare që prej vitit 1999.